E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paulin Sterkaj kundër Ramës, ish-deputeti u bën thirrje socialistëve të mos heshtin
Lajme

Paulin Sterkaj kundër Ramës, ish-deputeti u bën thirrje socialistëve të mos heshtin

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, ka reaguar ashpër për situatën e krijuar gjatë protestave në Tiranë, duke i drejtuar një mesazh të qartë qeverisë së Edi Ramës dhe strukturave socialiste. Ai thekson se krizat politike nuk mund të zgjidhen përmes forcës policore dhe paralajmëron se strukturat speciale, përfshirë RENEA-n, nuk duhet të shndërrohen në mjete për menaxhimin e konflikteve politike.

Duke u mbështetur te përvoja e tij shumëvjeçare në Policinë e Shtetit dhe në drejtimin e forcave speciale, Sterkaj nënvizon se efektivët nuk mund të mbajnë pafundësisht mbi supe pasojat e një krize, shkaqet e së cilës lidhen me politikën.

Sipas tij, prania e shtuar e uniformave në rrugë nuk është tregues i forcës së një shteti, nëse institucionet nuk arrijnë të ruajnë rendin duke respektuar njëkohësisht të drejtat e qytetarëve.

Sterkaj kundër përdorimit të RENEA-s në konfliktet politike

Në reagimin e tij, ish-deputeti socialist vë në pikëpyetje përdorimin e strukturave speciale në situata protestash, duke theksuar se çdo ndërhyrje duhet të mbështetet në nevoja konkrete, të jetë proporcionale dhe të respektojë ligjin.

Sterkaj dënon dhunën ndaj efektivëve të policisë dhe shkatërrimin e pronës, por paralajmëron se akte të tilla nuk mund të përdoren si justifikim për ushtrimin e pakufizuar të forcës nga shteti.

Ai kërkon që përgjegjësia të përcaktohet individualisht, ndërhyrjet policore të jenë të domosdoshme dhe proporcionale, ndërsa çdo pretendim për tejkalim kompetencash të hetohet.

Një vëmendje të veçantë ish-deputeti i kushton trajtimit të të miturve gjatë protestave. Sipas tij, të rinjtë duhet të mbrohen dhe çdo ndërhyrje ndaj tyre duhet të marrë parasysh moshën, sigurinë dhe të drejtat që u garanton ligji.

Mesazh për Edi Ramën: Kriza nuk zgjidhet vetëm me urdhra për Policinë

Sterkaj e zhvendos vëmendjen nga menaxhimi i protestave te përgjegjësia e qeverisë për shkaqet që i kanë nxitur ato. Ai argumenton se, kur qytetarët shprehin pakënaqësi të thella politike dhe shoqërore, përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm te masat e sigurisë.

Sipas tij, qeveria duhet të dëgjojë protestuesit, të kuptojë kërkesat e tyre dhe të ofrojë zgjidhje politike. Përndryshe, kërkesa për qetësi në rrugë rrezikon të mbetet pa rezultat, nëse nuk shoqërohet me përpjekje konkrete për të kapërcyer krizën.

Ish-deputeti thekson se hapja e dialogut nuk është shenjë dobësie dhe as pranimi i nevojës për korrigjime politike nuk përbën tërheqje. Përkundrazi, ai e konsideron këtë qasje shprehje të përgjegjësisë shtetërore.

Thirrja brenda PS-së: Mos e ngatërroni heshtjen me përgjegjësinë politike

Pjesa më e drejtpërdrejtë e reagimit të Sterkajt u drejtohet figurave drejtuese, deputetëve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste. Ai kërkon që brenda forcës politike të ketë më shumë zëra kritikë dhe që solidariteti partiak të mos kthehet në mburojë për veprime të gabuara.

Sterkaj paralajmëron kundër barazimit të përgjegjësisë politike me heshtjen dhe të disiplinës partiake me justifikimin e dhunës. Ai shprehet se mbrojtja e partisë nuk nënkupton miratimin e çdo vendimi të saj apo të qeverisë, por kërkon kurajën për të evidentuar dhe korrigjuar gabimet.

Duke iu referuar qëndrimeve të tij të mëparshme brenda strukturave socialiste, ish-deputeti thotë se nuk kërkon protagonizëm personal, por distancim të qartë nga sjelljet që dëmtojnë besimin e qytetarëve.

Ai u bën thirrje socialistëve të mbrojnë arritjet e Partisë Socialiste, pa lejuar që ato të zhvlerësohen nga arroganca, gabimet apo interesat individuale.

Paralajmërimi për polarizimin: Shqipërisë i duhen zgjidhje, jo më shumë përplasje

Në përfundim të reagimit, Sterkaj thekson se vendi ka nevojë për më shumë përgjegjësi politike dhe më pak arrogancë, ndërsa paralajmëron se heshtja mund të ofrojë vetëm një mbrojtje të përkohshme, pa zgjidhur problemet që ushqejnë pakënaqësinë publike.

Mesazhin e tij e mbyll me një shprehje malësore, përmes së cilës u kërkon bashkëpartiakëve të mos cenojnë dinjitetin e tyre dhe të mos shmangin përgjegjësinë në një moment të vështirë politik.

“Siç themi ne malësorët: Burri ka kohë me u korit. Mos u korisni!”, përfundon Sterkaj.

Reagimi i ish-deputetit vjen në një moment tensionesh të forta politike dhe protestash në Tiranë, duke sjellë një tjetër zë kritik nga brenda kampit socialist për mënyrën se si po menaxhohet situata dhe për nevojën e një zgjidhjeje politike.

Reagimi i ish-deputetit të PS, Paulin Sterkaj:

Policia nuk mund të zgjidhë një krizë politike. Dhe RENEA nuk mund të bëhet instrument i saj.

Kam shërbyer për shumë vite në Policinë e Shtetit dhe në drejtimin e forcave speciale. E njoh nga afër përgjegjësinë e atyre që veshin uniformën, vësh tirësinë e përballjes me situata të tensionuara dhe peshën që ka çdo urdhër i dhënë në terren.

Pikërisht për këtë arsye, ndiej detyrimin të flas.

 

 

Policia e Shtetit nuk mund të mbahet pafundësisht nën presionin e një krize që buron nga politika. Efektivëve tanë nuk mund t’u kërkohet të përballojnë ditë pas dite zemërimin e qytetarëve, ndërsa shkaqet e këtij zemërimi mbeten pa përgjigje.

RENEA nuk është zgjidhje politike. Është një strukturë me përgjegjësi të veçanta, përdorimi i së cilës në situata protestash duhet të justifikohet me nevojë konkrete, të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Angazhimi i saj nuk është një vendim pa pasoja institucionale, profesionale dhe publike.

Një shtet serioz nuk e mat forcën e tij me numrin e uniformave në rrugë, por me aftësinë për të ruajtur rendin pa cenuar të drejtat e qytetarëve dhe për të zgjidhur konfliktet përpara se ato të dalin jashtë kontrollit.

Po, dhuna, sulmet ndaj policëve dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshme. Askush nuk duhet të ketë imunitet nga ligji. Por asnjë akt dhune nga një protestues nuk mund të shndërrohet në justifikim për përdorim të pakufizuar të forcës nga shteti. Përgjegjësia duhet të jetë individuale, ndërhyrja e policisë e domosdoshme dhe proporcionale, ndërsa çdo pretendim për tejkalim kompetencash duhet të hetohet.

Veçanërisht, fëmijët dhe të miturit nuk mund të trajtohen pa kriter, as të bëhen objekt i një reagimi të pakontrolluar policor. Ata duhen mbrojtur. Çdo ndërhyrje ndaj tyre duhet të marrë parasysh moshën, sigurinë dhe të drejtat e tyre. Përballë të miturve, autoriteti i shtetit duhet të shfaqet përmes vetëpërmbajtjes dhe profesionalizmit, jo përmes ndëshkimit kolektiv.

Prandaj, sot, më shumë se kurrë, drejtuesit duhet të japin udhëzime të qarta për shmangien e përshkallëzimit, respektimin e proporcionalitetit dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Urdhrat nuk duhet të prodhojnë një përplasje më të madhe sesa ajo që synojnë të ndalojnë.

Por problemi kryesor nuk zgjidhet vetëm me urdhra për Policinë.

Kur protestat shprehin pakënaqësi të thella politike dhe shoqërore, qeveria duhet të ketë kurajën t’i dëgjojë, t’i kuptojë dhe t’u përgjigjet atyre. Nuk mjafton të kërkosh qetësi në rrugë, nëse nuk krijon një rrugëdalje politike nga kriza.

Si deputet për shumë mandate, si shqiptar, si socialist, besoj se e majta duhet të jetë në gjendje të dëgjojë qytetarët, sidomos të rinjtë, edhe kur kritikat e tyre janë të ashpra dhe të pakëndshme. Përgjegjësia për të qeverisur nuk është vetëm përgjegjësi për të ushtruar pushtetin; është, para së gjithash, përgjegjësi për të dëgjuar dhe për të gjetur zgjidhje.

Nuk është dobësi të hapësh dialogun. Nuk është tërheqje të pranosh se një situatë kërkon korrigjim politik.

Përkundrazi, kjo është shenjë force dhe përgjegjësie shtetërore.

Sot Shqipërisë nuk i duhen më shumë përplasje. I duhen më shumë përgjegjësi, më pak arrogancë dhe zgjidhje politike.

Policia duhet të bëjë detyrën e saj brenda ligjit. Politika duhet të bëjë të vetën përpara qytetarëve.

Nuk duhet t’ia kalojmë uniformës barrën e një krize që vetëm politika mund ta zgjidhë.

U bëj thirrje figurave drejtuese, deputetëve dhe çdo socialisti që beson te vlerat e kësaj force politike të mos e ngatërrojnë më përgjegjësinë politike me heshtjen, solidaritetin partiak me mbrojtjen e të korruptuarve dhe disiplinën politike me justifikimin e dhunës. Duhet të shtohen zërat e kritikës e të drejtës, që sot mbyten me çdo mjet, me luftë të brendshme e sulme të jashtme.

Kam qenë gjithmonë i zëshëm brenda stukturave. Sot nuk dua protagonizëm në moshën e punën time.

Por është koha të distancohemi qartë nga çdo sjellje që cenon besimin e qytetarëve, të mbrojnë me guxim arritjet reale të Partisë Socialiste dhe të mos lejojnë që ato të zhvlerësohen nga gabimet, arroganca apo interesat e individëve. Të mbrosh partinë nuk do të thotë të mbrosh çdo veprim të saj apo të qeverisë, do të thotë të kesh kurajën ta korrigjosh kur është e nevojshme. Shqipëria nuk ka nevojë për një betejë që e ndan më tej shoqërinë, por për një përgjegjësi të përbashkët që shmang polarizimin dhe parandalon destabilizimin.

Heshtja mund të duket si mbrojtje e përkohshme, por nuk është zgjidhje. Sot, përgjegjësia e secilit prej nesh është të mbrojë njëkohësisht dinjitetin e partisë, interesin publik dhe stabilitetin demokratik të vendit.

Siç themi ne malësorët: Burri ka kohë me u korit. Mos u korisni!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.