“Rama në burg, Berisha në burg”, Berisha shpërthen ndaj protestuesve: Besëprerët!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si përpjekje të organizuar për të marrë nën kontroll dhe për të devijuar protestën e opozitës. Gjatë një takimi me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, ai u ndal te zhvillimet e fundit të protestës, duke akuzuar një grup personash se kanë sabotuar lëvizjen qytetare.
Berisha e përshkroi protestën si një mobilizim të jashtëzakonshëm, ku sipas tij rolin kryesor e kishin të rinjtë dhe qytetarët, ndërsa pjesë e saj u bënë edhe intelektualë të njohur. Megjithatë, pretendon se kjo lëvizje u godit nga brenda, kur në protestë u artikulua slogani “Rama në burg, Berisha në burg”.
Këtë thirrje ai e konsideroi pikën ku, sipas tij, nisi devijimi i protestës dhe zbatimi i një skenari për dobësimin e opozitës aktuale.
Berisha: Skenar për zëvendësimin e opozitës
Në fjalën e tij, kreu demokrat përdori metaforën e flamingos për të përshkruar protestën dhe mënyrën se si, sipas tij, ajo u pengua nga persona që i cilësoi si besëprerë. Ai pretendoi se qëllimi ishte krijimi i një force tjetër opozitare, e cila do t’i shërbente kryeministrit Edi Rama.
“E vërteta që në këtë uragan të paparë, i dominuar nga të rinjtë dhe qytetarët, por që tërhoqi dhe intelektualët ndër më të shquarit, jehona e tij botërore ishte e jashtëzakonshme.
Mirëpo çfarë ndodhi? Për koincidencë fatale, flamingon e kapën për fyti. E kapën për fyti me sloganin sine qua non ‘Rama në burg, Berisha në burg’.
Me këtë slogan, këta besëprerë në zbatim të projekteve të Edi Ramës dhe të tjerëve, menduan se skenari serb i zëvendësimit të opozitës së vërtetë, që kishte qëndruar në kushte më të vështira, që kishte rezistuar një kalvari të paprecedent në historinë e Evropës, një force politike që në mbrojtje të parimeve të njerëzve të lirë, donin ta arkivonin.
Donin ta arkivonin në banesën e harresës dhe orientuan atë protestë të paparë ndonjëherë në Shqipëri, në çdo aspekt, pankombëtare, e orientuan drejt shkatërrimit”, deklaroi Berisha.
“Meritojnë të cilësohen si vrasësit më barbarë”
Berisha vijoi me akuza të forta ndaj grupit që pretendon se qëndron pas devijimit të protestës, duke përdorur gjuhë të ashpër për të përshkruar përgjegjësinë që u atribuon këtyre personave.
Sipas tij, slogani kundër Ramës dhe Berishës nuk ishte një thirrje e rastësishme, por pjesë e një projekti që synonte të zëvendësonte opozitën e drejtuar nga PD-ja me një alternativë tjetër politike.
“Ata të cilët mbërthyen flamingon për fyti, ata meritojnë të kualifikohen në rrafshin social dhe psikologjik si vrasësit më barbarë.
Natyrisht projekti i tyre për një opozitë tjetër në shërbim të Edi Ramës, solli fatkeqësisht shumë drejt shkatërrimit të atij uragani.
Dhe Partia Demokratike ka një qartësi shumë të madhe dhe denoncon me forcë këtë grup makbethian që në zbatim të porosive të Edi Ramës ndërmori akte të tilla”, u shpreh kreu i PD-së.
Deri në këtë deklaratë, Berisha nuk identifikoi me emra personat që akuzon për devijimin e protestës dhe as nuk paraqiti prova publike për pretendimin se ata kanë vepruar me porosi të kryeministrit. Deklaratat e tij vijnë në një klimë përplasjesh brenda skenës opozitare, pas protestave dhe arrestimeve të aktivistëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



