Përplasja Rama-Veliaj, Ben Blushi: Pasojë e një marrëdhënieje jo të shëndetshme!
Shkrimtari Ben Blushi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protestat kundër qeverisë, kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe përplasja mes këtij të fundit dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, ku prezantoi librin e tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, Blushi u pyet edhe për situatën aktuale në kryeqytet. Duke bërë një lidhje mes titullit të librit dhe zhvillimeve që po shoqërojnë vendin, ai pranoi se edhe koha e sotme mund të përshkruhet si një periudhë e pazakontë.
Sa u përket protestave dhe tensioneve që i kanë shoqëruar ato, shkrimtari tha se do të preferonte që tubimet të zhvilloheshin pa dhunë. Megjithatë, ai la të kuptohej se pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite dhe tranzicioni i tejzgjatur politik e shoqëror mund të kenë ndikuar në situatën e krijuar.
Blushi e përshkroi periudhën pas rënies së komunizmit si një tranzicion 35-vjeçar, gjatë të cilit Shqipëria, sipas tij, vijon të mos arrijë objektivat drejt të cilave është orientuar.
“Besoj se po, janë kohë të çmendura në Tiranë. Tranzicioni ynë është pak më i gjatë, janë 35 vitet tona nga momenti që ra komunizmi e deri më sot. Ecim në një drejtim të caktuar dhe nuk po arrijmë dot”, u shpreh ai.
Duke folur për raportin e tij me zhvillimet politike, Blushi tha se ka zgjedhur të mbajë distancë nga debatet e përditshme, pasi angazhimi me politikën ndikon edhe në gjendjen e tij emocionale.
Për këtë arsye, ai preferoi të mos pozicionohej lidhur me thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës dhe zhvillimet e protestave, duke theksuar se ka hequr dorë nga komentet politike.
Një përgjigje më të drejtpërdrejtë dha për marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. I pyetur për përplasjen mes dy figurave, Blushi e interpretoi atë si pasojë të një raporti që, sipas tij, nuk ka qenë i shëndetshëm.
“Është rrjedhë logjike e një raporti jo shumë të shëndetshëm midis tyre”, deklaroi shkrimtari.
Komentet e Blushit vijnë në një kohë kur përplasjet politike dhe protestat në kryeqytet vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes publike, ndërsa ai vetë ka zgjedhur ta trajtojë realitetin shqiptar përmes një këndvështrimi më të gjerë historik dhe letrar në librin e tij të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



