Shqiptarët duan largimin e tij, Rama “qurravitet” në merak për futjen e Serbisë në BE
Ndërsa në Tiranë vijojnë protestat dhe kërkesat për largimin e tij nga pushteti, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë nga Brukseli për të ardhmen europiane të Serbisë. Në një kohë kur qeveria e tij përballet me presionin e protestave në vend, kreu i mazhorancës ka shprehur shqetësimin se Beogradi nuk duhet të largohet nga projekti i integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë pjesëmarrjes në samitin “Euronews Enlargement Summit”, Rama u intervistua nga gazetarja Maria Tadeo, ku foli për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke u ndalur veçanërisht te Serbia dhe marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe Rusinë.
Kryeministri shqiptar deklaroi se Serbia mbetet një faktor i rëndësishëm për rajonin dhe se integrimi i saj në Bashkimin Europian është në interes të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, vendet e rajonit nuk duhet të lejojnë që Beogradi të braktisë rrugën europiane, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike dhe qëndrimeve të tij në raport me çështjet e hapura.
Rama për Serbinë: Nuk duhet ta lëmë të shkojë në drejtimin e gabuar
Gjatë intervistës, Rama pranoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës mbetet një pengesë e rëndësishme në rrugën e saj drejt integrimit europian. Ai përmendi gjithashtu hezitimin e Beogradit për t’u përafruar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, veçanërisht sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë.
Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare këmbënguli se Serbia duhet të mbetet pjesë e projektit europian dhe se izolimi i saj nuk do të ishte në interes të rajonit.
“Kam qenë avokat që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe të braktisë projektin europian. Nga ana tjetër, e dimë si shkojnë gjërat”, deklaroi Rama.
Ai u ndal edhe te qëndrimi i Beogradit për Kosovën, duke theksuar se nuk pret ndryshime të menjëhershme në këtë drejtim.
“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, u shpreh kryeministri.
Serbia duhet të përmbushë kushtet e Brukselit
Rama theksoi se mbështetja për perspektivën europiane të Serbisë nuk nënkupton anashkalimin e detyrimeve që ka ky vend ndaj Bashkimit Europian.
Sipas tij, Beogradi duhet të japë prova konkrete për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, përfshirë përafrimin me politikën e jashtme të BE-së dhe përparimin në çështjet që lidhen me Kosovën.
“Na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të jetë pjesë e plotë e BE-së, por duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi, duke realizuar atë që është e panegociueshme me BE-në”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, deklaratat e kryeministrit nga Brukseli vijnë në një moment kur në Tiranë vijojnë protestat kundër qeverisë, me demonstruesit që kërkojnë dorëheqjen e tij. Kontrasti mes zhvillimeve politike në kryeqytet dhe mesazheve të Ramës në samitin europian e vendos sërish në vëmendje raportin e kryeministrit me çështjet e rajonit dhe prioritetet e tij në arenën ndërkombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



