E enjte, 29 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër rritjes së taksave, kërkon rishqyrtimin e tyre
Lajme

Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër rritjes së taksave, kërkon rishqyrtimin e tyre

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) i ka kërkuar qeverisë të rishikojë ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke ngritur shqetësime për pasojat që rritja e barrës tatimore mund të sjellë për sipërmarrjen, investimet e huaja dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Në qëndrimin e saj publik, organizata e biznesit vlerëson se ndryshimet e parashikuara prekin disa elemente thelbësore të sistemit fiskal dhe mund të ndryshojnë ndjeshëm kushtet në të cilat kompanitë kanë hartuar planet e tyre financiare dhe të investimeve. Sipas AmCham, përpara marrjes së një vendimi përfundimtar, qeveria duhet të publikojë analizat e ndikimit ekonomik e social dhe të zhvillojë konsultime reale me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me rrezikun që kostot shtesë të dobësojnë konkurrueshmërinë e kompanive që operojnë në mënyrë të rregullt, të kufizojnë mundësitë për riinvestim dhe të ndikojnë në planet për hapjen e vendeve të reja të punës. AmCham paralajmëron gjithashtu se ndryshimet e shpeshta ose të papritura në politikat fiskale mund ta bëjnë Shqipërinë më pak tërheqëse për investitorët e huaj, të cilët vlerësojnë jo vetëm nivelin e taksave, por edhe qëndrueshmërinë e rregullave.

Tatimi mbi dividendët dhe TVSH-ja, në qendër të kundërshtimeve

Ndër masat që kanë ngritur shqetësime janë propozimet për rritjen e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15%, të normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% dhe të disa normave të reduktuara nga 6% në 10%. Paketa përfshin gjithashtu ndryshime në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi.

Sipas argumenteve të AmCham, këto ndërhyrje mund të ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e operimit të bizneseve dhe në të ardhurat që mbeten në dispozicion për investime të mëtejshme. Rritja e tatimit mbi dividendët, për shembull, mund të ulë kthimin neto për aksionarët, ndërsa ndryshimet në TVSH mund të ndikojnë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Organizata vë në dukje se efekti përfundimtar i këtyre masave nuk duhet të matet vetëm përmes të ardhurave shtesë që synon të mbledhë buxheti. Sipas saj, duhet të vlerësohet edhe ndikimi i mundshëm mbi aktivitetin ekonomik, investimet dhe bazën e ardhshme të të ardhurave tatimore.

A do të përfitojnë realisht familjet nga ndryshimet në TVSH?

Një tjetër pikë e ngritur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë lidhet me efektin e paketës mbi çmimet e konsumit. Ndërsa ulja e TVSH-së për disa produkte ushqimore bazë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve, rritja e normës standarde dhe e disa normave të reduktuara mund të sjellë shtrenjtim të produkteve dhe shërbimeve të tjera.

AmCham argumenton se këto dy efekte duhet të analizohen së bashku, për të përcaktuar nëse lehtësimi i synuar për konsumatorët do të jetë më i madh apo më i vogël se kostot që mund të krijohen nga ndryshimet e tjera tatimore.

Sipas organizatës, ulja e një norme tatimore nuk garanton automatikisht që i gjithë përfitimi të reflektohet në çmimin përfundimtar të paguar nga qytetari. Për këtë arsye, ajo kërkon një vlerësim të qartë të ndikimit neto mbi inflacionin, fuqinë blerëse dhe buxhetet familjare.

AmCham kërkon luftë ndaj informalitetit përpara rritjes së taksave

Në vend të rritjes së normave tatimore, Dhoma Amerikane e Tregtisë propozon që qeveria t’i kushtojë përparësi zgjerimit të bazës së tatimpaguesve, formalizimit të ekonomisë dhe përmirësimit të administrimit të të ardhurave publike.

Sipas qëndrimit të saj, rritja e detyrimeve për kompanitë që deklarojnë aktivitetin dhe paguajnë rregullisht taksat mund të krijojë një barrë shtesë për bizneset formale, nëse nuk shoqërohet me masa efektive kundër informalitetit dhe zbatimin e njëjtë të ligjit për të gjithë operatorët ekonomikë.

Organizata kërkon gjithashtu që qeveria të argumentojë më qartë nevojën për të ardhura shtesë, duke marrë në konsideratë realizimin e shpenzimeve buxhetore dhe gjendjen e financave publike. Sipas saj, përpara se të vendoset për rritjen e taksave, duhet të shqyrtohen alternativat e mundshme për financimin e politikave sociale.

Shqetësim për afatin e shkurtër të përshtatjes së bizneseve

Një tjetër kundërshtim lidhet me kohën e propozuar për zbatimin e ndryshimeve, të cilat parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027.

AmCham vlerëson se periudha e shkurtër deri në fillimin e vitit të ardhshëm mund t’u vështirësojë kompanive përshtatjen me rregullat e reja, veçanërisht bizneseve që kanë kontrata afatgjata, angazhime financiare dhe plane investimi të hartuara mbi bazën e legjislacionit aktual.

Për investitorët amerikanë dhe ndërkombëtarë, parashikueshmëria fiskale konsiderohet një element i rëndësishëm në vendimmarrjen për të hyrë ose zgjeruar aktivitetin në një treg. Për këtë arsye, organizata kërkon që ndryshimet e rëndësishme të shoqërohen me një kalendar të qartë dhe me afate të arsyeshme kalimtare.

Kërkohet transparencë dhe konsultim përpara miratimit

Në qëndrimin e saj, AmCham kërkon që propozimet fiskale të mbështeten në studime dhe modelime të detajuara, të cilat të bëhen publike dhe të lejojnë vlerësimin e pasojave të pritshme. Ajo kërkon gjithashtu që konsultimi me biznesin të mos mbetet një procedurë formale, por të shërbejë për shqyrtimin real të rekomandimeve dhe alternativave të paraqitura.

Një tjetër çështje e ngritur është përputhshmëria e ndryshimeve me Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, të hartuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian. Sipas AmCham, çdo devijim nga drejtimi dhe afatet e përcaktuara në këtë strategji duhet të shoqërohet me argumente të qarta ekonomike dhe fiskale.

Në përfundim, Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të taksave, të publikojë analizat përkatëse dhe të shqyrtojë fillimisht mundësitë për zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e informalitetit.

Organizata shprehet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë dhe propozime konkrete për një sistem fiskal që siguron të ardhura për buxhetin, ndërsa ruan konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe krijon kushte më të qëndrueshme për investimet dhe punësimin.

Reagimi i plotë:

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) shpreh shqetësimin e saj lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat parashikojnë një rritje të konsiderueshme të barrës tatimore për bizneset dhe ndryshojnë kushtet mbi bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve. Ndryshime të tilla do të dekurajonin gjithashtu investitorët e huaj nga konsiderimi i Shqipërisë për biznese në të ardhmen. AmCham vlerëson se çdo ndryshim i rëndësishëm në politikat fiskale duhet të mbështetet në një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social, në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve të pritshme, si dhe në një proces të mirëfilltë konsultimi me komunitetin e biznesit përpara vendimmarrjes përfundimtare.

Lehtësimi i kostos së jetesës dhe mbështetja e qytetarëve, veçanërisht e familjeve më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve, janë objektiva të rëndësishëm. Megjithatë, arritja e tyre duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e një klime të shëndetshme biznesi, nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Për këtë arsye, AmCham kundërshton që financimi i masave sociale të mbështetet në rritjen e barrës mbi bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmbushin rregullisht detyrimet tatimore, pa u shqyrtuar më parë alternativat e mundshme dhe efektet e ndërhyrjes. Duke marrë parasysh edhe nivelin e nënrealizimit të shpenzimeve buxhetore dhe suficitin e financave publike, çdo rritje e barrës fiskale kërkon një arsyetim të qartë mbi domosdoshmërinë e saj dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave shtesë.

Ndryshimet e propozuara prekin njëkohësisht disa prej elementeve kryesore të sistemit tatimor. Rritja e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, krahas rritjes së disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10% dhe ndryshimeve në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, përbëjnë ndërhyrje me ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik. Këto masa mund të pakësojnë fondet e disponueshme për riinvestim, të ulin kthimin nga kapitali dhe të ndikojnë në kostot e aktivitetit, punësimin dhe planet e zgjerimit të bizneseve. Ndikimi neto në GDP, dhe rrjedhimisht në të ardhurat bruto tatimore, mund të rezultojë më i ulët se sa parashikohet, nëse politika e re pengon zhvillimin e bizneseve.

Ndërkohë, Shqipëria vepron në një mjedis rajonal ku investitorët e huaj krahasojnë kushtet fiskale dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në vende të ndryshme. Rritja e normave tatimore do të dobësojë më tej pozitën tonë konkurruese. Një rënie e investimeve të huaja direkte (FDI) do të ngushtojë potencialin e ekonomisë dhe, si pasojë, do të sjellë efekte negative fiskale afatgjata. Duke pasur parasysh rrezikun që ndryshime të tilla dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion investimi në raport me vendet e tjera të rajonit, presim një vlerësim fiskal dukshëm më të thelluar në mbështetje të këtyre ndryshimeve kaq drastike.

Një shqetësim tjetër lidhet me ndikimin e ndryshimeve të propozuara mbi çmimet e konsumit. Ndërsa vendosja e normës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për një kategori produktesh ushqimore bazë synon të lehtësojë koston e jetesës, rritja e normës standarde nga 20% në 21% dhe e disa normave të reduktuara nga 6% në 10% mund të sjellë rritje të çmimeve për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Në masën që këto rritje transferohen te konsumatorët, shpenzimet shtesë të familjeve mund të zbehin ose të kompensojnë pjesërisht përfitimet e pritshme nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Për më tepër, ulja e normës së TVSH-së nuk garanton në vetvete që përfitimi do të reflektohet plotësisht në çmimet përfundimtare. Për këtë arsye, AmCham kërkon një analizë të ndikimit neto të ndryshimeve mbi çmimet e konsumit, fuqinë blerëse dhe buxhetet familjare, si dhe sqarimin e mekanizmave të monitorimit për të vlerësuar nëse objektivat sociale të synuara do të arrihen realisht.

AmCham vlerëson gjithashtu se financimi i politikave sociale dhe rritja e të ardhurave buxhetore duhet të mbështeten, në radhë të parë, në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e eficiencës së administrimit tatimor, përpara se të konsiderohet rritja e normave tatimore. Rritja e barrës mbi bizneset që deklarojnë dhe përmbushin rregullisht detyrimet e tyre, pa shfrytëzuar më parë potencialin për formalizimin e ekonomisë, rrezikon të rëndojë më tej sipërmarrjet e rregullta dhe të thellojë pabarazitë konkurruese. Për AmCham, zgjerimi i bazës tatimore, zbatimi i barabartë i ligjit dhe lufta efektive kundër informalitetit përbëjnë një qasje më të qëndrueshme për rritjen e të ardhurave publike, financimin e nevojave sociale dhe ruajtjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Shqetësimin tonë e shton edhe mënyra dhe koha e paraqitjes së këtyre propozimeve. Ndryshime me një ndikim kaq të gjerë, të cilat parashikohet të fillojnë të prodhojnë efekte nga 1 janari 2027, u lënë bizneseve një periudhë të kufizuar për të analizuar pasojat dhe për t’u përshtatur. Për ndërmarrjet me investime afatgjata, kontrata të lidhura dhe angazhime financiare, këto ndryshime ndikojnë në vendime të marra mbi bazën e një kuadri fiskal të caktuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë amerikane dhe investitorët ndërkombëtarë, për të cilët stabiliteti dhe parashikueshmëria fiskale janë elemente thelbësore në vlerësimin e një tregu. Ndryshimet e papritura, pa një kalendar të qartë dhe periudha të arsyeshme kalimtare, mund të cenojnë besimin e investitorëve aktualë dhe potencialë.

Në këtë kuadër, projektligjet e propozuara duhet të mbështeten në studime dhe modelime të thelluara fiskale, të komunikuara në mënyrë transparente, dhe më pas t’i nënshtrohen një procesi konsultimi publik real, efektiv dhe gjithëpërfshirës, e jo të trajtohen thjesht si një formalitet procedural. Propozimet me ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e bizneseve duhet t’i nënshtrohen një shqyrtimi të plotë, ku argumentet dhe rekomandimet e komunitetit të biznesit të analizohen dhe të merren në konsideratë përpara miratimit. Një proces i tillë është i domosdoshëm për të përmirësuar cilësinë e politikave fiskale dhe për të shmangur pasoja të padëshiruara për ekonominë.

Për më tepër, është e nevojshme të sqarohet përputhshmëria e ndryshimeve të propozuara me objektivat dhe drejtimin e përcaktuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, të hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë FMN-në dhe BE-në. Çdo ndryshim nga masat apo afatet e parashikuara në këtë kuadër duhet të shoqërohet me argumentim të qartë ekonomik dhe fiskal, duke garantuar koherencën dhe parashikueshmërinë e politikave tatimore.

Në këto rrethana, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të barrës tatimore, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të vlerësojë si alternativë prioritare zgjerimin e bazës tatimore, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike, përpara ndërmarrjes së masave që rrisin normat tatimore. AmCham kërkon gjithashtu një proces të hapur e kuptimplotë konsultimi dhe parashikimin e periudhave të arsyeshme kalimtare përpara se ndryshime të kësaj përmase të merren në konsideratë, e aq më pak të zbatohen.

AmCham mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën dhe rekomandimet e saj konkrete, në funksion të një sistemi fiskal të drejtë, të qëndrueshëm dhe konkurrues, që nxit investimet, mbështet formalizimin dhe krijon kushtet për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.