Ekstradohet 29-vjeçari shqiptar, akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal
Një 29-vjeçar nga Mati, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuza që lidhen me sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.
Operacioni u realizua në Frankfurt, në kuadër të operacionit policor “The Wanted”, përmes bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden. I ekstraduari, i identifikuar me inicialet A. Gj., ishte arrestuar në Gjermani pas kërkimit ndërkombëtar të autoriteteve shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare, në maj të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
29-vjeçari dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ekstradimi u krye nga specialistët e Interpol Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane. Pas kthimit në Shqipëri, A. Gj. do të përballet me procedurat e mëtejshme ligjore lidhur me çështjen për të cilën është shpallur në kërkim.
Operacioni “The Wanted” vijon të shërbejë si një mekanizëm bashkëpunimi mes strukturave shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për lokalizimin dhe kthimin në vend të personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



