Protestat, Hita: Policia nuk tërhiqet, do përballeni me ligjin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për mediat lidhur me situatën e krijuar në Tiranë pas protestave të dhunshme të tri ditëve të fundit.
71 efektivë të plagosur gjatë incidenteve
Gjatë deklaratës së tij, Hita bëri të ditur se 71 efektivë të Policisë janë plagosur gjatë incidenteve, disa prej tyre me dëmtime të rënda. Ai theksoi se Policia garanton të drejtën kushtetuese për protestë paqësore. Megjithatë, nënvizoi se kjo e drejtë nuk mund të përdoret si mburojë për aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës.
“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me valë dhune, zjarrvënieje dhe shkatërrimi, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë, disa prej tyre me dëmtime të rënda. Policia garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht, por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën dhe shkatërrimin e pronës.”
Paralajmërim për personat e dhunshëm
Kryepolici paralajmëroi se të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve, institucioneve dhe pronës publike e private do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin. Ai u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Efektivëve, nga ana tjetër, u kërkoi të tregojnë profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, pa u tërhequr përballë akteve të dhunës.
“Çdo sulm ndaj uniformës së Policisë është sulm ndaj shtetit ligjor dhe shtetit. Kush ka ushtruar dhunë ndaj Policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin. Ju kërkoj që të tregoni profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe të mos provokoheni, por mos u tërhiqni. Pjesëmarrësve u bëj thirrje të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Përgjegjësia është individuale. Do të përballeni me ligjin. Ndaloni dhunën ndaj Policisë! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mesazhi është i qartë dhe i prerë: Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen”, tha Hita.
Thirrje për ndalimin e sulmeve
Gjatë konferencës për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u bëri thirrje protestuesve të ndalin sulmet ndaj institucioneve, bizneseve private dhe efektivëve të Policisë. Ai theksoi se misioni i uniformave blu është mbrojtja e jetës dhe pronës, duke nënvizuar se Policia nuk është pjesë e asnjë force politike.
Thirrje prindërve për gjimnazistët
Hita iu drejtua gjithashtu prindërve, duke u kërkuar të mos lejojnë përfshirjen e gjimnazistëve në akte dhune. Në deklaratën e tij, ai foli edhe për personat e ndaluar gjatë dy netëve të para të protestave, duke pretenduar se pjesa dërrmuese e tyre nuk rezultuan studentë.
“Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë pronën dhe jetën. U bëjmë thirrje prindërve që të mos lejojnë që gjimnazistët të bëhen pjesë e dhunës. Nga të gjithë të ndaluarit natën e parë në protestat e dhunshme, asnjëri nuk rezultoi studentë. Edhe në natën e dytë, vetëm një pjesë e vogël rezultuan studentë”, tha mes të tjerash Hita.
Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit përsëriti thirrjen për ndalimin e akteve të dhunës, duke theksuar se çdo person që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



