E martë, 27 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Personalitetet psikopatikë dhe sundimi i të keqes në politikë!
Lajme

Personalitetet psikopatikë dhe sundimi i të keqes në politikë!

Publikuar nga Ergis Noka

“Lenini ishte me takt, i butë dhe i sjellshëm, por njëkohësisht karakterizohej nga një qëndrim tepër i ashpër, i pamëshirshëm dhe brutal ndaj kundërshtarëve politikë. Ai kurrë nuk lejoi asnjë mundësi që ata të kishin të drejtë qoftë edhe minimalisht, apo që ai të kishte gabim qoftë edhe minimalisht.

Ai i quante kundërshtarët e tij mashtrues, shërbëtorë, mercenarë, agjentë ose judaistë të korruptuar për tridhjetë monedha argjendi.

Ai nuk bëri kurrë asnjë përpjekje për të bindur kundërshtarët e tij gjatë një mosmarrëveshjeje. Ai nuk komunikonte direkt me kundështarët. Ai komunikonte me ata që ishin dëshmitarët e mosmarrëveshjes, me qëllim që t’i tallte dhe t’i kompromentonte kundërshtarët e tij. Ndonjëherë dëshmitarët ishin vetëm disa njerëz, ndonjëherë mijëra delegatë në një kongres, ndonjëherë turma lexuesish nëpër gazeta”.

Mjafton të ndryshojmë emrin e Leninit edhe përshkrimi i mësipërm është një skenë politike e normalizuar tanimë në Shqipëri jo vetëm në kohën e Hoxhës por edhe sot që flasim. Përveç kësaj hipernormalizimi i gënjeshtrës , paralogizmat (deklarata që tingëllojnë logjike, por të gabuara),”paramoralizmat” (përmbysjet e moralit të zakonshëm ) janë disa situata të tjera politike që ndodhin në Shqipërinë e sotme , dhe që libri i shkruar nga Doktor Andrew Lobaczewski, një shkencëtar polak na ndihmon ti zbërthejnë për të kuptuar se çfarë po ndodh në të vërtetë.

“Ponerologjia Politike” një libër inovativ i psikiatërit polak, na shpjegon se natyra e vërtetë e totalitarizmit nuk varet nga ideologjia që e mbështet atë.

Thënë ndryshe, ajo që e bëri komunizmin aq të lig nuk ishte fakti se politikat e tij nuk funksiononin, por lloji i njerëzve që arritën në majë, një proces që mund të zgjasë dekada ose breza. Sipas tij ishin personalitetet psikopatikë kaq të zakonshëm në sferat politike, institucionale dhe mediatike që e bënë komunizmin sistemin më të dhunshëm dhe anti-njerëzor të shekullit të njëzetë.

Studimi i karaktereve psikopatikë dhe i situatave që ata krijojnë quhet ‘ponerologji’ ose ndryshe “studimi i së keqes”. Kur individë të tillë hyjnë në sferën politike, gjë që ata e bëjnë shpesh, atëherë kemi “ponerologji politike, ose ndryshe studimin e të keqes në politikë .

Disiplina të ndryshme janë përjekur ta shpjegojnë fenomenin e të keqes në politikë në terma ideologjish, në terma ekonomikë apo dhe moralë por, shkaku rrënjësor sipas Lobaczewski -t është “psikopatia “.

“Në të njëjtën mënyrë siç secili nga ne zihet në befasi edhe nuk di si të reagojë sa herë që has një psikopat në jetën përditshme, po ashtu i gjithë kombi mund të manipulohen në mënyrë të ngjashme kur një ose një grup psikopatësh e drejton atë” – thotë ai.

Psikopatët nuk janë të pa aftë, përkundrazi ata janë ekspertë të sjelljes njerëzore dhe janë mjeshtra në manipulimin e njerëzve. Pa asnjë kufizim të brendshëm, ata krijojnë lirisht dhe me qëllim konfuzion dhe kaos; krijojnë një ndjenjë të sajuar edhe të rreme të një lidhjeje të thellë; nxisin simpati duke u shtirur si messiah; përdorin sistemin e drejtësisë si armë; krijojnë dhe të përfitojnë nga përçarja; prodhojnë provokime publike; dhe i bëjnë të gjitha këto me një virtuozitet të pashoq.
Ato motivohen nga pasuria, vëmendja, statusi; kërkojnë me ngulm të shihen si të besueshëm, dhe të hyjnë në histori.

Karakteret psikopatikë besojnë në thelb se janë superiorë dhe më të zgjuar se të gjithë të tjerët, të cilët i konsiderojnë si budallenj. Kjo manifestohet tek madhështia ekstreme dhe refuzimi absolut për të pranuar përgjegjësinë personale.

Megjithatë, ndërsa fitojnë autoritet edhe pushtet ata kuptojnë se varen nga ata që duhet punojnë për ta. Dikush duhet të firmosë që të sigurohen paratë për të mbajtur pushtetin, dhe kur duhet mbajtur përgjegjësi dikush duhet të sakrifikohet !
Megjithëse përpiqen të krijojnë perceptimin se po ndajnë pushtet me bashkëpuntorët e tyre liderat psikopatikë nuk e ndajnë atë.

Ato mjeshtërisht arrijnë të miklojnë, rekrutojnë, edhe përdorin njërëz të pushtuar nga arroganca edhe vetëmashtrimi, cilësi të cilat kur gjenden të bashkuara tek një njeri i vetëm e transformojnë atë në një mjet pa mend, të aftë për çdo të keqe. Ky është patokratizmi.

Libri është shkruar gjatë Luftës së Ftohtë, edhe pse është botuar për herë të parë ne 2006. Ai është një provë se shekulli i njëzetë vërtetoi, në mënyrë mjaft mbresëlënëse, se si regjimet patokratike mund të sundojnë shoqëritë, duke i shfuqizuar, manipuluar, kontrolluar njerëzit e zakonshëm.

Kombi ynë e vuajti në mënyrën më të dhimbshme regjimin patokratik të Enver Hoxhës dhe jemi të vetëdijshëm se kur pushteti e shndërron votën në instrument të përjetësimit të vetvetes, revolta popullore mbetet e vetmja forcë që i hap rrugën rikthimit të zgjedhjeve të lira dhe demokracisë.

Por historia jonë post komunizte na na ka mësuar edhe një të vërtetë më të hidhur, se më është më e lehtë të përmbysësh një regjim sesa të çrrënjosësh servilizmin, frikën, oportunizmin dhe kalbëzimin moral që e mbajtën atë në këmbë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.