Shpërthim në Elbasan, shemben muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit
Evakuohen banorët
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur një pallat në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe duke vënë në rrezik sigurinë e banorëve.
Nga informacionet paraprake, shpërthimi ka qenë aq i fortë sa ka shembur muret e apartamentit ku ndodhi ngjarja, si dhe një pjesë të shkallëve të ndërtesës.
Menjëherë pas incidentit është vënë në lëvizje operacioni i emergjencës, ndërsa ka nisur evakuimi i banorëve për të shmangur rrezikun nga dëmtime të mëtejshme të strukturës së pallatit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po ndërhyjnë për nxjerrjen e banorëve nga ndërtesa. Për shkak të dëmtimeve në shkallët e pallatit, ekipet e shpëtimit po punojnë për t’i larguar ata në kushte emergjence.
Dyshime për të plagosur
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se nga shpërthimi mund të ketë persona të plagosur, por deri në këto momente nuk është bërë i ditur zyrtarisht numri i tyre apo gjendja shëndetësore.
Operacionet e emergjencës vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë informacion për rrethanat e shpërthimit, shkakun e tij dhe bilancin e plotë të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



