Demokratët Europianë shpërthejnë ndaj Ramës: Erjon Vishkulli ka nevojë për drejtësi, jo propagandë
Demokratët Europianë kanë kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si ka trajtuar publikisht çështjen e Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit të plagosur në sy gjatë protestave në Tiranë. Ata kërkojnë hetim të pavarur, përgjegjësi për personat e përfshirë dhe i kujtojnë kreut të qeverisë se kujdesi shëndetësor është e drejtë e qytetarëve, jo favor politik.
Në reagimin e tyre publik, Demokratët Europianë shprehen të shqetësuar për plagosjen e Vishkullit, i cili, sipas deklaratës, u qëllua në sy me plumb gome nga policia. Ata paralajmërojnë se shikimi i të riut është në rrezik dhe kërkojnë që rrethanat e incidentit të hetohen në mënyrë të pavarur.
Organizata kërkon gjithashtu që personat përgjegjës të dalin përpara drejtësisë dhe që të mos përdoret forcë joproporcionale ndaj protestuesve.
Kritika Ramës për trajtimin mjekësor të të riut
Një pjesë e rëndësishme e reagimit i kushtohet kryeministrit Edi Rama dhe deklaratave të tij lidhur me organizimin e trajtimit mjekësor të Vishkullit.
Demokratët Europianë e akuzojnë Ramën se po përpiqet të marrë merita personale për kujdesin ndaj të riut të plagosur. Sipas tyre, pretendimi i kryeministrit është kundërshtuar publikisht nga familjarët e Vishkullit.
Në mesazhin drejtuar kreut të qeverisë, ata theksojnë se mbrojtja e qytetarëve dhe garantimi i kujdesit shëndetësor janë përgjegjësi të shtetit.
“Kujdesi mjekësor është një e drejtë, jo një favor nga kryeministri”, thuhet në reagim.
Kërkohet përgjegjësi për plagosjen
Në përfundim, Demokratët Europianë kërkojnë që ngjarja të mos shndërrohet në një debat për meritat politike, por të përqendrohet te zbardhja e rrethanave dhe përgjegjësia për plagosjen e 28-vjeçarit.
Reagimi vjen pas protestave të zhvilluara në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa plagosja e Erjon Vishkullit ka nxitur reagime dhe diskutime publike për përdorimin e forcës nga uniformat blu.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



