SPAK kërkon 12 vite burg, Gjykata e Lartë cakton datën për Saimir Tahirin
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 10 dhjetor për shqyrtimin e çështjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në qendër të procesit është rekursi i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila kërkon ndryshimin e vendimeve të mëparshme dhe dënimin e tij edhe për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
SPAK kundërshton faktin që Tahiri është dënuar vetëm për shpërdorim detyre. Për dy veprat e tjera penale, prokuroria kërkon një dënim prej 12 vitesh burg.
Si u dënua fillimisht ish-ministri?
Në shkallën e parë, ish-Gjykata për Krime të Rënda e shpalli Tahirin fajtor për shpërdorim detyre dhe e dënoi me pesë vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u reduktua në 3 vite e 4 muaj burg.
Në vendimin fillestar u vendos edhe pezullimi i ekzekutimit të dënimit, duke e kaluar Tahirin në shërbim prove. Ky vendim u kundërshtua nga të dyja palët, si nga SPAK, ashtu edhe nga vetë ish-ministri.
Më pas, Apeli i GJKKO-së rrëzoi pezullimin e dënimit dhe la në fuqi masën prej 3 vitesh e 4 muajsh burg.
Tahiri vuajti një pjesë të dënimit, por u lirua më vonë nga burgu me vendim të Gjykatës së Elbasanit, për shkak të rrethanave familjare dhe kushteve të parashikuara nga ligji.
Tashmë, me shqyrtimin e rekursit më 10 dhjetor, Gjykata e Lartë do të vlerësojë pretendimet e SPAK lidhur me vendimet e mëparshme. Kërkesa e prokurorisë për dënim edhe për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal nuk përbën një vendim përfundimtar fajësie për këto akuza.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



