E premte, 30 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama “fut hundët” edhe te fëmijët: Do jenë në shkollë deri në 17:00
Lajme

Rama “fut hundët” edhe te fëmijët: Do jenë në shkollë deri në 17:00

Kryeministri prezanton paketën e re të masave për familjet dhe arsimin

Paralajmëron konsultime për vendosjen e kufirit të moshës në përdorimin e platformave sociale.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa masa që, sipas tij, do të përfshihen në politikat e reja të qeverisë, duke prekur mbështetjen financiare për familjet me fëmijë, studentët në vështirësi ekonomike dhe organizimin e jetës shkollore. Paralelisht, kreu i qeverisë njoftoi nisjen e një konsultimi publik për mundësinë e kufizimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.

Gjatë një takimi të Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama bëri të ditur se bonusi i bebes pritet të ndryshojë formë, duke u kthyer në një skemë mbështetjeje mujore për fëmijët. Sipas tij, kjo ndërhyrje synon të ndihmojë në mënyrë të vazhdueshme familjet që kanë në përbërjen e tyre fëmijë të mitur.

Bonusi i bebes, nga pagesë e vetme në mbështetje mujore

Një nga ndryshimet e paralajmëruara lidhet me transformimin e bonusit të bebes në një pagesë të rregullt mujore. Rama tha se masa është parashikuar në buxhetin e ri dhe synon të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat e familjeve.

Kryeministri përmendi gjithashtu skemën aktuale të subvencionimit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për nënat e papuna që rrisin fëmijë të mitur dhe janë kryefamiljare, por pranoi se kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme.

Një tjetër premtim financiar iu drejtua studentëve nga familjet me të ardhura të ulëta. Sipas Ramës, ndihma ekonomike për këtë kategori do të rritet më shumë se dyfish, duke arritur në nivelin e gjysmës së pagës minimale.

Shkolla deri në orën 17:00, qeveria parashikon buxhet të posaçëm

Një ndryshim tjetër që pritet të nisë nga viti i ardhshëm është zgjatja e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkollë. Rama deklaroi se synimi është që nxënësit të qëndrojnë në ambientet shkollore deri në orën 17:00, ndërsa për këtë qëllim është parashikuar një fond i posaçëm.

Sipas kryeministrit, kjo nismë do t’u japë mundësi prindërve të vijojnë punën, ndërsa fëmijët do të kenë më shumë kohë për aktivitete të organizuara jashtë orarit mësimor.

Në këtë kuadër, ai përmendi zgjerimin e veprimtarive sportive, kulturore dhe artistike, duke përfshirë pikturën, artin, filmin, fotografinë dhe zejet.

Kufizime për rrjetet sociale, në diskutim mosha 16 apo 18 vjeç

Në fokus të deklaratave të Ramës ishte edhe ndikimi i platformave sociale te fëmijët dhe adoleshentët. Kryeministri e cilësoi izolimin që, sipas tij, po nxitet nga përdorimi i rrjeteve sociale si një rrezik për ndërveprimin njerëzor dhe bashkëjetesën demokratike.

Ai njoftoi se qeveria do të hapë një proces konsultimi me prindërit, mësuesit dhe institucionet arsimore për të diskutuar kufizimin e aksesit të të miturve në këto platforma.

Në tryezë pritet të diskutohet edhe vendosja e një kufiri moshe, me dy alternativa të përmendura nga Rama: 16 ose 18 vjeç. Megjithatë, në këtë fazë nuk është bërë e ditur ndonjë vendim përfundimtar, por vetëm nisja e konsultimeve për mundësinë e vendosjes së kufizimeve.

Kryeministri iu referua edhe përvojës së mëparshme me TikTok-un, duke paralajmëruar se qeveria do të ndjekë një proces të ngjashëm diskutimi për këtë çështje.

“Ne sot kemi një subvencionim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat e papuna që rrisin fëmijë të mitur dhe që janë kryefamiljare, por nuk mjafton. Në buxhetin e ri kemi vendosur që bonusin e bebes ta transformojmë në një skemë mbështetjeje të rregullt për fëmijët çdo muaj, që të ndikojmë në të ardhurat e familjeve që kanë një fëmijë më shumë.

Kemi vendosur të rrisim më shumë se dyfish mbështetjen financiare për studentët që vijnë nga familjet në nevojë, e cila do të shkojë në nivelin e gjysmës së pagës minimale. Mbi të gjitha, unë besoj shumë fort që kjo situatë e re, e gatuar me vite në Europë dhe në Shqipëri, si rezultat i arsyeve që janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët.

Duhet hapur debati se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve, deri në çfarë kufiri moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Ne do të fillojmë një konsultim, siç bëmë në rastin kur na u desh të kufizonim TikTok-un. Do të fillojmë një diskutim me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit.

Puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile të interesuar për këtë pjesë, për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura dhe në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, me artin, filmin dhe fotografinë e me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të punojnë dhe fëmijët të jenë në mjediset e shkollës deri në 17:00 pasdite”, tha Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.