Skandali! Drejtoresha e Tatimeve, Erilinda Lala, nuk paguan as taksat e veta
Një investigim i emisionit “Fiks Fare” ka ngritur pikëpyetje serioze mbi aktivitetin e një hoteli në Borsh, i cili sipas banorëve të zonës lidhet me familjen e Erilinda Lalës, drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve. Në qendër të investigimit është mënyra e ushtrimit të aktivitetit, pasi nëna e saj, Teuta Lala, pranon të negociojë akomodimin e klientëve pa lëshuar faturë tatimore.
Sipas pamjeve dhe bisedave të transmetuara në emision, bashkëpunëtorët e “Fiks Fare” kanë udhëtuar drejt zonës së Borshit për të verifikuar se kush administron hotelin “Take”. Gjatë komunikimeve me banorët, disa prej tyre kanë përmendur mbiemrin Lala dhe kanë orientuar ekipin drejt strukturës akomoduese, duke e lidhur atë me drejtoreshën e Tatimeve.
Investigimi vijon me takimin e një bashkëpunëtoreje të emisionit me Teuta Lalën, nënën e Erilinda Lalës, e cila konfirmon se ofron dhoma për pushuesit dhe prezanton çmimet e akomodimit. Ajo deklaron se një natë qëndrimi kushton 50 mijë lekë, ndërsa shpjegon se hoteli disponon dhoma me kapacitete të ndryshme, nga dy deri në pesë persona.
Pikërisht gjatë negociatave për rezervimin, biseda merr një tjetër drejtim. Kur bashkëpunëtorja e emisionit ngre çështjen e faturave, Teuta Lala shprehet se mund të mos lëshohet faturë për qëndrimin.
Kjo përgjigje bëhet një nga elementet kryesore të investigimit, pasi aktiviteti lidhet me familjen e personit që drejton institucionin përgjegjës për administrimin dhe mbledhjen e detyrimeve tatimore në vend.
Më tej, bashkëpunëtorja e pyet nëse mund të përgatitet një faturë vetëm për njërin prej klientëve, një pedagog që mund të kërkonte dokumentacion për pagesën. Teuta Lala fillimisht heziton, por më pas pranon se mund të lëshojë një faturë të tillë.
Pagesa pa faturë dhe pazari për çmimin e dhomave
Në takimin e dytë, bashkëpunëtorja e “Fiks Fare” rikthehet në hotel për të lënë një paradhënie dhe për të përfunduar negociatat. Ajo i ofron Teuta Lalës 10 mijë lekë të rinj si kapar, shumë që pranohet dhe numërohet prej saj në prani të kamerës së fshehtë.
Gjatë bisedës, palët diskutojnë edhe për uljen e çmimit. Nga 50 mijë lekë për natë, Teuta Lala pranon ta zbresë tarifën në 45 mijë lekë, me kushtin që pagesa të kryhet pa faturë.
Bashkëpunëtorja e emisionit e konfirmon disa herë marrëveshjen, duke e pyetur nëse qëndrimi do të realizohej pa dokumentacion tatimor. Përgjigjet e marra gjatë komunikimit janë pjesë e pamjeve të publikuara nga emisioni investigativ.
Në këtë mënyrë, investigimi dokumenton një ofertë akomodimi ku vetë personi që administron rezervimet pranon të kryejë pagesa pa lëshuar faturë, ndërsa parashikon mundësinë e përgatitjes së një fature të veçantë për një prej klientëve.
Pikëpyetjet për drejtoreshën e Tatimeve
Rëndësia e këtij rasti lidhet edhe me pozicionin që mban Erilinda Lala në administratën shtetërore. Si drejtuese e institucionit përgjegjës për mbledhjen e taksave dhe kontrollin e zbatimit të legjislacionit tatimor, çdo dyshim për shmangie të detyrimeve fiskale në një aktivitet që lidhet me familjen e saj ngre pikëpyetje që kërkojnë sqarim.
Megjithatë, pamjet e transmetuara dokumentojnë bisedat dhe ofertën për akomodim pa faturë, por nuk përbëjnë në vetvete provë se kush është pronari ligjor i hotelit, në emër të kujt ushtrohet aktiviteti apo nëse janë shmangur konkretisht detyrime tatimore.
Për këtë arsye, mbetet e rëndësishme të verifikohen pronësia, subjekti që administron hotelin, regjistrimi i aktivitetit dhe detyrimet fiskale të tij, si dhe nëse institucionet përgjegjëse do të nisin një kontroll për rastin.
Deri në këto sqarime, investigimi i “Fiks Fare” ka vendosur në qendër të vëmendjes një kontrast që kërkon përgjigje: në njërën anë, drejtimi i institucionit që duhet të garantojë mbledhjen e taksave dhe, në anën tjetër, një aktivitet familjar ku, sipas pamjeve të publikuara, ofrohet shërbim kundrejt pagesës pa faturë.
***
Bisedë mes bashkëpunëtores së emisionit Fiks Fare dhe zonjës Teuta Lala, nëna e drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala
Fiksi – Një pyetje, hoteli është i hapur?
Teuta Lala – Unë jam.
Fiksi – Po mund të flas me ndonjë aty.
Teuta Lala – Pse?
Fiksi – Nuk e dua për sot jo, po ngaqë kemi një agjenci dhe funksionojmë me këto të Kosovës …
Teuta Lala – Edhe unë kam mbaruar (restaurimin) dhe mund t’i sjellësh!
Fiksi – 1, 2 javë kështu, s’e kam caktuar fiks datën, por për nja 10 ditë, 2 javë.
Teuta Lala – Mund t’i sjellësh!
Fiksi – Po si është, si janë çmimet, si mund të procedojmë me the të thashë?
Teuta Lala – Po me ça çmimesh punon ti?
Fiksi – Se di, prandaj erdha.
Teuta Lala – Se unë kam dhoma hoteli, me 50 mijë lekë nata.
Fiksi – Me sa?
Teuta Lala – 50.
Fiksi – Unë do të sjell nja 15 veta. Po dhomat janë teke, dyshe?
Teuta Lala – Po ke për 5, ke për 4, ke për 3, ke për 2.
Fiksi – E po sa mund të më shkojnë mua për 15 veta me mi sistemu, për të ndëjtur 5 ditë?
Teuta Lala – Vetëm dhomat apo edhe ushqimet? Se s’i kam ushqimet, çfarë do të hanë.
Fiksi – Unë vetëm dhomat doja.
Teuta Lala – Vetëm dhomat?
Fiksi – Po, të hanë vetë.
Teuta Lala – 15 dhoma duan … Janë me fatura këto?
Fiksi – Unë s’e kam problem për faturat.
Teuta Lala – Mos t’a presim faturën.
Fiksi – Mos t’a presim, më mirë. Prandaj të thashë shihe vetë dhe më vër një çmim të arsyeshëm, unë s’e kam problem. Se as unë s’e kam me qejf t’a pres faturën.
Teuta Lala – Jo, jo. Prandaj po të them shikoji vetë dhe më thuaj, kaq kam në dorë.
Shohim dhomat
Fiksi – Vetëm do t’më vijë një pedagog.
Teuta Lala – Pedagog me e lënë veç.
Fiksi – Po me e lënë veç. Tani pedagogun e pak çik me merak se mund t’i rrëshqasë goja, të kërkojë ndonjë faturë. Atij mund t’ia nxjerrim faturën?
Teuta Lala – Hhh mundet!
Fiksi – Mund t’ja sajosh 1 faturë?
Teuta Lala – Po.
Fiksi – Se për këta të tjerët s’e kam problem. Vetëm atij.
Teuta Lala – Mirë.
Fiksi – Nëqoftëse vij und do të të lajmëroj, po s’erdhi.
Teuta Lala – Ti vazhdo procedurën.
Fiksi – Kapi rrasi aty.
Teuta Lala – Po.
Takimi i dytë mes bashkëpunëtores së Fiks Fare dhe nënës së drejtoreshës
Fiksi – Para se të nisem të iki për në Tiranë. Të ta lë një paradhënie?
Teuta Lala – Si të duash, si ta kesh ti.
Fiksi – Këtu? T’a jap këtu?
Teuta Lala – Po.
Fiksi – Të ta lë një 100-çe?
Teuta Lala – Po.
Fiksi – Ja numëroji ti.
Teuta Lala – (20, 40, 60, 80, 100).
Fiksi – Më poshtë se 50, s’bëhet?
Teuta Lala – Do më poshtë thua ti?
Fiksi – I thonë 4 net.
Teuta Lala – 4 net do rrini ju?
Fiksi – Po, 4 net pa faturë jena.
Teuta Lala – Me 45.
Fiksi – Me 45?
Teuta Lala – (Pohon me kokë)
Fiksi – Pa faturë, pa asnjë gjë! Në rregull?! Hajde mirupafshim. Në datë 12 ma rezervo, deri në datë i bie të dielën.
Teuta Lala – Mos i ke datat aty (në telefon).
Fiksi – Ja më datë 12 deri në … 1, 2, 3 deri në datë 15.
Teuta Lala – I bie në nëntor.
Fiksi – Po pra në nëntor.
Teuta Lala – Në 9 nëntor.
Fiksi – I bie pas 10 ditësh dhe ti e ke në rregull.
Teuta Lala – Mbasi kam mbaruar (restaurimin).
Fiksi – 12 deri në datë 15, për 15 veta.
Teuta Lala – Po.
Fiksi – Dakord, jena të qartë deri këtu?
Teuta Lala – Po.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



