Historia e Kristaqit nga Gjirokastra që humbi dy këmbët
Sëmundja e diabetit i mori dy këmbët Kristaq Nikës, por jo kurajon.
61 vjecari nga fshati Goranxi i Gjirokastrës ka ndërtuar një ashensor për të mos u mbyllur në shtëpi.
“Mos e nxirr ashensorin në televizion se më vjedhin patentën, thotë me të qeshur. “Të gjithë nuk e morën seriozisht kur thashë se do ndërtoja ashensorin”, shprehet Taqi, për Zërin e Amerikës. “Por unë s`mund të jetoja në shtëpi, si në burg”.
Kur është kohë e mirë Taqi del tek ballkoni i shtëpisë për të parë në Luginën e Drinos e kamionët e mëdhenj tregtarë që kalojnë në autostradën që lidh Gjirokastrën me Kakavijën. Jeta e tij si shofer ishte e lidhur me kamionët. “Kamionin e shita për të përballuar shpenzimet për të prerë këmbën e pare”, thotë ai. Më pas shpjegon se shiti edhe një sipërfaqe toke kur iu desh të priste këmbën e dytë.
Kristaqi ndihet i brengosur vetëm kur i vijnë nipat e vegjël të tre fëmijëve të cilët nuk mund ti marrë për dore për ti shëtitur si shumë gjyshër të tjerë. Por ai thotë se jeta e ka bërë të fortë dhe se nuk kërkon lëmoshë.
Ai u drejtohet autoriteteve të ndihmojnë bashkëshorten e tij të marrë një ndihmë financiare që i takon sipas ligjit si shoqëruese e përhershme. “Deri tani nuk kanë bërë asgjë”, thotë Kristaqi./voa
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



