“Votën jua dhamë”/ Detajet e reja, si u kap “mat” deputetja Sara Mila
Një hetim mbi abuzimet e dyshuara me skemën e ndihmës ekonomike në Peqin ka zbardhur komunikime dhe veprime që ngrenë pikëpyetje të forta mbi përdorimin e kësaj skeme në funksion të fushatës elektorale të vitit 2025. Në qendër të zhvillimeve është Njësia Administrative Gjocaj, ku numri i familjeve përfituese u rrit nga 110 në 320 brenda periudhës nëntor-dhjetor 2024.
Çështja është rikthyer në vëmendje pas paraqitjes së deputetes socialiste Sara Mila në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku po verifikohen pretendimet për ndërhyrje të mundshme në zgjerimin e listës së përfituesve të ndihmës ekonomike, me qëllim sigurimin e votave për Partinë Socialiste.
Megjithatë, në materialin e publikuar mbi dosjen e Prokurorisë së Elbasanit nuk paraqiten të dhëna që provojnë një akuzë konkrete ndaj deputetes. Hetimi për skemën e dyshuar dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë duhet të ndahen nga statusi procedural i saj, për të cilin informacionet e bëra publike kanë qenë të ndryshme.
Nga 110 në 320 familje përfituese në prag të zgjedhjeve
Sipas materialeve hetimore, Alken Çerma, administrator i Njësisë Administrative Gjocaj që prej vitit 2023, ishte përgjegjës për procedurat që lidheshin me aplikimet për ndihmë ekonomike. Ai ka deklaruar se nuk kishte njohuri të mjaftueshme në përdorimin e sistemit elektronik dhe se për plotësimin e formularëve online kishte kërkuar ndihmën e Gerald Sinanit, përgjegjës i sektorit të Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë Peqin.
Hetimi nisi pas kallëzimit të një banori në prill 2025. Ai pretendonte se kishte mësuar se ishte regjistruar si përfitues i ndihmës ekonomike, ndonëse jetonte prej vitesh në Greqi dhe nuk kishte aplikuar për këtë përfitim.
Verifikimet e mëtejshme evidentuan parregullsi në listën e familjeve përfituese. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, në nëntor-dhjetor 2024 numri i tyre në Njësinë Administrative Gjocaj u rrit nga 110 në 320.
Gjatë marrjes në pyetje, administratori Alken Çerma pranoi se kishte pasur parregullsi në këtë proces. Ai ia atribuoi një pjesë të problemeve mungesës së njohurive të tij teknologjike dhe la të kuptohej se mund të kishin ndodhur edhe ndërhyrje të paautorizuara nga persona të tjerë që kishin akses në sistem.
Çerma tregoi gjithashtu se kishte marrë vërejtje nga Drejtoresha Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan, Etleva Mezini, për rritjen e numrit të përfituesve.
“Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan, Etleva Mezini, më kërkoi që të ulja numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike, pasi ishte rritur shumë”, ka deklaruar ai para grupit hetimor.
Por, sipas dëshmisë së tij, në mars 2025, kur fushata elektorale kishte nisur, e njëjta drejtuese i kishte kërkuar verbalisht që numri i përfituesve të rritej sërish.
“Megjithatë, në mars 2025, drejtoresha Mezini më ka kërkuar verbalisht që të rris numrin e përfituesve, pasi kishte filluar fushata elektorale”, thuhet në deklarimin e administratorit.
“Votën ta dhamë”, mesazhi që ngriti dyshime për lidhjen mes asistencës dhe zgjedhjeve
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me komunikimet e sekuestruara nga telefoni i administratorit Alken Çerma dhe pajisjet e disa zyrtarëve të tjerë lokalë. Sipas materialeve hetimore, këto biseda kanë ndihmuar në verifikimin e dyshimeve për përdorimin e skemës së ndihmës ekonomike në funksion të fushatës.
Në qershor 2025, pas përfundimit të zgjedhjeve, një banor i zonës i është ankuar administratorit se nuk kishte marrë pagesën e ndihmës ekonomike për muajin përkatës. Në mesazhin e tij, ai i kujton Çermës se e kishte mbështetur me votë.
“Nuk më ka kaluar ndihma ekonomike për qershorin, as asistenca. Unë ju respektova, votën jua dhashë”, i shkruan banori.
Ky komunikim është një nga elementet që ngrenë dyshime mbi një lidhje të mundshme mes përfitimit të ndihmës ekonomike dhe mbështetjes elektorale, megjithëse vlerësimi i plotë i tij i takon organit të akuzës dhe gjykatës.
Në dosje përmendet edhe komunikimi i një tjetër banoreje, e identifikuar me inicialet B.K., e cila ankohej për trajtim të pabarabartë në shpërndarjen e ndihmës ekonomike. Sipas saj, përfitonin persona që jetonin prej vitesh jashtë Shqipërisë dhe nuk ndodheshin në vështirësi ekonomike, ndërsa familje që kishin nevojë reale mbeteshin jashtë skemës.
Në një bisedë të janarit 2025, ajo i shkruante administratorit: “Saimiri ishte mbrëmë nga unë. Zoti e bekoftë me fitore. Të zura edhe ty në gojë dhe të lavdërova”.
Në materialin hetimor nuk jepen të dhëna të plota për identitetin e personit të përmendur si “Saimir”. Megjithatë, sipas raportimit që shoqëron dosjen, dyshohet se bëhet fjalë për Saimir Hasallën, kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2025 dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste në zonën e Peqinit.
Ndërhyrja për të futur në skemë një studente në Tiranë
Një tjetër episod i përmendur në dosje lidhet me ndërhyrjen e dyshuar të Etleva Mezinit për përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike të një vajze nga Peqini, e cila studionte në Tiranë.
Sipas materialeve hetimore, kërkesat e familjes së saj për t’u përfshirë në listën e përfituesve ishin refuzuar më parë, me argumentin se nuk plotësonte kriteret ligjore.
Megjithatë, në mars 2025, Mezini dyshohet se angazhoi vartësin e saj, Ardit Çanakun, për të komunikuar me administratorin e Njësisë Gjocaj, Alken Çermën, me qëllim përfshirjen e vajzës në listë.
Në atë periudhë, Çerma nuk ndodhej në punë. Prokuroria dyshon se Çanaku i ka kërkuar Gerald Sinanit, përgjegjësit të IT-së në Bashkinë Peqin, të përdorte kredencialet e administratorit në sistemin elektronik për të kryer regjistrimin.
Gjashtë persona me masën “detyrim për paraqitje”
Në kuadër të hetimit për parregullsitë në skemën e ndihmës ekonomike, Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” për gjashtë persona:
-
Alken Çerma, administrator i Njësisë Administrative Gjocaj;
-
Ardit Çanaku;
-
Nazmi Beqiri;
-
Gerald Sinani, përgjegjës i sektorit të IT-së në Bashkinë Peqin;
-
Ligjërie Kotorri;
-
Matilda Kalleshi.
Dosja ngre dyshime serioze mbi mënyrën e administrimit të ndihmës ekonomike në Peqin dhe mundësinë që kjo skemë të jetë përdorur për të ndikuar te votuesit në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Ndërsa SPAK po verifikon pretendimet që lidhen me deputeten Sara Mila, mbetet për t’u zbardhur zinxhiri i përgjegjësive, roli i zyrtarëve lokalë dhe nëse përfshirja në skemën e ndihmës ekonomike është përdorur realisht si mjet për sigurimin e votave për Partinë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





