A është regjistruar biseda e Gogut me Veliajn? Ndreca: Nuk kam frikë!
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka komentuar sërish përplasjen politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, duke u ndalur këtë herë te takimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Veliajn në burgun e Fierit. Gjatë një interviste në emisionin “Zonë e Lirë”, të moderuar nga Arjan Çani, Ndreca bëri të ditur se mbrojtja po shqyrton mundësinë e depozitimit të një kallëzimi ndaj ministrit, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
“Jemi duke e vlerësuar. Nuk kemi dalë ende në konkluzion”, u shpreh avokati, duke lënë të hapur mundësinë e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore.
Sipas pretendimeve të Ndrecës, vizita e Gogut në ambientet e burgut dhe takimi me një person nën hetim, që dyshohet se ka zgjatur rreth një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit të institucionit, përbëjnë veprime që duhen shqyrtuar nga pikëpamja ligjore. Avokati pretendon se ministri ka shkelur ligjin përmes mënyrës se si është zhvilluar ky takim.
Por një nga momentet më të spikatura të intervistës ishte pikërisht çështja e mundësisë që biseda mes Erion Veliajt dhe Toni Gogut të jetë regjistruar. I pyetur nëse ekziston një regjistrim i takimit, Ndreca pranoi se nuk ka dijeni nëse një material i tillë është realizuar, por u shpreh se do të ishte me interes që biseda të ishte dokumentuar.
“Nuk e kam idenë. Do të ishte shumë mirë të ishte e regjistruar. E vetmja mundësi që të jetë regjistruar biseda, është që ta ketë regjistruar administrata e burgut apo zoti Gogu. Unë nuk e kam ende atë provë, ai mbase”, deklaroi Ndreca.
Me këtë përgjigje, avokati la të paqartë nëse ekziston një regjistrim i takimit, duke përmendur si mundësi vetëm administratën e burgut ose vetë ministrin e Drejtësisë. Ai përjashtoi mundësinë që regjistrimi të jetë kryer nga Erion Veliaj.
Gjatë intervistës, Ndreca foli edhe për presionet dhe kërcënimet që pretendon se i janë bërë nga kryeministri Edi Rama, duke deklaruar se nuk ndihet i frikësuar dhe se është i bindur për veprimet e tij.
“Nuk kam asnjë frikë, sepse jam shumë i qartë për çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Nuk ndiej frikë. Bisedat janë pjesë e një komunikimi që nuk është normal për kryeministrin e një vendi”, u shpreh avokati i Veliajt.
Në fund, Ndreca zbuloi edhe një detaj mbi gjendjen fizike të kryebashkiakut të Tiranës gjatë qëndrimit në burg. Sipas tij, prej rreth dy muajsh Veliaj po lëviz me patericë, pasi ka dëmtuar këmbën gjatë një loje futbolli në kohën kur ndodhej në paraburgimin e Durrësit.
Deklaratat e avokatit rikthejnë në vëmendje përplasjen mes Veliajt dhe Ramës, ndërsa pikëpyetjet mbi takimin me ministrin Toni Gogu dhe mundësinë e regjistrimit të bisedës mbeten ende pa një përgjigje konkrete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



