“Unë isha aty kur të braktisën”, Veliaj i rikthen Ramës 21 Janarin
“E me mbushur qeverinë me palaço”
Përplasja mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës po merr gjithnjë e më shumë përmasa personale dhe politike. Në reagimin e tij të fundit, kryebashkiaku i Tiranës ka rikthyer në vëmendje vitet kur të dy ndodheshin në opozitë, duke i kujtuar kryeministrit protestat kundër qeverisë së Sali Berishës dhe momentet e vështira që, sipas tij, kanë përjetuar së bashku.
Në qendër të mesazhit të Veliajt është 21 janari 2011, kur katër protestues u vranë përpara Kryeministrisë. Ai përmend gjithashtu grevën e urisë së socialistëve, marshimin-homazh të 28 janarit dhe zhvillimet politike të verës së po atij viti.
Veliaj pretendon se gjatë asaj periudhe shumë prej njerëzve që rrethonin Ramën e braktisën, ndërsa ai vetë qëndroi pranë tij. Përmes këtij kujtimi, ai duket se kërkon t’i rikujtojë kryeministrit një histori të përbashkët politike, në kontrast me marrëdhënien e sotme mes tyre.
“Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë”
Në reagimin e publikuar, Veliaj shprehet se nuk ka arsye të sulmojë Partinë Socialiste apo Bashkinë e Tiranës, institucionin që thotë se e ka mbrojtur dhe për të cilin është angazhuar në çdo detaj. Në të njëjtën kohë, ai drejton kritika të ashpra ndaj përbërjes së qeverisë, duke pretenduar se ministrat aktualë nuk kanë përjetuar betejat opozitare të socialistëve.
“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia. Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë.
Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në ‘28 janar’ (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm.
Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gjënjejnë e helmojnë, me ‘armiq të brendshëm’ se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek ‘rrobat e mbretit’”, shkruan Veliaj.
Përmes kësaj deklarate, kryebashkiaku i drejtohet drejtpërdrejt Ramës, duke vënë në pikëpyetje besnikërinë dhe përvojën politike të njerëzve që sot janë pjesë e kabinetit qeveritar. Ai i akuzon ata se po ndikojnë te kryeministri përmes informacioneve dhe pretendimeve për “armiq të brendshëm”.
Reagimi vjen pas takimit me Toni Gogun në burgun e Fierit
Deklaratat janë pjesë e reagimeve të Veliajt pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit. Ky takim është kthyer në një tjetër pikë të nxehtë të përplasjes mes kryebashkiakut dhe kryeministrit, pasi Veliaj ka pretenduar se gjatë bisedës iu përcollën kërkesa dhe mesazhe në emër të Ramës.
Në reagimet e tij, Veliaj ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për përfshirje në organizimin apo financimin e protestave studentore, duke mohuar se ka vepruar kundër Partisë Socialiste apo Bashkisë së Tiranës.
Kështu, përplasja mes dy figurave që dikur ndanin të njëjtën betejë politike po zhvendoset edhe te kujtimet e së kaluarës. Veliaj i rikthen Ramës 21 Janarin dhe ditët e opozitës, ndërsa akuzon rrethin e sotëm qeverisës se po e largon kryeministrin nga njerëzit dhe historia politike që e shoqëruan në atë periudhë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



