Pas ndërhyrjes së Gjykatës së Apelit, merr fund bojkoti i avokatëve
Bojkoti i avokatëve merr fund pas ndërhyrjes së Gjykatës Administrative të Apelit. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka deklaruar përfundimin e bojkotit, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë zbatimin e vendimit të marrë më herët nga Këshilli.
Në një deklaratë për mediat, Haxhia bëri të ditur se Këshilli do t’i bindet vendimit gjyqësor, por kjo nuk do të thotë se tërhiqet nga qëndrimi i mbajtur për bojkotin. Ai këmbënguli se vendimmarrja e mëparshme nuk ka qenë e gabuar, pavarësisht ndërhyrjes së gjykatës.
Haxhia: Nuk kemi marrë vendim të gabuar
Duke shpjeguar qëndrimin e Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia u shpreh:
“Jemi përpara një vendimi të marrë nga Apeli Administrativ, i cili ka pezulluar ecurinë e bojkotit të marrë nga ky Këshill. Ne i qëndrojmë këtij vendimi, nuk kemi marrë asnjë vendim të gabuar. Nisur nga ky vendim, deklarojmë përfundimin e bojkotit, pasi jemi përballë vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.”
Kështu, vendimi i gjykatës i hap rrugë rifillimit të aktivitetit të avokatëve, ndërsa përplasja lidhur me vendimin e Këshillit dhe arsyet që çuan në bojkot mbetet një çështje më vete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



