E premte, 30 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BE mesazh politikës shqiptare: Pakënaqësitë nuk zgjidhen me dhunë
Bota

BE mesazh politikës shqiptare: Pakënaqësitë nuk zgjidhen me dhunë

Dhuna e shfaqur gjatë protestave të fundit në Tiranë është e papranueshme dhe pakënaqësitë e qytetarëve duhet të marrin përgjigje përmes institucioneve demokratike. Ky ishte mesazhi i ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila reagoi pas përshkallëzimit të situatës në kryeqytet.

Gjatë një deklarate për mediat në Elbasan, diplomatja evropiane theksoi se shkatërrimi i pronës publike dhe private nuk mund të jetë mënyrë për të shprehur pakënaqësitë, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të dëgjojnë qytetarët dhe t’u japin përgjigje shqetësimeve të tyre.

“Kjo nuk duhet të ndodhë në shtetet demokratike. Kjo nuk duhet të ndodhë në vende ku mbrojmë demokracinë tonë. Nuk duhet të ketë dhunë në rrugë. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të trajtohen dhe është e domosdoshme të trajtohen brenda institucioneve demokratike, të cilat, nga ana e tyre, kanë detyrën, kapacitetin dhe duhet të dëshmojnë se janë në gjendje t’u përgjigjen këtyre pakënaqësive”, deklaroi De Sousa.

Apel për politikën, institucionet dhe qytetarët

Ambasadorja nënvizoi se përgjegjësia për të parandaluar përshkallëzimin e situatave nuk u takon vetëm institucioneve, por të gjithë aktorëve shoqërorë. Sipas saj, politikanët, nëpunësit civilë dhe qytetarët duhet të angazhohen për të forcuar funksionimin e institucioneve demokratike.

“Kemi mjaft punë për të bërë të gjithë: politikanët, nëpunësit civilë dhe qytetarët në përgjithësi, për të forcuar kapacitetin e institucioneve demokratike që t’u përgjigjen këtyre pakënaqësive, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet në dhunë në rrugë”, u shpreh ajo.

De Sousa ndaloi edhe te roli i të rinjve dhe shoqërisë civile, duke theksuar nevojën për t’i përfshirë më shumë në jetën demokratike dhe për t’u shpjeguar mënyrat institucionale për të kërkuar zgjidhje.

“Duhet të angazhohemi me të rinjtë, me shoqërinë civile, me të gjithë, për t’i përfshirë dhe për t’u shpjeguar rregullat e lojës së demokracisë. Nuk mund t’i trajtojmë këto pakënaqësi duke shkatërruar pronën publike dhe private dhe duke cenuar rendin dhe qetësinë publike”, deklaroi ambasadorja.

Ajo kujtoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave demokratikë në nivel vendor, përmes të cilëve qytetarët mund të shprehin shqetësimet dhe bindjet e tyre.

Mazzeo: Protesta paqësore është plotësisht legjitime

Edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, dënoi dhunën dhe theksoi se protestat paqësore janë një instrument legjitim i shprehjes politike.

“Protesta paqësore është një mjet plotësisht legjitim dhe demokratik përmes të cilit qytetarët duhet të kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre”, u shpreh Mazzeo.

Ai u bëri thirrje si institucioneve, ashtu edhe protestuesve, të tregojnë përgjegjshmëri dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Sipas tij, qëndrueshmëria e demokracisë nuk matet vetëm nga aftësia për të garantuar rendin publik, por edhe nga mënyra se si institucionet mbrojnë pluralizmin politik, përfaqësimin demokratik dhe besimin e qytetarëve.

Deklaratat u bënë pas takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri në Elbasan, ku në fokus ishte roli i pushtetit vendor në procesin e integrimit evropian.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.