President “Sheqeri” cakton datën e zgjedhjeve nën patronazhin e “Liderit Global”
Presidenti i Republikës ka dekretuar 9 majin 2027 si datën zyrtare për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Vendimi vjen pas konsultimeve me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, por jo të gjitha forcat politike iu përgjigjën thirrjes së Presidencës.
Sipas njoftimit zyrtar, në konsultime morën pjesë përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërkohë, subjektet e tjera politike zgjodhën të mos marrin pjesë dhe nuk paraqitën asnjë preferencë për datën e votimit.
Propozimi për 9 majin erdhi nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili argumentoi se zgjedhja e së dielës së fundit të periudhës zgjedhore të pranverës u jep institucioneve më shumë kohë për të përgatitur procesin. Edhe Partia Socialdemokrate shprehu mbështetjen për këtë datë.
Kodi Zgjedhor përcakton se zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen brenda periudhës së pranverës, e cila përfshin katër të diela nga 15 prilli deri më 15 maj. Me dekretimin e datës 9 maj, vendimi merr tashmë fuqi juridike.
Në njoftimin e Presidencës theksohet se caktimi i kësaj date nuk synon të favorizojë asnjë forcë politike dhe nuk lidhet me ndonjë ndikim mbi vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Kreu i shtetit u ka bërë thirrje partive politike që të marrin pjesë në garë me kandidatë, platforma dhe alternativa konkrete. Ai kërkon gjithashtu që procesi të jetë i drejtë dhe konkurrues, me respektim të kuadrit ligjor, barazi mes palëve dhe bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kështu, data e zgjedhjeve vendore është përcaktuar: 9 maji 2027. Tashmë vëmendja kalon te përgatitjet për garën politike dhe pozicionimi i partive përballë sfidës së radhës elektorale.
Njoftimi i plotë:
Sot, Presidenti i Republikës dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela midis datës 15 prill dhe 15 maj.
Për caktimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti i Republikës thirri në konsultë gjithë faktorin politik që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve si përfaqësues i organit përgjegjës për zgjedhjet në Shqipëri. Thirrjes në konsultë iu përgjigj Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Subjektet e tjera preferuan t’i qëndrojnë larg konsultës, sikurse nuk bënë publik asnjë parapëlqim partiak lidhur me datën e zgjedhjeve.
Subjektet e përfshira në konsultë u treguan të hapur për secilën zgjidhje. Komisioneri sugjeroi datën 9 maj 2027, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese. Partia Socialdemokrate gjithashtu parapëlqen këtë datë.
Data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës i dha forcë juridike datës 9 maj 2027.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik; palët të zhvillojnë një proces konkurrues të drejtë, të përkushtuar e luajal, të respektojnë me vetëdije të spikatur kuadrin ligjor dhe barazinë e armëve, si dhe të bashkëpunojnë pa rezerva me KQZ-në për zhvillimin e një procesi shembullor dhe në përputhje me standardet më të larta për një shoqëri demokratike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



