Arrestohet pronari i “Sante Plus”, dyshohet se fshehu 1 milion euro të ardhura
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut gjatë një operacioni të zhvilluar nga autoritetet vendase, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi abuzimin me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Kara ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet që prej shtatorit të vitit të kaluar, pasi dyshohet se kishte fshehur dhe nuk kishte deklaruar të ardhura në një vlerë që arrin rreth 1 milion euro.
Por çështja ndaj tij nuk lidhet vetëm me dyshimet për fshehje të ardhurash. Gjatë kontrolleve në klinikë, autoritetet kishin konstatuar edhe medikamente që dyshohet se kishin kaluar afatin e përdorimit, por që, sipas dyshimeve të hetuesve, vijonin të përdoreshin nga personeli shëndetësor.
Sipas raportimeve të mediave maqedonase, në të njëjtin operacion janë arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në abuzime me procedurat e ndërhyrjeve kirurgjikale në sy.
Hetimet paraprake dyshojnë se për operacionet e kryera janë përfituar pagesa të dyfishta, si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe drejtpërdrejt nga pacientët. Kjo skemë e dyshuar është tashmë në fokus të hetimeve të autoriteteve maqedonase.
Mes personave të arrestuar raportohet se ndodhet edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila ishte gjithashtu në kërkim nga autoritetet shqiptare prej më shumë se një viti.
Emri i saj lidhet me hetimet pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë, çështje pas së cilës ajo ishte shpallur në kërkim.
Arrestimet në Maqedoninë e Veriut pritet të hapin një fazë të re të bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve, veçanërisht sa i përket procedurave për ekstradimin ose dorëzimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha përmasat e skemës së dyshuar, përfituesit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




