Erjon Vishkulli reagon para operacionit në Itali: Zoti do të krijojë lehtësim pas vështirësive
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit, ka përcjellë një mesazh besimi përpara se t’i nënshtrohej ndërhyrjes mjekësore në Itali.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, i riu shkroi: “Zoti do të krijojë lehtësim pas vështirësive”. Në fotografinë e publikuar, Vishkulli shfaqet duke formuar shqiponjën dykrenare me duar.
Ai u plagos gjatë përplasjes mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, pasi u godit në sy nga një plumb gome. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Traumës në Tiranë, 28-vjeçari u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Mesazhi i tij vjen në një moment të vështirë, ndërsa dëmtimi i pësuar gjatë protestës ka sjellë në vëmendje përdorimin e forcës nga policia dhe nevojën për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Prokuroria heton dyshimet për veprime arbitrare
Ndërkohë, dy prokurorë kanë nisur kryesisht hetimet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, lidhur me ngjarjen gjatë së cilës u plagos Vishkulli.
Në fokus të hetimit janë veprimet e dyshuara të oficerëve të Policisë së Shtetit gjatë përplasjes me protestuesit. Për të dokumentuar dëmtimet e shkaktuara gjatë protestës, autoritetet kanë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të lënduar, përfshirë edhe atë të 28-vjeçarit.
Hetimet pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të incidentit dhe në verifikimin e përgjegjësive të mundshme. Deri në përfundimin e procedurave, çdo përgjegjësi penale mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



