Tragjike! Shqiptari gjendet i vdekur brenda një pusi në Itali
Një ngjarje e rëndë po hetohet në Itali, ku trupi i pajetë i një 31-vjeçari shqiptar është gjetur në një pus rreth 10 metra të thellë, në komunën e Longianos. Hetuesit dyshojnë për vrasje, ndërsa rrethanat e vdekjes mbeten ende për t’u zbardhur.
Sipas raportimeve të mediave italiane, viktima dyshohet të jetë Denaldo Maxhallaku, i cili ishte zhdukur prej disa ditësh. Autoritetet po punojnë për konfirmimin zyrtar të identitetit të tij.
31-vjeçari ishte larguar nga banesa mbrëmjen e 7 tetorit, pasi u kishte thënë familjarëve se do të takohej me një të njohur. Ai nuk u kthye më në shtëpi, ndërsa të afërmit njoftuan policinë për zhdukjen e tij.
Gjatë kërkimeve, makina e shqiptarit u gjet e djegur plotësisht, disa kilometra larg vendit ku u zbulua trupi. Ky detaj, së bashku me rrethanat e gjetjes së viktimës, është pjesë e hetimeve për të rindërtuar lëvizjet e tij dhe për të kuptuar çfarë ka ndodhur.
Sipas medias italiane Teleromagna, pranë pusit janë gjetur edhe disa gëzhoja pistolete. Ato po analizohen nga hetuesit për të përcaktuar nëse kanë lidhje me vdekjen e 31-vjeçarit.
Në vendngjarje ndërhynë karabinierët e Cesenaticos, një ekip i specializuar me qen kërkimi nga Firence, zjarrfikësit dhe mjeku ligjor. Nxjerrja e trupit u krye nga ekipet e specializuara për ndërhyrje në puse dhe zona të vështira.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të sqaruar nëse shqiptari është vrarë, si dhe nëse makina e djegur dhe gëzhojat e gjetura lidhen me ngjarjen. Deri në përfundimin e hetimeve, dyshimet për ekzekutim mbeten për t’u verifikuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



