E premte, 30 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Grabitje spektakolare në Binance, hakerat e Kim Jong-un zbrazin 6.3 miliardë dollarë
Bota

Grabitje spektakolare në Binance, hakerat e Kim Jong-un zbrazin 6.3 miliardë dollarë

Një sulm kibernetik me përmasa të jashtëzakonshme ka tronditur tregun ndërkombëtar të kriptomonedhave, pasi nga portofolet digjitale të Binance dyshohet se janë transferuar rreth 6.36 miliardë dollarë brenda vetëm 20 minutash. Pas operacionit dyshohet se qëndron grupi famëkeq i hakerave TraderTraitor, i lidhur nga autoritetet amerikane me Korenë e Veriut dhe strukturat e regjimit të Kim Jong-un.

Ngjarja ka vënë në pikëpyetje sigurinë e një prej platformave më të mëdha financiare në botë. Ndërsa miliarda dollarë janë zhvendosur në disa rrjete të kriptomonedhave, kompanitë e sigurisë kibernetike dhe aktorët e tregut po përpiqen të identifikojnë adresat ku kanë përfunduar asetet dhe të bllokojnë sa më shumë prej tyre.

Sipas analizës së kompanisë TRM Labs, lëvizja e fondeve është realizuar në dhjetë rrjete të ndryshme, duke përfshirë Bitcoin, Ethereum, Tron dhe Solana. Pjesa kryesore e transfertave është kryer në një interval jashtëzakonisht të shkurtër, çka tregon përgatitjen paraprake dhe koordinimin e sulmit.

36 orë përgatitje për të zbrazur miliardat

Hetimi teknik sugjeron se operacioni nuk ishte një ndërhyrje e improvizuar. Sulmuesit dyshohet se kishin nisur përgatitjet të paktën 36 orë përpara realizimit të transfertave, duke testuar kodin dhe duke përgatitur autorizimet që do t’u mundësonin lëvizjen e fondeve.

Transfertat e para nisën rreth orës 20:05 UTC. Vetëm 15 minuta më vonë, një portofol Bitcoin i lidhur me Binance transferoi 18,270 Bitcoin, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1.47 miliardë dollarësh. Në të njëjtën kohë u zhvendosën edhe shuma të konsiderueshme në asete të tjera digjitale.

Një nga elementët më shqetësues të sulmit lidhet me mënyrën se si u sigurua autorizimi për kryerjen e transaksioneve. Sipas analizës së TRM Labs, hakerat shfrytëzuan 50 autorizime elektronike të përgatitura paraprakisht për të ndërhyrë në një portofol të rrjetit Ethereum. Kjo u dha mundësinë të nisnin transfertat pa pasur nevojë të krijonin autorizime të reja për secilin veprim.

Nga ana tjetër, Binance ka ngritur dyshimin se depërtimi mund të jetë realizuar përmes kompjuterit të komprometuar të një inxhinieri të sistemeve teknike. Kompania ka pranuar se hetimi zbuloi një skemë më të ndërlikuar nga sa ishte menduar fillimisht, ndërsa deri tani nuk është konfirmuar ekspozimi i çelësave privatë të portofoleve.

Gjurmët çojnë te hakerat e Koresë së Veriut

Pista kryesore e hetimit të TRM Labs të çon drejt grupit TraderTraitor, një strukturë e njohur për sulme të mëdha kibernetike dhe që prej kohësh lidhet nga autoritetet amerikane me Korenë e Veriut.

Kompania e analizës së blockchain deklaron se ka një nivel të lartë besueshmërie për përfshirjen e këtij grupi në operacionin ndaj Binance. Megjithatë, përgjegjësia e tij për sulmin e fundit nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet ligjzbatuese.

TraderTraitor është përmendur edhe në hetimet për grabitjen e platformës Bybit në shkurt të vitit 2025, ku u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë në kriptomonedha. FBI e ka identifikuar Korenë e Veriut si përgjegjëse për atë sulm.

Hakerat e lidhur me Phenianin janë akuzuar ndër vite për përdorimin e metodave të ndryshme për të depërtuar në sistemet financiare, përfshirë identitete të rreme, oferta mashtruese punësimi dhe programe kompjuterike të infektuara.

Përmasat e operacionit ndaj Binance e bëjnë atë një nga rastet më të mëdha të raportuara të vjedhjes së aseteve digjitale. Nëse pista e TraderTraitor konfirmohet, hetuesit do të duhet të zbardhin edhe destinacionin përfundimtar të shumave të grabitura dhe lidhjet e mundshme me financimin e aktiviteteve shtetërore të Koresë së Veriut.

Miliardat nisin të ngrihen, por një pjesë mbetet në duart e hakerave

Pas identifikimit të lëvizjeve të dyshimta, në përpjekje për të kufizuar dëmin janë përfshirë disa prej kompanive kryesore të industrisë së kriptomonedhave, mes tyre Tether, Circle dhe Ripple.

Sipas të dhënave të publikuara nga Elliptic, deri në mëngjesin e 30 tetorit ishin bllokuar rreth 2.84 miliardë dollarë. Ndërkohë, Binance ka deklaruar se vlera e fondeve të ngrira kishte arritur afërsisht në 3 miliardë dollarë.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e aseteve vazhdon të jetë jashtë kontrollit të kompanive që mund të ndërhyjnë për ngrirjen e tyre. Sipas TRM Labs, vetëm në Bitcoin dhe Ethereum, sulmuesit zotëronin rreth 2.4 miliardë dollarë në fonde që nuk mund të bllokohen drejtpërdrejt nga emetuesit e këtyre kriptomonedhave.

Për t’i shpëtuar gjurmimit, hakerat dyshohet se po i konvertojnë asetet dhe po i shpërndajnë në adresa të shumta, duke shfrytëzuar edhe platformat e decentralizuara. Disa prej lëvizjeve janë lidhur nga ekspertët me adresa të përdorura në sulme të mëparshme, përfshirë atë ndaj Bitget.

Ndërkohë, Binance ka marrë masa kufizuese për tërheqjet në disa rrjete dhe ka deklaruar se do të mbulojë humbjet e klientëve me fondet e veta. Kompania ka këmbëngulur se asetet e përdoruesve janë të sigurta, por rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e kontrollit dhe sigurisë së platformës.

Sulmi ndaj Binance rikthen në vëmendje një prej rreziqeve më të mëdha të ekonomisë digjitale: edhe platformat që menaxhojnë shuma kolosale mund të ekspozohen ndaj ndërhyrjeve që shkaktojnë humbje të jashtëzakonshme brenda pak minutash.

Ndërsa hetimet vijojnë, mbeten për t’u zbardhur mekanizmi i plotë i depërtimit, përgjegjësit e sulmit dhe destinacioni i miliardave që ende nuk janë bllokuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.