Me tymuese e pankarta, salla e Kuvendit mes kaosit
Demokratët bllokojnë foltoren, PS kalon me urgjencë projektligjet
Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga tensionet këtë të enjte, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren dhe kanë vijuar protestën brenda sallës, duke kundërshtuar mënyrën se si mazhoranca po zhvillon punimet parlamentare.
Situata është përshkallëzuar pas rifillimit të seancës, kur deputetët opozitarë kanë ndezur tymuese dhe kanë krijuar zhurmë në sallë, duke goditur tavolinat dhe duke ndërprerë vijimësinë normale të diskutimeve.
Në kushtet e tensioneve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi përjashtimin nga seanca plenare të deputetëve demokratë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati dhe Xhelal Mziu.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca socialiste vijoi me procedurat parlamentare. Pas propozimit të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, projektligjet e parashikuara në rendin e ditës u hodhën në votim me urgjencë.
Përplasja mes dy kampeve politike u zhvendos kështu përtej debatit parlamentar, me opozitën që përdori bllokimin e foltores dhe protestën në sallë për të kundërshtuar veprimet e shumicës, ndërsa socialistët vijuan miratimin e nismave përmes votave të tyre.
“Rama, jep dorëheqjen!”/ Demokratët kthejnë Kuvendin në skenë proteste kundër kryeministrit
Thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama kanë jehuar në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët e opozitës kanë kënduar njëzëri një nga sloganet më të përdorura në protestat qytetare kundër qeverisë.
“Rama, jep dorëheqjen!”, kanë thirrur deputetët demokratë, në një moment kur mazhoranca po vijonte votimin e projektligjeve të rendit të ditës.
Ndërsa opozita këmbëngulte në qëndrimin e saj përmes thirrjeve dhe protestës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vijonte të lexonte nenet e nismave që po kalonin për miratim me votat e socialistëve.
Slogani i përdorur nga demokratët lidhet me protestat kundër qeverisë, ku krahas kërkesës për dorëheqjen e Ramës është artikuluar edhe kundërshtimi ndaj klasës politike që ka dominuar vendin gjatë 36 viteve të fundit.
Përplasja në sallë nxori edhe një herë në pah klimën e tensionuar politike, me opozitën që kërkon të imponojë kundërshtimin e saj ndaj mazhorancës, ndërsa kjo e fundit vijon procedurat parlamentare dhe miratimin e projektligjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



