E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rikthehet kriza energjetike në Europë/ Çmimi i gazit kalon 100 euro, bien rezervat
Bota

Rikthehet kriza energjetike në Europë/ Çmimi i gazit kalon 100 euro, bien rezervat

Europa po përballet sërish me rritjen e kostove të energjisë, ndërsa shtrenjtimi i gazit natyror dhe energjisë elektrike po shton shqetësimet për një valë të re inflacioni. Në një kohë kur familjet dhe bizneset përballen me kosto gjithnjë e më të larta, vendet e Bashkimit Europian vijojnë të jenë të ndara për masat që duhen ndërmarrë për të frenuar krizën.

Çmimi i gazit natyror në bursën europiane TTF kaloi përkohësisht 100 euro për megavat-orë më 28 tetor, duke shënuar nivelin më të lartë që prej dhjetorit 2022. Ndërkohë, energjia elektrike ka kaluar kufirin e 200 eurove për megavat-orë.

Rritja e çmimeve të energjisë po reflektohet drejtpërdrejt edhe në inflacion. Sipas të dhënave të Eurostat, inflacioni vjetor në eurozonë dhe në Bashkimin Europian arriti në 3.8% në shtator, nga 3.2% që ishte një muaj më parë. Në sektorin e energjisë, rritja e çmimeve në eurozonë regjistroi 18.9%.

Përtej faturave më të larta të energjisë, kjo situatë po rëndon edhe sektorin e prodhimit dhe transportit, duke rritur kostot për bizneset dhe çmimet për konsumatorët. Shqetësuese paraqitet situata edhe në Greqi, ku 27.5% e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social gjatë vitit 2025, ndërsa 18.1% e qytetarëve nuk kishin mundësi financiare të mbanin banesat e tyre mjaftueshëm të ngrohta.

Një tjetër sinjal alarmi vjen nga rezervat europiane të gazit, të cilat aktualisht vlerësohen në rreth 73%, krahasuar me 90% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht se konsumi është më i ulët se në vitin 2022, Europa mbetet e ekspozuar ndaj tensioneve gjeopolitike dhe vështirësive në transportin ndërkombëtar të gazit.

Ndërkohë, ministrat e Energjisë të vendeve anëtare nuk arritën një marrëveshje konkrete në takimin e fundit në Luksemburg. Në tryezë është propozimi i Komisionit Europian për ndryshimin e taksimit të energjisë dhe tarifave të rrjetit, me synimin për ta bërë energjinë elektrike më konkurruese në raport me gazin natyror.

Spanja, Danimarka dhe Luksemburgu mbështesin propozimin, ndërsa Franca kërkon një kompromis. Greqia, nga ana tjetër, kërkon më shumë fleksibilitet për të zbatuar masa të përkohshme në mbështetje të familjeve dhe bizneseve.

Negociatat pritet të vijojnë deri në dhjetor, ndërsa mungesa e një qëndrimi të përbashkët rrezikon të zgjasë pasigurinë në tregjet europiane. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të përcaktuar nëse Europa do të arrijë të frenojë rritjen e kostove apo do të përballet me një tjetër periudhë shtrenjtimi të jetesës.

 

 

 

 

 

 

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.