Kë takoi Ergys Agasi në Tregun e Suel Çelës në Elbasan, para arrestimit në Durrës?
Dronët e ndoqën për orë të tëra, nga kompleksi i vilave te takimi 5-orësh në Elbasan dhe prangat te ‘Plepat’
Tetë muaj në arrati dhe një operacion i mirëorganizuar që përfundoi në zonën e Plepave në Durrës. Arrestimi i Ergys Agasit, një prej personazheve më të përfolur në dosjet që lidhen me AKSHI-n dhe marrëdhëniet e dyshuara mes krimit të organizuar dhe pushtetit, është rikthyer në vëmendje përmes një dokumentari të emisionit investigativ “Në Shënjestër”.
Materiali rindërton me detaje itinerarin e Agasit më 27 gusht 2026, orët e fundit para arrestimit, ndjekjen me dron nga autoritetet dhe praninë e ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, në timonin e automjetit Audi A6 ku udhëtonte personi i shpallur në kërkim.
Sipas të dhënave hetimore të paraqitura në emision, Agasi ishte mbajtur nën vëzhgim për disa orë, ndërsa lëvizjet e tij nga Tirana drejt Elbasanit dhe më pas në drejtim të Durrësit ishin dokumentuar nga strukturat e posaçme. Autoritetet kishin pritur momentin kur të kishin informacion të saktë për vendndodhjen e tij, për të ndërhyrë pa i lënë mundësi largimi.
Por ajo që e bën edhe më të veçantë këtë episod është personi që drejtonte makinën. Bëhet fjalë për Uljan Shpatarakun, ish-zyrtar policie dhe ish-këshilltar në strukturat e teknologjisë dhe informacionit të Policisë së Shtetit, i cili përfundoi në pranga së bashku me Agasin.
Dokumentari sjell edhe dy versione që bien në kundërshtim me njëri-tjetrin: dëshminë e pronarit të Audi-t, i cili pretendon se Shpataraku kishte shkuar për ta blerë automjetin, dhe shpjegimin e këtij të fundit, sipas të cilit makinën ia kishte marrë një personi që e njihte vetëm me emrin Tomi.
Nga kompleksi i vilave në Tiranë te Elbasani, lëvizjet që zbuluan vendndodhjen e Agasit
Sipas dokumentacionit hetimor të prezantuar në emision, mëngjesin e 27 gushtit, Agasi u konstatua në ambientet e një kompleksi vilash që lidhet me Ervis Doçin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe organizatë kriminale.
Ora 11:39 shënon momentin e parë të dokumentuar nga vëzhgimi ajror. Një person, që dyshohej të ishte Ergys Agasi, u pa duke dalë nga ambientet e katit të dytë të kompleksit. Ai qëndroi brenda deri rreth mesditës, përpara se të largohej si pasagjer në një automjet tip Audi A6 të zi.
Në orën 11:59, automjeti ishte konstatuar duke hyrë në kompleks, ndërsa vetëm tre minuta më vonë, në orën 12:02, doli prej andej me një person të veshur me bluzë të bardhë në sediljen e parë, i cili dyshohej se ishte Agasi.
Nga ai moment, automjeti me targë AB323JK u mbajt nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Sipas itinerarit të rindërtuar nga hetuesit, makina kaloi në drejtim të Shkozetit dhe Plepave, për të vijuar më pas drejt Elbasanit. Në orën 13:35, Audi mbërriti në zonën e Tregut Agroushqimor, pranë rrugës “Kadri Hoxha”, ku qëndroi për afro pesë orë.
Ky treg, sipas materialit të emisionit, është në pronësi të babait të Suel Celës, një tjetër personazh i njohur në dosjet që lidhen me krimin e organizuar në Elbasan.
Dokumentari nuk jep një përgjigje se çfarë ka ndodhur gjatë qëndrimit të Agasit në ambientet e tregut, por konfirmon se policia e kishte lokalizuar automjetin dhe po priste momentin e duhur për të ndërhyrë.
Në orën 18:16, Audi u konstatua duke dalë sërish në rrugën “Kadri Hoxha” dhe nisi udhëtimin e kthimit në drejtim të Durrësit.
Operacioni në Plepa, policia simuloi një aksident për të bllokuar makinën
Pas daljes nga Elbasani, ndjekja vijoi përgjatë aksit rrugor drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Kavajës, deri në afrimin me Durrësin.
Sipas rindërtimit të paraqitur në “Në Shënjestër”, ndërhyrja ishte planifikuar në zonën e Plepave, ku autoritetet kishin organizuar një situatë me automjete civile, duke krijuar një pengesë në rrugë për të ndaluar Audin.
Kjo skemë synonte t’u hiqte dy personave çdo mundësi për t’u larguar përpara ndërhyrjes së forcave të policisë.
Pas bllokimit të automjetit, kontrollet zbuluan se në sediljen e parë ndodhej Ergys Agasi, ndërsa në timon ishte Uljan Shpataraku.
Operacioni u finalizua në bashkëpunim mes Policisë së Durrësit, strukturave operacionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut, nën emrin e koduar “The Wanted”.
Agasi u dërgua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u mor në pyetje nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Dëshmia e pronarit të Audi-t: Shpataraku erdhi për ta blerë për 15 mijë euro
Një tjetër element i rëndësishëm i dokumentarit është mënyra se si automjeti përfundoi në përdorim të Shpatarakut.
Pronari i Audi A6, i identifikuar me inicialet Kadri G., i cili zotëron një biznes për tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve në Shijak, ka dhënë një version që bie ndesh me deklarimet e ish-zyrtarit të policisë.
Sipas dëshmisë së tij, më 24 gusht 2026, rreth orës 15:00, Shpataraku ishte paraqitur në biznesin e tij dhe kishte shfaqur interes për blerjen e automjetit.
Pronari deklaroi se e kishte njohur Shpatarakun nga televizioni dhe se i kishte dhënë makinën për ta provuar, pasi ky i fundit i kishte thënë se do ta dërgonte në servis për kontroll teknik.
Marrëveshja, sipas tij, parashikonte një pagesë prej 15 mijë eurosh dhe kryerjen e procedurave noteriale pas verifikimit të automjetit.
Megjithatë, pronari pretendon se nuk e mori më automjetin dhe se e pa atë vetëm në pamjet televizive të arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut.
Ai mohoi gjithashtu të kishte njohje me dy personat.
Shpataraku: Agasin e mora rastësisht në rrugë, më tha se quhej Berti
Përpara hetuesve, Uljan Shpataraku dha një version krejt tjetër për udhëtimin me personin e shumëkërkuar.
Ai pretendoi se kishte shkuar në Durrës për shkak të gjendjes shëndetësore të djalit të tij, i cili kishte temperaturë të lartë dhe ndodhej në banesën e gjyshit nga nëna, në zonën e Kënetës.
Të nesërmen, sipas deklarimit të tij, ishte nisur drejt Elbasanit për të takuar dy miq dhe për të pirë kafe me ta.
Gjatë kthimit, në rrugën e vjetër të Elbasanit, një person i kishte bërë shenjë dhe ai kishte vendosur ta merrte në makinë.
Shpataraku pretendoi se nuk e kishte njohur Agasin dhe se pasagjeri i ishte prezantuar me emrin Berti, duke i thënë se merrej me dyer alumini.
Ai dha edhe një shpjegim për pamjen e personit që kishte marrë në automjet, duke pretenduar se Agasi kishte mjekër, mbante kapele dhe shapka, çka sipas tij e kishte bërë të pamundur identifikimin.
Në dëshminë e tij, ish-zyrtari deklaroi se nuk kishte pasur dijeni që personi që udhëtonte pranë tij ishte në kërkim nga drejtësia.
Një pretendim që bie në kontrast me profilin publik të Agasit dhe me faktin se Shpataraku kishte ushtruar më parë funksione drejtuese në Policinë e Shtetit.
Kontradikta për makinën: Një version nga pronari, një tjetër nga ish-zyrtari i policisë
Përveç pretendimit se e kishte marrë rastësisht Agasin në rrugë, Shpataraku dha edhe një shpjegim tjetër për mënyrën se si kishte siguruar Audi-n.
Ndryshe nga pronari, i cili deklaroi se Shpataraku kishte shkuar në biznesin e tij për ta blerë automjetin, ish-zyrtari tha se makinën ia kishte marrë një shoku të quajtur Tomi, për të cilin nuk dinte as mbiemrin.
Sipas versionit të tij, automjeti personal nuk funksiononte siç duhej, pasi kishte probleme me temperaturën e motorit. Për këtë arsye, ai kishte marrë Audin në Durrës, rreth orës 10:00, për të udhëtuar drejt Elbasanit.
Shpataraku pretendoi gjithashtu se makinën e tij personale e kishte lënë në një rrugicë në zonën e Kënetës.
Ky është një nga kundërshtimet kryesore që dalin nga dy dëshmitë e administruara në kuadër të hetimit: pronari thotë se automjetin ia dha për ta provuar me qëllim shitjen, ndërsa Shpataraku pretendon se e mori hua nga një person tjetër.
Qëndrimi në Tregun Agroushqimor dhe njohja me Agasin
Ish-zyrtari i policisë u pyet edhe për qëndrimin në zonën e Tregut Agroushqimor në Elbasan, ku automjeti ishte mbajtur nën vëzhgim për afro pesë orë.
Shpataraku nuk e mohoi se kishte qenë në atë zonë, por pretendoi se kishte takuar dy miq dhe kishte qëndruar me ta për të pirë kafe.
Ai kundërshtoi çdo interpretim që mund ta lidhte praninë e tij në treg me veprimtari kriminale, duke argumentuar se bëhej fjalë për një hapësirë të madhe dhe se përdorte rrugën e vjetër të Elbasanit për t’i shmangur trafikut.
Në deklarimet e tij, Shpataraku u përpoq të theksonte se nuk kishte njohuri për personat e shpallur në kërkim në territorin ku kishte shërbyer më parë, madje as për të gjithë ata që kërkoheshin nga policia në qarkun e Elbasanit.
Ai tha gjithashtu se merrte në automjet persona të panjohur që i kërkonin ndihmë në rrugë, duke e lidhur këtë sjellje me bindjet e tij fetare.
Nga drejtues policie te personi që shoqëronte Agasin
Dokumentari ndalet edhe te e kaluara profesionale e Uljan Shpatarakut dhe pozicionet që kishte mbajtur në strukturat e Policisë së Shtetit.
Ai kishte shërbyer në funksione drejtuese në Policinë e Elbasanit dhe më pas kishte mbajtur detyrën e asistentit apo këshilltarit në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit, në periudhën kur Ilir Proda drejtonte Policinë e Shtetit.
Sipas materialit të emisionit, Shpataraku konsiderohej një prej njerëzve të afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Ai kishte përfunduar gjithashtu në kërkim në fillim të gushtit, pasi dyshohej se kishte kanosur stafin e një hoteli në Dhërmi.
Përfshirja e tij në të njëjtin automjet me Ergys Agasin në momentin e arrestimit shtoi pikëpyetjet mbi marrëdhëniet mes ish-zyrtarëve të policisë dhe personazheve të përfolur për lidhje me botën e krimit.
Ergys Agasi, ndërkohë, ishte përmendur në hetime dhe denoncime publike për ndikimin e pretenduar në tenderat e AKSHI-t dhe lidhjet e dyshuara me zyrtarë të lartë të shtetit. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e kishte cilësuar më herët si një figurë me ndikim në ndërthurjen e interesave të krimit dhe pushtetit, akuza që kanë qenë pjesë e debatit publik dhe që duhen dalluar nga faktet e provuara me vendim gjykate.
Arrestimi i 27 gushtit, ndërkohë, nxori në pah një tjetër episod të rëndësishëm të hetimeve: tetë muaj në kërkim, lëvizje të monitoruara me dron, një udhëtim disaorësh mes Elbasanit dhe Durrësit dhe dy persona që tashmë duhet të japin llogari për rrethanat që i bashkuan në të njëjtin automjet./NëShënjestër
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



