E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kurti reagon për protestat: Duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje
Lajme

Kurti reagon për protestat: Duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar protestat studentore që po zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës dhe klasës politike, duke shprehur mbështetje për të drejtën e të rinjve për të kërkuar ndryshim dhe për të pasur një të ardhme më të mirë në Shqipëri.

Gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u ndal te pakënaqësia e studentëve, duke theksuar se një shoqëri demokratike nuk mund të ecë përpara nëse humbet besimin e brezit të ri. Sipas tij, të rinjtë duhet të kenë mundësi të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, të sigurojnë mirëqenie përmes punës dhe të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes.

Ai vlerësoi se institucionet duhet të garantojnë dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve, ndërsa drejtësia dhe barazia shoqërore duhet të jenë pjesë thelbësore e funksionimit të demokracisë.

“Veçanërisht të rinjtë duhet të kenë arsye të besojnë në të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jetojnë me dinjitet nga puna, të jenë palë në vendime dhe ta kenë shtetin si mbështetje. Rininë dhe atë studentore i kemi shumë të çmuara. Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen e ndryshimin shoqëror. Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje, ku institucionet janë më të forta se forcat e padrejtësisë, ku drejtësia është aksion shoqëror dhe ku liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”, u shpreh Kurti.

Kurti për përplasjet në protesta: Duhet të analizohen edhe shkaqet e dhunës

Kreu i qeverisë së Kosovës komentoi gjithashtu tensionet dhe përplasjet e regjistruara gjatë tubimeve në Shqipëri. Ai i cilësoi shqetësuese rastet e dhunës dhe lëndimet e qytetarëve, por nënvizoi se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te identifikimi i personave që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme.

Sipas Kurtit, është e nevojshme të shqyrtohen edhe faktorët që krijojnë pakënaqësi dhe i çojnë kundërshtitë politike e shoqërore drejt përplasjeve fizike. Ai theksoi se mbrojtja e rendit publik duhet të ecë paralelisht me garantimin e së drejtës për protestë.

“Në anën tjetër, dhuna e lëndimet ndaj njerëzve, ballafaqimet direkte në rrugë janë brengë e të gjithëve. Por, nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që e ushqejnë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

“Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë”

Në fjalën e tij, Kurti iu referua edhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hedhur poshtë çdo ide të rivalitetit mes dy vendeve. Ai u shpreh se Prishtina i sheh me kënaqësi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, ekonomi dhe turizëm.

Kryeministri kosovar theksoi se synimi duhet të jetë zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh, përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, ekonomi, arsim dhe fushën ushtarake.

“Ne jemi në krye të Qeverisë Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, tha Kurti.

A do të përfshihet Vetëvendosje në protestat e Tiranës? Përgjigjet Kurti

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Kurtit iu kushtua edhe pretendimeve për përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në organizimin apo mbështetjen e protestave studentore në Shqipëri.

Ai mohoi që partia e tij të ketë pasur rol në këto zhvillime dhe kundërshtoi përpjekjet për ta lidhur Vetëvendosjen me tubimet në Tiranë. Sipas tij, partia tashmë është në pushtet në Kosovë dhe nuk ka arsye të veprojë përmes organizimeve anonime apo të përdorë protesta për qëllime politike.

Kurti tha se gjatë muajve të fundit vëmendja e tyre ka qenë e përqendruar te fushata zgjedhore, zgjedhjet e qershorit dhe zhvillimet politike në Kosovë, të cilat kulmuan me procesin e zgjedhjes së presidentes.

Ai kujtoi se edhe kur Vetëvendosje ishte në opozitë dhe organizonte protesta, përfaqësuesit e saj dilnin hapur në krye të tyre, pa u fshehur pas organizimeve apo individëve anonimë.

“Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, u shpreh Kurti.

Në vijim, ai përsëriti se zhvillimet në Shqipëri ndiqen nga Kosova me vëmendje dhe përgjegjësi, duke e cilësuar forcimin e demokracisë shqiptare si një çështje me rëndësi kombëtare.

Sipas tij, Shqipëria duhet të ndërtojë institucione të qëndrueshme, të afta t’u rezistojnë presioneve të oligarkisë dhe interesave që cenojnë funksionimin e demokracisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.