E premte, 30 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Blindohet froni’ i Guvernatorit! As pranga, as kontroll dhe pagat sipas qejfit
Lajme

‘Blindohet froni’ i Guvernatorit! As pranga, as kontroll dhe pagat sipas qejfit

Një ligj i ri për Bankën e Shqipërisë po ndryshon ndjeshëm mënyrën se si ushtrohet kontrolli mbi institucionin më të rëndësishëm monetar në vend. Me 84 vota pro, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore që i japin Bankës së Shqipërisë autonomi më të zgjeruar, vendosin garanci të posaçme procedurale për Guvernatorin, kufizojnë fushën e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe i japin institucionit kompetencën për të përcaktuar vetë politikat e pagave.

Ndryshimet prekin drejtpërdrejt edhe mënyrën se si mund të hetohen drejtuesit e institucionit, në një kohë kur Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Gent Sejko janë përballur me pikëpyetje lidhur me rolin mbikëqyrës në çështjen e mikrokredive.

Guvernatori, mbrojtje e posaçme nga arrestimi dhe kontrollet

Një prej dispozitave më të diskutuara të ligjit të ri lidhet me statusin e Guvernatorit. Sipas parashikimeve, ai përfiton mbrojtje të posaçme procedurale nga arrestimi, masat e tjera që kufizojnë lirinë personale, si dhe kontrollet personale apo të banesës për vepra penale që lidhen me ushtrimin e funksionit.

Në këto raste, procedura parashikon përfshirjen e Kuvendit për të shqyrtuar nëse vepra penale për të cilën kërkohen masat lidhet me ushtrimin e detyrës së Guvernatorit.

Kjo nuk nënkupton imunitet të plotë nga hetimi penal dhe as përjashtim nga përgjegjësia ligjore. Megjithatë, krijon një mekanizëm shtesë procedural që duhet të ndiqet përpara se ndaj drejtuesit të Bankës së Shqipërisë të mund të zbatohen masa të tilla.

Gjatë shqyrtimit parlamentar të kërkesës, Guvernatori parashikohet të vijojë ushtrimin e funksionit të tij.

Mikrokreditë, pikëpyetjet mbi mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë

Këto ndryshime marrin një rëndësi të veçantë në sfondin e dosjes së mikrokredive, ku mijëra qytetarë janë përballur me detyrime financiare, procedura përmbarimore dhe sekuestrime pronash, në kuadër të skemave të dyshuara abuzive.

Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kërkoi vijimin e hetimeve lidhur me rolin e Guvernatorit Gent Sejko dhe të Bankës së Shqipërisë në këtë çështje, duke mos pranuar mbylljen e hetimeve në atë fazë.

Ndërkohë, në shkurt të vitit 2026, dosja u kthye sërish nga GJKKO për plotësim të hetimeve. Në kuadër të procedimit, SPAK ka kryer veprime hetimore dhe ka sekuestruar pajisje elektronike, përfshirë telefona dhe kompjuterë.

Pikërisht në këtë klimë, forcimi i garancive procedurale për Guvernatorin dhe ndryshimi i mekanizmave të kontrollit mbi Bankën e Shqipërisë shtrojnë çështjen e balancës mes autonomisë institucionale dhe llogaridhënies publike.

Pagat dhe shpërblimet, vendimmarrja kalon te vetë Banka

Një tjetër pikë e rëndësishme e ligjit të ri është autonomia financiare në përcaktimin e pagave dhe përfitimeve të drejtuesve dhe punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Sipas ndryshimeve, institucioni nuk do të jetë më i lidhur me të njëjtat politika shpërblimi që zbatohen për administratën publike. Kompetenca për përcaktimin e pagave, shtesave dhe përfitimeve të tjera i kalon Këshillit Mbikëqyrës, me propozim të Guvernatorit.

Parashikohet gjithashtu indeksimi vjetor i pagave bazë sipas inflacionit, ndërsa vendosen kufizime për uljen e pagave dhe përfitimeve financiare të personelit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.

Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë fiton një hapësirë më të madhe për të përcaktuar skemën e shpërblimit të drejtuesve dhe punonjësve të saj, jashtë mekanizmave të zakonshëm të administratës shtetërore.

KLSH-së i ngushtohet fusha e auditimit

Ndryshimet ligjore prekin edhe kompetencat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke përcaktuar më qartë fushat ku mund të ushtrojë auditimin.

KLSH do të vijojë të kontrollojë aspekte të veprimtarisë administrative të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për pajisje, shërbimet mbështetëse dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.

Nga ana tjetër, jashtë fushës së auditimit të tij mbeten vendimet që lidhen me politikën monetare, administrimin e rezervës valutore dhe kategori të caktuara operacionesh financiare.

Pra, institucioni më i lartë i auditimit shtetëror do të ketë një hapësirë më të kufizuar ndërhyrjeje në aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, për shkak të autonomisë që ligji i njeh këtij institucioni.

Qeveria humbet një mekanizëm ndërhyrjeje te Këshilli Mbikëqyrës

Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e pezullimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.

Sipas kuadrit të ri, qeveria nuk do të ketë më të drejtën e mëparshme për të pezulluar anëtarët apo për të propozuar shkarkimin e tyre. Nisma për largimin e një anëtari përpara përfundimit të mandatit do të vijë nga vetë Këshilli Mbikëqyrës, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit.

Ligji ruan gjithashtu funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm, ndërsa parashikon që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të mund të qëndrojnë në detyrë deri në gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.

Në tërësi, ligji i ri zgjeron autonominë e Bankës së Shqipërisë në disa drejtime: nga mbrojtja procedurale e Guvernatorit te përcaktimi i pagave dhe kufijtë e auditimit të jashtëm.

Çështja që mbetet në qendër të debatit është se si do të garantohet transparenca dhe përgjegjshmëria e një institucioni që, ndonëse gëzon pavarësi në ushtrimin e funksioneve të tij, administron një rol thelbësor në sistemin financiar të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.