E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga “Balluku” te korrupsioni, raporti i KE-së “telendis” Shqipërinë
Lajme

Nga “Balluku” te korrupsioni, raporti i KE-së “telendis” Shqipërinë

Komisioni Europian ka publikuar më 4 nëntor 2026 raportin e progresit për Shqipërinë, një dokument prej 116 faqesh që analizon zhvillimet politike, institucionale, ekonomike dhe shoqërore të vendit për periudhën 1 shtator 2025 – 1 shtator 2026.

Pavarësisht vlerësimeve për ecurinë e reformës në drejtësi dhe punën e SPAK-ut në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, dokumenti evidenton një sërë problematikash që vijojnë të mbeten pengesë në rrugën e integrimit europian. Ndër çështjet që marrin vëmendje të veçantë janë presioni politik ndaj institucioneve të drejtësisë, reagimet ndaj hetimeve të Belinda Ballukut, korrupsioni në prokurimet publike dhe dobësitë në funksionimin e institucioneve demokratike.

Raporti evidenton gjithashtu probleme në administratën publike, luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e pasurive të paligjshme, të drejtat e pronësisë dhe kushtet në burgje.

Ndërhyrjet politike në drejtësi dhe përplasja rreth SPAK-ut

Një nga temat më të ndjeshme të raportit lidhet me përpjekjet për të ushtruar ndikim politik mbi sistemin gjyqësor dhe organet e posaçme të hetimit. Komisioni Europian vëren se gjatë periudhës së monitoruar kanë vijuar rastet e ndërhyrjeve të papërshtatshme nga zyrtarë publikë dhe politikanë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve.

Në dokument theksohet se presioni ndaj institucioneve të drejtësisë nuk është kufizuar vetëm në deklarata të përgjithshme, por është shfaqur edhe në reagimet politike ndaj çështjeve konkrete që kanë përfshirë zyrtarë të lartë.

Një rast i përmendur shprehimisht është ai i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Komisioni ndalet te vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për autorizimin e heqjes së imunitetit parlamentar.

Sipas raportit, këto zhvillime u shoqëruan me reagime të forta nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, përfshirë kritika të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore.

Shqetësimi i Brukselit lidhet pikërisht me mënyrën se si pushteti politik reagon ndaj vendimeve dhe veprimeve të organeve të drejtësisë. Komisioni nënvizon se autoriteti dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore duhet të respektohen, pavarësisht profilit apo funksionit të personave që janë objekt hetimi.

Kritika përfshihen edhe në raport me Gjykatën Kushtetuese. Sipas Komisionit, në disa çështje të rëndësishme publike, politikanë kanë vënë në pikëpyetje autoritetin e saj dhe kanë drejtuar sulme verbale ndaj gjyqtarëve.

Raporti kërkon forcimin e llogaridhënies dhe krijimin e garancive që ndërhyrjet politike të mos cenojnë funksionimin e pavarur të gjyqësorit dhe shërbimeve të prokurorisë.

Sistemi gjyqësor përballet me mungesë personeli dhe probleme infrastrukturore

Përtej ndërhyrjeve politike, Komisioni Europian evidenton edhe vështirësi të brendshme në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Mungesa e magjistratëve, stafit administrativ dhe këshilltarëve ligjorë, së bashku me infrastrukturën e pamjaftueshme të gjykatave, vijojnë të ndikojnë në efikasitetin e sistemit.

Një tjetër problem mbetet vonesa në ngritjen dhe funksionalizimin e një sistemi të integruar elektronik për administrimin e çështjeve gjyqësore.

Dokumenti rikthen në vëmendje edhe vrasjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës në tetor 2025, duke evidentuar se reagimi i institucioneve shtetërore dhe organeve drejtuese të drejtësisë nuk ishte i mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sa i përket SPAK-ut, Komisioni njeh rezultatet e strukturës në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe vlerëson se ajo ka dëshmuar pavarësi dhe kapacitete të konsiderueshme. Megjithatë, raporti vë në dukje se institucionet e tjera shtetërore vijojnë të bëjnë shumë pak referime pranë kësaj strukture.

Përballë rritjes së ngarkesës hetimore, Brukseli kërkon gjithashtu forcimin e burimeve dhe kapaciteteve të SPAK-ut, në mënyrë që institucioni të përballojë me efektivitet çështjet që ka në trajtim.

Korrupsioni në tendera dhe diferenca mes pasurive të sekuestruara e atyre të konfiskuara

Një tjetër problematikë që zë vend të rëndësishëm në raport është korrupsioni, i cili, sipas Komisionit Europian, vijon të përbëjë një sfidë serioze për Shqipërinë.

Edhe pse hetimet e SPAK-ut kanë prodhuar rezultate në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, mekanizmat parandalues nuk kanë arritur ende të japin efektin e kërkuar. Në dokumentin që shoqëron vlerësimin për sundimin e ligjit gjatë vitit 2026, evidentohen rreziqe të përhapura korrupsioni në sektorë të ndryshëm.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe ndjekjes së pasurive që burojnë nga aktiviteti korruptiv. Shifrat për vitin 2025 tregojnë një diferencë të konsiderueshme mes vlerës së pasurive të sekuestruara dhe asaj të konfiskuara përfundimisht nga SPAK-u.

Sipas të dhënave të raportit, vlera e pasurive të sekuestruara për veprat e korrupsionit arriti në rreth 1.1 milionë euro, ndërsa pasuritë e konfiskuara përfundimisht kapën vetëm rreth 100 mijë euro.

Për Komisionin Europian, këto shifra tregojnë se procedurat për konfiskimin e pasurive duhet të bëhen më efektive, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të mos përqendrohet vetëm te hetimi dhe ndjekja penale, por edhe te rikuperimi i përfitimeve të paligjshme.

Në fokus janë edhe prokurimet publike, të cilat cilësohen si një prej fushave me ekspozim të lartë ndaj korrupsionit. Brukseli kërkon kontrolle më të forta mbi tenderat shtetërorë, konkurrencë më të gjerë mes operatorëve ekonomikë dhe mekanizma më efikasë për parandalimin e abuzimeve.

Kuvendi nën kritika për mungesën e dialogut dhe kontrollin ndaj qeverisë

Raporti i progresit trajton edhe mënyrën se si funksionojnë institucionet demokratike në Shqipëri, duke evidentuar mangësi në veprimtarinë e Kuvendit dhe në raportet mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas Komisionit Europian, Parlamenti i ushtron vetëm pjesërisht kompetencat e tij në mënyrë efektive, veçanërisht në drejtim të mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv.

Mungesa e dialogut politik, konsultimet e kufizuara dhe përplasjet e vazhdueshme mes palëve kanë ndikuar në dobësimin e rolit të institucionit ligjvënës.

Një prej problematikave të evidentuara është refuzimi i përsëritur i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Komisioni shpreh gjithashtu shqetësime për politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura dhe organet kushtetuese.

Në dokument përmendet edhe moszbatimi i disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, një çështje që ngre pikëpyetje mbi respektimin e vendimeve të institucioneve që garantojnë rendin kushtetues.

Administrata publike, rekrutimet dhe emërimet jashtë meritokracisë

Reforma e administratës publike mbetet një tjetër fushë ku Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Komisioni Europian evidenton probleme në mënyrën e administrimit të institucioneve shtetërore, si dhe mangësi në transparencën e vendimmarrjes.

Një shqetësim lidhet me përdorimin e akteve normative nga qeveria për ndryshimin e buxhetit, pa një kontroll të mjaftueshëm parlamentar.

Po ashtu, procesi i konsultimit publik nuk zhvillohet gjithmonë në mënyrë efektive. Sipas raportit, në shumë raste propozimet dhe rekomandimet e paraqitura gjatë konsultimeve nuk ndiqen apo nuk reflektohen sa duhet në vendimmarrjen përfundimtare.

Brukseli kërkon që punësimet, ngritjet në detyrë dhe largimet nga administrata publike të mbështeten te meritokracia, transparenca dhe kriteret profesionale. Ky standard konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për pozicionet drejtuese të administratës shtetërore.

Krimi i organizuar dhe trafiku i drogës, kërkohen më shumë rezultate konkrete

Në luftën kundër krimit të organizuar, Komisioni Europian njeh përparimin e bërë nga institucionet shqiptare, por nënvizon nevojën për rezultate më të qëndrueshme dhe të matshme.

Raporti kërkon rritjen e numrit të hetimeve, procedimeve penale dhe vendimeve përfundimtare të dënimit në të gjitha fushat e krimit të organizuar.

Vëmendje e veçantë i kushtohet trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përtej goditjes së grupeve kriminale, Komisioni kërkon që institucionet të përqendrohen më shumë te hetimet financiare dhe identifikimi, sekuestrimi e konfiskimi i pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Një tjetër rekomandim lidhet me forcimin e prokurorive në nivel vendor, përmes shtimit të burimeve njerëzore dhe teknologjike, si dhe përmirësimit të bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse.

Ekonomia mbështetet te turizmi, ndërsa industria dhe bujqësia mbeten problematike

Në vlerësimin për ekonominë shqiptare, Komisioni Europian evidenton një rritje të mbështetur kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe zhvillimi i turizmit. Megjithatë, pas këtyre treguesve pozitive, raporti identifikon dobësi strukturore që vijojnë të pengojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Industria dhe bujqësia përmenden si sektorë me produktivitet të ulët dhe prirje tkurrjeje. Një tregues shqetësues është edhe rënia e eksporteve të produkteve të industrisë përpunuese për të tretin vit radhazi.

Sipas Komisionit, zhvillimi i sektorit privat pengohet nga disa faktorë, përfshirë mangësitë në zbatimin e shtetit të së drejtës, vështirësitë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të siguruar financim dhe problemet në mbikëqyrjen e ndërmarrjeve shtetërore.

Një tjetër sfidë afatgjatë mbetet emigracioni, i cili ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës. Raporti vë në dukje gjithashtu se sistemi arsimor nuk arrin të përputhë plotësisht aftësitë që fitojnë të rinjtë me kërkesat reale të tregut.

Pronat dhe kushtet në burgje, ende larg standardeve të kërkuara

Në kapitullin që trajton të drejtat themelore, Komisioni Europian ndalet te problematikat e pronësisë, duke kërkuar përshpejtimin e reformave për garantimin e sigurisë juridike.

Ndër rekomandimet kryesore janë përfundimi i regjistrimit fillestar të pronave, digjitalizimi i dokumentacionit të pronësisë dhe hartave kadastrale, si dhe përmirësimi i saktësisë së të dhënave në regjistrat shtetërorë.

Një tjetër detyrë e mbetur pezull lidhet me përfundimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve për pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist.

Shqetësime ngrihen edhe për sistemin penitenciar. Sipas raportit, reforma në burgje nuk ka ecur me ritmin e nevojshëm dhe kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit kërkojnë përmirësime të vazhdueshme.

Dokumenti nënvizon se garantimi i të drejtave të personave të burgosur dhe përmirësimi i standardeve të trajtimit të tyre mbeten pjesë e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të procesit të integrimit europian.

Në tërësi, raporti i 4 nëntorit paraqet një panoramë me dy anë të Shqipërisë: nga njëra anë njeh rezultatet e reformës në drejtësi dhe punën e SPAK-ut, ndërsa nga ana tjetër evidenton probleme të vazhdueshme me pavarësinë e institucioneve, korrupsionin, prokurimet publike, funksionimin e Kuvendit dhe administratën shtetërore.

Çështja Balluku dhe reagimet politike ndaj vendimeve të drejtësisë zënë një vend të rëndësishëm në vlerësimin e Brukselit, duke rikthyer në qendër të debatit marrëdhënien mes pushtetit politik dhe institucioneve që duhet të garantojnë zbatimin e ligjit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.