BORDELLOJA QË U JEP LEKSIONE MORALI KISHAVE DHE XHAMIVE
Publikuar nga Ergis Noka
Imagjinoni për një çast një bordello që ngre një podium dhe nis t’u japë leksione moraliteti kishave dhe xhamive. Predikon virtytin, dënon mëkatin dhe merr përsipër të përcaktojë kufijtë e së mirës dhe së keqes.
Një skenë groteske, ku hipokrizia vishet me petkun e moralit dhe ku ata që duhet të japin llogari për veten, marrin guximin të gjykojnë të tjerët.
Duket si një fragment nga teatri i absurdit. Por në Shqipërinë e sotme, kjo metaforë ka gjetur një pasqyrim shqetësues në realitetin politik.
Kur një i ri ka humbur shikimin pas një goditjeje me plumb gome, kur mijëra shkopa gome u zbrasën mbi trupat e pafajshëm të protestuesve gjatë darkës, përgjigjja e një shteti demokratik duhet të jetë transparenca, hetimi dhe përgjegjësia.
Por çfarë dëgjojmë nga Edi Rama? Paralajmërime për gjoba deri në 5 milionë lekë të vjetra ndaj protestuesve!
Sigurisht, dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen me të drejtën e protestës. Por as pjesëmarrja në një tubim nuk mund të shndërrohet në provë fajësie. Ligji duhet të ndëshkojë shkelësit, jo të shërbejë si instrument frikësimi për qytetarët që kërkojnë llogari nga pushteti dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i madh politik!
Edi Rama, kryeministri i një qeverie të tronditur nga skandale korrupsioni, hetime të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe akuza për lidhje të segmenteve të politikës me botën e krimit, merr përsipër të japë leksione moraliteti dhe ligjshmërie për qytetarët.
Një pushtet që përballet gjithashtu me akuza publike për përgjime, video komprometuese dhe shantazhe të pretenduara, aivduhet të jetë i pari që të kërkoj transparencë për qeverinë e tij, përpara se të ngrejë gishtin tregues ndaj shoqërisë.
Përgjegjësia politike nuk fillon vetëm kur një gjykatë shpall fajësinë. Ajo lidhet edhe me njerëzit që një kryeministër zgjedh, pushtetin që u beson dhe standardet që lejon të vendosen gjatë qeverisjes së tij. Kur skandalet përsëriten, nuk mjafton të fajësosh gjithmonë individët. Duhet të japësh përgjigje edhe për sistemin që i ka prodhuar ose nuk ka arritur t’i parandalojë.
Duket se kryeministrin nuk po e tradhtojnë vetëm nervat, por edhe kujtesa politike. Ka harruar me kë erdhi në pushtet, me kë e ndau atë dhe çfarë përgjegjësish mbart për mënyrën se si është qeverisur vendi. Pushteti nuk është fron i trashëguar, shteti nuk është pronë private dhe qytetarët nuk janë nënshtetas që duhet të ulin kokën sa herë flet kryeministri.
Kjo arrogancë është ushqyer nga një kulturë politike ku besnikëria shpesh vlen më shumë se meritokracia dhe ku përgjegjësia politike humbet mes justifikimeve. Është pikërisht kjo kulturë që ka sjellë një thyerje të frikshme sociale edhe ekonomike edhe që shërben si katalizator i kësaj proteste.
Se qytetarët kanë dal në rrugë për të kundërshtuar këtë realitet, për të kundërshtuar këtë mënyrë qeverisje edhe për të kundërshtuar këtë sistem ekonomik-social që po i lë në rrugë edhe përgjigjja e qeverisë nuk mund të jetë vetëm gjuha e gjobave dhe e forcës.
Zoti Rama, shteti nuk është shkopi i gomës në dorën e policit dhe as gjoba që rëndon mbi xhepin e qytetarit. Shteti është ligji që duhet të mbrojë njësoj ministrin dhe studentin, pushtetarin dhe protestuesin. Një demokraci nuk dobësohet kur qytetarët protestojnë. Ajo dobësohet kur pushteti fillon ta ngatërrojë autoritetin me arrogancën dhe ligjin me instrumentin e ndëshkimit.
Sepse një qeveri që tregon më shumë vendosmëri për të disiplinuar zemërimin qytetar sesa për t’u përballur me shkaqet e tij, nuk ka thjesht një problem me rendin publik. Ka një problem shumë më të thellë me besimin dhe autoritetin e saj moral dhe këtu rikthehemi te metafora e fillimit.
Morali nuk fitohet duke ngritur zërin nga podiumi, as duke tundur gishtin ndaj të tjerëve. Ai provohet me veprime, me përgjegjësi dhe me shembullin që jep.
Sepse mund ta pikturosh Tiranën, mund të zbukurosh fasadën, mund ta veshësh hipokrizinë me petkun e virtytit, mund të predikosh nga mëngjesi në mbrëmje për ligjin dhe ndershmërinë. Por asnjë predikim nuk e pastron ndërgjegjen e atij që refuzon të shohë njollat në duart e veta.
Kulmi i hipokrizisë nuk është ta kesh humbur moralin, por të marrësh përsipër t’ua mësosh atë të tjerëve, se edhe një bordello mund të veshë rrobën e priftit ose hoxhës, e të ngjitet në altar e të predikojë virtytin.
Por as kambanat e kishës, as thirrjet e minares nuk mund ta shenjtërojnë mëkatin e fshehur nën petkun e moralit. Se edhe kur balta mbulohet me mëndafsh, ajo nuk bëhet ar. Edhe kur errësira ndez qirinj në altar, ajo nuk bëhet dritë.
Mbi të gjitha, bordelloja mund t’i ketë dyert e hapura për çdo mëkat, por nuk mund të ngjitet në minare e në altar për t’u dhënë xhamive dhe kishave leksione moraliteti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



