Hoxha u jep “leksion” ambasadorëve të BE-së se protesta është e drejtë
Ndërkohë që policia dhunon studentët në Tiranë
Ministri i Jashtëm mblodhi diplomatët europianë për të folur për lirinë e protestës, në kohën kur vetë Delegacioni i BE-së ka kërkuar hetim për përdorim të tepruar të forcës nga policia shqiptare.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, mblodhi ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian për t’u shpjeguar se protesta paqësore është një liri themelore demokratike. Takimi vjen ndërsa Shqipëria po kalon dy javë protesta studentore, përplasje me policinë dhe akuza për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, gjë që e bën leksionin të tingëllojë disi ironik.
Gjatë takimit, Hoxha theksoi se e drejta për të protestuar duhet respektuar. Sipas tij, megjithatë, dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike ose private nuk mund të pranohen si mjete të shprehjes politike.
Ndërkohë në Tiranë protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës, ujë dhe forcë fizike, dhe kjo ka ngritur shqetësime nëse reagimi i autoriteteve ka qenë proporcional.
Madje, vetë Delegacioni i Bashkimit Europian ka kërkuar hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Kështu, ambasadorëve që kanë shprehur shqetësim për mënyrën si u trajtuan protestuesit, ministri Hoxha u kujton se protesta është një e drejtë demokratike.
Ambasadorët europianë vështirë se kanë nevojë që dikush t’u shpjegojë se protesta është e drejtë themelore. Qeverisë shqiptare, nga ana tjetër, nuk do t’i bënte keq t’i kujtohej se kjo e drejtë duhet respektuar edhe jashtë sallave të takimeve diplomatike, në rrugë, aty ku protestohet dhe kërkohet dorëheqja e kryeministrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



