Aurela Gaçe shpërthen pas dhunës ndaj protestuesve: Keni shumë mëkate mbi këtë popull
Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ka reaguar ashpër pas skenave të dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke drejtuar kritika ndaj klasës politike dhe duke bërë thirrje për ndalimin e përplasjeve që, sipas saj, po dëmtojnë qytetarët dhe të ardhmen e të rinjve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, artistja shpreh keqardhjen për atë që po ndodh, duke theksuar se qytetarët nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin si armiq, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve politike.
“Si mund të ndodhë kjo? Oh, ne nuk jemi armiq me njëri-tjetrin! Ai fëmijë që godet është edhe fëmija yt. Si arritëm këtu? Politika bën qejf me ne, qesh e tallet”, shkruan Gaçe.
“Në emër të kujt po dhunohet populli?”
Këngëtarja u është drejtuar politikanëve të të gjitha krahëve, duke i bërë përgjegjës për situatën dhe duke kërkuar që të ndalin përshkallëzimin e tensioneve.
“Ju politikanë, nga të gjitha krahët, keni shumë mëkate mbi këtë popull! Në emër të kujt po dhunohet populli? Në emër të politikës! Ndaloni përpara se të jetë vonë”, shprehet ajo.
Në vijim të reagimit, Gaçe përdor tone edhe më të ashpra ndaj klasës politike, duke vënë në qendër të mesazhit të saj të ardhmen e brezit të ri dhe mundësinë që të rinjtë të ndërtojnë jetën në Shqipëri.
“Politikë e ndyrë, pa gjak, pa shpirt. Mjaft vodhët, mjaft u majmët për 3 dekada. Mos vrisni të ardhmen. Rinia meriton të jetojë e lirë dhe të ndërtojë të ardhmen këtu, pranë familjeve, pranë njerëzve që i duan”, përfundon këngëtarja.
Reagimi i artistes vjen pas protestës së 24 tetorit në kryeqytet, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe me persona të lënduar. Mesazhi i saj është një thirrje për klasën politike që të ndalë konfliktin dhe të mos lejojë që të rinjtë të paguajnë pasojat e përplasjeve politike.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



