Artan Hoxha “zbërthen” prapaskenat e transferimit të Veliajt në burgun e Fierit
“Ishte mesazh nga Rama për të vetët, që mos t’i dalin nga rreshti”
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u organizua lëvizja dhe mesazhin që, sipas tij, kryeministri Edi Rama synonte të përcillte përmes këtij veprimi.
Gjatë një prononcimi në emisionin e News 24, Hoxha e interpretoi transferimin jo thjesht si një procedurë administrative, por si një sinjal politik drejtuar brenda Partisë Socialiste. Sipas tij, ajo që ndodhi me Veliajn kishte për qëllim të shërbente si paralajmërim për të gjithë ata anëtarë të mazhorancës që kanë shfaqur pakënaqësi apo kanë guxuar të kërkojnë llogari ndaj kreut të qeverisë.
Gazetari pretendoi se mënyra se si u zhvillua ngjarja, veçanërisht prania e kamerave gjatë momentit kur familjarët e Veliajt ndodheshin pranë tij, nuk ishte e rastësishme. Ai e krahasoi skenën me një formë presioni mafioz, duke argumentuar se ekspozimi publik i bashkëshortes, nënës dhe fëmijës së mitur të kryebashkiakut synonte të përcillte një mesazh frikësues për të tjerët.
Hoxha solli në vëmendje edhe rastin e arrestimit të Ilir Metës, duke ngritur të njëjtën pikëpyetje: si ndodh që kamerat ndodhen në vendin e duhur pikërisht në momentet kur zhvillohen ngjarje të tilla?
Sipas gazetarit, mesazhi nuk i drejtohej vetëm Veliajt, por edhe figurave të tjera socialiste që mund të kenë menduar se pozitat e Ramës brenda partisë po dobësohen. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe Toni Gogun, duke pretenduar se zhvillimet e fundit përbëjnë një paralajmërim për këdo që mund të dalë kundër vijës së kryeministrit.
Një tjetër element që Hoxha vuri në diskutim ishte vetë procedura e transferimit në Fier. Ai deklaroi se, nga komunikimet që pretendoi se kishte pasur me autoritetet e burgjeve, kishte mësuar se lëvizja ishte kërkuar me urgjencë dhe se, sipas informacionit të tij, nuk ishte paraqitur një shkresë zyrtare në momentin e kërkesës.
Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi zgjedhjen e institucionit të vuajtjes së dënimit dhe ndikimin që, sipas tij, kanë persona të caktuar në zonën ku ndodhet burgu i Fierit. Ai theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe jo të SPAK-ut, duke vënë në diskutim përgjegjësinë institucionale për këtë vendimmarrje.
Në analizën e tij, Hoxha e lidhi këtë zhvillim edhe me përplasjet politike që mund të shoqërojnë periudhën përpara zgjedhjeve vendore. Sipas tij, Veliaj mbetet një faktor që mund të ndikojë në zhvillimet brenda Bashkisë së Tiranës, edhe pse ndodhet në paraburgim. Ai pretendoi se përplasja mes kryebashkiakut dhe kryeministrit mund të thellohet, ndërsa përmendi edhe largimet e fundit të disa drejtuesve nga detyrat e tyre.
Hoxha bëri dallimin mes situatës së Veliajt dhe asaj të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke nënvizuar se ky i fundit ka mundësinë të bëjë publike denoncimet e tij nga jashtë vendit, ndërsa Veliaj ndodhet në burg dhe ka shumë më pak mundësi për të reaguar publikisht.
Në përfundim, gazetari e cilësoi transferimin e kryebashkiakut një zhvillim me domethënie politike dhe e përsëriti pretendimin se trajtimi i tij synon të shërbejë si shembull për socialistët e tjerë që mund të sfidojnë autoritetin e Edi Ramës.
“Ajo që ndodhi me Erion Veliajn ditën e djeshme është domethënëse. Unë jam një njeri që kam bërë betejë me Erion Veliajn. Nuk di të ketë sulmuar njeri aq fort sa unë, por ajo që bëri dje Edi Rama nuk ishte një mesazh vetëm për Erion Veliajn. Ajo që bëri Edi Rama ishte një kërcënim tipik mafioz. Mafia dhe krimi i organizuar e dinë ku të të prekin për të të thënë: ‘Mblidh mendjen para se të të vrasin’. Të prekin te familja, te nëna, te gruaja, te fëmija. Unë dje i pashë të gjithë këta elementë dhe u lejuan kamerat të filmonin pikërisht këtë skenë. Nëse Edi Rama nuk do të kishte gisht në atë që ndodhi dje, si u lejuan kamerat të ishin aty?
Kur pamë nënën e Erion Veliajt, bashkëshorten e tij dhe foshnjën e tij, pamë një skenë që, sipas meje, përcillte një mesazh kërcënues. Erion Veliaj mund të ketë një mijë gjëra për të sqaruar, por atë lloj kërcënimi ta bën vetëm mafia. Dhe ai kërcënim nuk ishte vetëm për Erion Veliajn, por për të gjithë ‘Erionët’ e tjerë të Partisë Socialiste, që këto kohë kanë menduar se Edi Ramës po i rrëshqet këmba. Edi Rama dje u tha të gjithë njerëzve të tij, atyre që kërkuan llogari, përfshirë Toni Gogun, se do t’ua bëjë si Erion Veliajt dhe se, kur ia bën këtë kryebashkiakut të kryeqytetit, me të cilin ka ndarë mbi 20 vite pushtet, nuk pyet askënd tjetër. Ky kërcënim ishte për të gjithë socialistët: nëse guxoni të dilni nga rreshti, do t’jua bëj si Erion Veliajt. Nënat, gratë dhe fëmijët tuaj do të përfundojnë duke ju vizituar në burg.
Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rëndë. Si u gjendën kamerat pikërisht në atë moment? Kush e dinte se çfarë do të ndodhte? E njëjta pyetje lind edhe për rastin e arrestimit të Ilir Metës. Si u gjendën kamerat aty dhe kush e dinte se ai do të arrestohej në atë moment? Ajo që ndodhi dje është shumë e rëndë. Kur shoh se në Partinë Socialiste kanë heshtur të gjithë pas asaj që iu bë Erion Veliajt, kuptoj se mesazhi nuk ishte vetëm për të. Sot po hyjmë në një periudhë zgjedhjesh dhe Erion Veliaj kthehet në një pengesë të madhe për kryeministrin, duke kërkuar të kontrollojë bashkinë nga burgu. Ai po i hap një gropë të madhe kryeministrit. Nga ana tjetër, Rama bëri edhe dy shkarkime të tjera, duke larguar njerëzit e tij. Këtë gjë Erion Veliaj nuk do t’ia falë. Megjithatë, Erion Veliaj është në një situatë krejt tjetër. Ai është në burg dhe nuk është në pozicionin e Arben Ahmetajt, i cili bën denoncime nga jashtë. Erion Veliaj sot e ka kuptuar se nga i ka ardhur kjo situatë dhe kush ia ka krijuar.
Edhe transferimi i tij, po atë ditë, ngre pikëpyetje. Unë kam komunikuar me autoritetet e burgjeve dhe, sipas informacionit që mora, nuk kishte asnjë shkresë zyrtare. Ata kishin shkuar në burgun e Durrësit dhe kishin kërkuar që ta merrnin menjëherë, me urgjencë. Më pas, Veliaj u transferua atje, ndërsa edhe persona të tjerë u grumbulluan në të njëjtin burg. Ne e dimë se kush e kontrollon atë qark dhe kush ka përgjegjësi për institucionet atje. Pra, çfarë po bën kryeministri? Erion Veliajn nuk e ka çuar SPAK-u atje, por Drejtoria e Burgjeve, e cila është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Do të donim që Erion Veliaj të bëhej aktiv, por atje ku e kanë çuar, mund të negociojë vetëm për supën e burgut. Unë kam thënë se është i marrë peng. Me atë që i bëri dje Edi Rama, Veliaj është kthyer në një shembull për të gjithë të tjerët: guxoni të dilni nga rreshti dhe do të përfundoni si Erion Veliaj, bashkë me familjen tuaj”, deklaroi Artan Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



