Merr fund saga! Konviktet e Kamzës nuk do jenë më “hotel” i Wolt-it
Prishet marrëveshja për akomodimin e punonjësve të huaj
Marrëveshja që mundësonte akomodimin e punonjësve të huaj të kompanisë Wolt në konviktet e Kamzës po shkon drejt fundit. Këshilli Mbikëqyrës i Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 ka vendosur zgjidhjen e njëanshme të bashkëpunimit me kompaninë private që kishte marrë në përdorim ambientet e godinës pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Vendimi është marrë më 30 tetor 2026, vetëm dy ditë pas publikimit të investigimit televiziv të Fiks Fare, i cili nxori në pah mënyrën se si ambientet e destinuara për strehimin e studentëve shqiptarë ishin vënë në dispozicion të shtetasve të huaj, mes tyre punonjës të kompanisë së shpërndarjes Wolt.
Bëhet fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar më 9 prill 2026, e cila parashikonte akomodimin e personave që nuk kishin status studenti në ambientet e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2, konkretisht në godinën nr. 2, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës, tashmë duhet të nisin procedurat për ndërprerjen e kësaj marrëdhënieje kontraktore dhe kthimin e ambienteve në administrimin e institucionit.
Dokumenti i përcjellë kompanisë i referohet pikës 10.5 të marrëveshjes, e cila parashikon mundësinë e zgjidhjes së saj përpara përfundimit të afatit, me kushtin e njoftimit paraprak prej 60 ditësh nga secila palë.
Në kuadër të këtij procesi, kompania duhet të lirojë dhe të dorëzojë dhomat dhe ambientet e marra në përdorim, së bashku me të gjithë inventarin përkatës. Në listën e detyrimeve përfshihen pajisjet, orenditë, çelësat dhe kartat e aksesit.
Dorëzimi do të dokumentohet përmes një procesverbali të përbashkët mes palëve, ndërsa duhet të kryhet edhe rakordimi i plotë i marrëdhënieve financiare, duke përfshirë faturat e emetuara dhe detyrimet ende të pashlyera.
Sipas dokumentacionit, detyrimet financiare të kompanisë duhet të shlyhen deri më 30 dhjetor 2026, ndërsa përfundimi i procesit të likuidimit dhe lirimi i ambienteve, duke marrë parasysh edhe afatin 60-ditor të njoftimit, janë përcaktuar brenda datës 20 dhjetor 2026.
Investigimi që nxori në dritë përdorimin e konvikteve
Vendimi për ndërprerjen e marrëveshjes vjen pas transmetimit të investigimit të Fiks Fare, i cili ngriti pikëpyetje serioze mbi administrimin dhe destinacionin e konvikteve universitare në Kamëz.
Nga vëzhgimet e emisionit rezultoi se në godinën e destinuar për akomodimin e studentëve ishin vendosur shtetas të huaj, përfshirë punonjës të kompanisë Wolt. Investigimi vuri në diskutim jo vetëm përdorimin e ambienteve publike për qëllime që nuk lidhen drejtpërdrejt me funksionin e tyre studentor, por edhe mënyrën se si ishte mundësuar kjo skemë.
Një tjetër element i bërë publik lidhej me dyshimet për regjistrime fiktive të personave si studentë, çështje që ngriti pikëpyetje mbi dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura për akomodimin në këto ambiente.
Pas publikimit të materialit, Prokuroria e Tiranës regjistroi një procedim penal për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me qëllim verifikimin e rrethanave të bëra publike. Ndërkohë, ish-drejtori i Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1, Olsi Shahini, ishte larguar nga detyra.
Kështu, pas publikimit të fakteve dhe nisjes së verifikimeve nga organet e drejtësisë, marrëveshja që u mundësoi personave jo-studentë të qëndronin në konviktet e Kamzës po shkon drejt zgjidhjes.
Megjithatë, ndërprerja e kontratës nuk i jep fund pikëpyetjeve të ngritura nga investigimi. Mbetet për t’u sqaruar se kush e miratoi këtë mënyrë përdorimi të ambienteve publike, mbi çfarë kriteresh u përzgjodh kompania private dhe nëse përgjegjësitë për administrimin e konvikteve do të shkojnë përtej largimit të ish-drejtorit.
Në fund të fundit, konviktet u ndërtuan për studentët, jo për t’u kthyer në struktura akomodimi për punonjës të kompanive private, ndërsa paratë dhe ambientet publike kërkojnë transparencë për mënyrën se si administrohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



