Gjobitet me 5 milionë lekë, 17-vjeçari rrëfen dramën familjare: Më ka vdekur nëna, jetojmë me KEMP
“Nuk kam ku t’i gjej paratë!“
Një gjobë prej 5 milionë lekësh e vendosur pas protestës së së shtunës ka vënë përballë një situate të vështirë një 17-vjeçar, i cili thotë se nuk ka asnjë mundësi ekonomike për ta paguar masën administrative.
I riu ka rrëfyer se familja e tij jeton me të ardhurat nga pensioni i invaliditetit (KEMP), ndërsa nëna i ka ndërruar jetë prej vitesh. Sipas tij, të ardhurat mujore të familjarëve arrijnë në rreth 240 mijë lekë, shumë që nuk mjafton për të përballuar nevojat e përditshme.
Në një prononcim gjatë protestës së kësaj të diele, 17-vjeçari pretendoi se në momentin e tubimit të së shtunës nuk ishte duke protestuar, por po luante. Ai tha gjithashtu se nuk e kishte njoftuar ende të atin për gjobën, pasi nuk dinte si t’i shpjegonte një detyrim financiar që nuk mund ta përballojnë.
Sipas tij, gjoba prej 5 milionë lekësh, e barasvlershme me rreth 5 mijë euro, duhet të paguhet brenda 10 ditësh.
“Nuk kam ku t’i gjej paratë, nëna më ka ndërruar jetë”
17-vjeçari tregoi se më herët kishte punuar në një mobileri, ku merrte një pagë prej 360 mijë lekësh, por edhe kjo shumë, sipas tij, nuk mjaftonte për të përballuar shpenzimet.
“Unë isha duke luajtur, nuk kam qenë pjesë e protestës. Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka shumë vite. Me KEMP kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë”, u shpreh ai.
Më tej, i riu tha se gjendja ekonomike e familjes është e vështirë dhe se mbështetja e vetme që përfiton personalisht nga shteti është një bursë shkollore.
“Nuk na del aspak. Unë kam punuar në mobileri, merrja 360 mijë lekë, nuk del për asgjë. Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Shteti asgjë nuk më jep për vdekjen e nënës, vetëm në shkollë marr një bursë. Nuk kam ku t’i gjej lekët”, deklaroi 17-vjeçari.
Pavarësisht gjobës dhe vështirësive ekonomike, ai paralajmëroi se do të vijojë të marrë pjesë në protestat kundër qeverisë, duke e lidhur largimin e tij nga sheshi me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Në protestë do të marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë”, përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



