Shisnin dokumente false të BE-së, arrestohen dy 22-vjeçarë në Tiranë
Dy të rinj, të dy 22 vjeç, janë arrestuar në Tiranë pasi akuzohen se prodhonin dhe shisnin dokumente të falsifikuara të shteteve të Bashkimit Europian. Operacioni policor, i koduar “Imitimi”, ka çuar në sekuestrimin e dokumenteve polake dhe austriake, 1700 eurove, dy mjeteve dhe dy telefonave celularë.
Në pranga kanë rënë Hajdar Bajrami dhe Bujar Meta, të cilët u arrestuan në flagrancë nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe efektivët e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Tiranës.
Sipas hetimeve paraprake, dy të rinjtë dyshohet se kishin ngritur një aktivitet të paligjshëm për prodhimin dhe shitjen e dokumenteve të falsifikuara, duke synuar përfitime financiare nga tregtimi i tyre.
Dokumente polake dhe austriake, 1700 euro të sekuestruara
Gjatë operacionit, uniformat blu kanë sekuestruar disa dokumente që dyshohet se ishin të falsifikuara, konkretisht:
-
Një pasaportë polake;
-
Një leje drejtimi polake;
-
Një kartë identiteti austriake;
-
Një leje drejtimi austriake;
-
1700 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e dokumenteve;
-
Një automjet;
-
Një motomjet;
-
Dy telefona celularë.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Tiranës në bashkëpunim me gazetarët e emisionit investigativ “Piranjat”, pas përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe mbledhjes së informacioneve për aktivitetin e dyshuar kriminal.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë
Pas arrestimit të dy 22-vjeçarëve, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Nën drejtimin e organit të akuzës, Policia e Tiranës po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në prodhimin dhe shitjen e dokumenteve të falsifikuara.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi shtrirjen e aktivitetit, numrin e dokumenteve të shitura apo personat që mund t’i kenë blerë ato.
Për dy të arrestuarit, akuzat mbeten në fazën e hetimit dhe ata prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



