Dubai, streha e bosëve të kokainës, Hajdar Çopja ekspozon luksin dhe milionat
Ora me vlerë dhjetëra mijëra euro, makina luksoze, shuma të mëdha parash dhe apartamente milionëshe. Këto janë pamjet që shoqërojnë jetën e disa prej personazheve më të kërkuar të krimit të organizuar shqiptar, të cilët kanë gjetur strehë në Dubai, larg drejtësisë së vendeve ku dyshohet se kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal.
Emisioni investigativ “Në Shënjestër” në News24 ka publikuar pamje dhe detaje mbi jetën që bën në Emiratet e Bashkuara Arabe Hajdar Çopja, 42-vjeçari nga Elbasani, i njohur edhe me identitetet Hajdar Bako, Hysa dhe si “Dari i Elbasanit”.
I shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe i dyshuar për lidhje me një prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, Çopja shfaqet në materiale të publikuara në rrjetet sociale duke lëvizur me automjete luksoze, duke ekspozuar ora të shtrenjta dhe duke shijuar një mënyrë jetese që bie në kontrast të fortë me statusin e tij si person në kërkim.
Sipas dokumentarit, luksi shtrihet edhe në banesën e tij në Dubai, një apartament në një prej zonave më ekskluzive të qytetit, me ambiente të dekoruara në mënyrë ekstravagante. Por rasti i Çopjas nuk paraqitet si një histori e izoluar. Dubai përshkruhet si një pikë ku kanë gjetur strehim edhe persona të tjerë të lidhur me botën e krimit të organizuar ndërkombëtar.
25 shqiptarë të kërkuar deri në vitin 2024, Dubai si strehë për personazhet e krimit
Gazetarja Fatjona Mejdini, e cituar në dokumentar, ka deklaruar se deri në vitin 2024 në Dubai mendohej se ndodheshin rreth 25 shtetas shqiptarë të kërkuar nga autoritetet e vendit, ndërsa numri i individëve me problematika të lidhura me aktivitetin kriminal ishte edhe më i madh.
Sipas saj, disa prej tyre kishin zgjedhur të qëndronin në Emirate për t’iu paraprirë kërkesave të mundshme për ekstradim, edhe në rastet kur nuk kishte ende një procedim aktiv ndaj tyre.
Hajdar Çopja u ndalua në Dubai në vitin 2024, në kuadër të operacionit policor “Surnames”, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare për qëllime ekstradimi. Në Shqipëri, ndaj tij ekziston një dënim me katër vite burg për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje, lidhur me një ngjarje në Katund të Ri, ku mbetën të plagosur tre persona.
Megjithatë, hetimet e përshkruara në dokumentar e vendosin emrin e tij në një çështje shumë më të gjerë, që lidhet me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe aktivitetin e një organizate kriminale ku përfshihet edhe vëllai i tij, Franc Çopja.
Franc Çopja, 25 vite burg për vrasjen e Ardit Spahiut
Një tjetër figurë qendrore e kësaj dosjeje është Franc Çopja, i njohur edhe si Franc Gergely. Ai u ekstradua nga Dubai drejt Belgjikës në dhjetor të vitit 2023, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Ardit Spahiut, e ndodhur në vitin 2020 në lagjen Molenbeek të Brukselit.
Ardit Spahiu ishte kunati i motrës së Erion Alibejt dhe ekzekutimi i tij lidhet me konfliktin e përgjakshëm mes dy familjeve, Çopja dhe Alibej, që dyshohet se kishte në themel përplasjet për pazaret e drogës.
Në janar të vitit 2026, Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel e dënoi Franc Çopjan me 25 vite burgim për përfshirjen në këtë vrasje. Ndërkohë, Mikael Qosja dhe Flobenc Meçja u dënuan me burgim të përjetshëm.
Dokumentari risjell edhe dëshmitë e Erion Alibejt përpara hetuesve belgë, ku ai ka folur për marrëdhëniet mes grupeve, konfliktet e vjetra dhe investimet që, sipas tij, vëllezërit Çopja kishin kryer në Dubai.
Apartamenti 20 milionë euro në Palm Jumeirah, dëshmia e Alibejt
Një prej detajeve më të bujshme të dokumentarit lidhet me një apartament në Dubai, për të cilin Erion Alibej ka deklaruar se vëllezërit Çopja kishin paguar rreth 20 milionë euro.
Në dëshminë e dhënë përpara autoriteteve belge, Alibej ka pretenduar se Franc Çopja kishte lidhje të rëndësishme në trafikun e narkotikëve dhe se pasuritë e krijuara nga ky aktivitet ishin investuar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në vende të tjera.
Ai ka përmendur një apartament me vlerë rreth 20 milionë euro në zonën e Palm Jumeirah, si dhe një tjetër pronë pranë një atraksioni të madh të qytetit, duke pretenduar se këto investime ishin pjesë e pasurisë së krijuar nga aktiviteti kriminal.
Sipas dokumentarit, këto deklarime nuk mbetën vetëm në nivelin e dëshmive, pasi hetimet mbi transaksionet financiare të personave të përfshirë sollën të dhëna të tjera për investimet dhe lëvizjen e parave.
Nga shpërndarja e dozave në Itali te trafiku ndërkombëtar i kokainës
Hetimet e përshkruara në dokumentar paraqesin një evolucion të aktivitetit kriminal të grupit të Çopjave. Sipas materialit investigativ, rrugëtimi i tyre nisi në Itali, me shpërndarjen e sasive të vogla të drogës, për t’u zgjeruar më pas drejt trafikut ndërkombëtar të kokainës në sasi të mëdha nga Amerika Latine drejt tregjeve evropiane.
Përplasjet me grupin e familjes Alibej u shndërruan ndërkohë në një konflikt të përgjakshëm, ku dyshohet se u ndërthurën interesat e trafikut të drogës me atentate dhe vrasje të porositura në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të Evropës.
Në dëshminë e tij, Erion Alibej ka përmendur edhe një konflikt të hershëm që dyshohet se kishte nisur në Britaninë e Madhe, pas humbjes së një sasie prej 50 kilogramësh kokainë. Kjo ngjarje, sipas rrëfimeve të tij, shërbeu si një prej pikave të nisjes së armiqësisë që më vonë do të prodhonte viktima të shumta.
Dubai, pikë takimi për rrjetet ndërkombëtare të kokainës
Përtej investimeve luksoze, dokumentari ngre pikëpyetje edhe mbi rolin që Dubai ka luajtur në forcimin e lidhjeve mes organizatave kriminale nga vende të ndryshme.
Eksperti Fabian Zhilla argumenton se grupet shqiptare kanë arritur të krijojnë marrëdhënie dhe të shkëmbejnë përvojë me organizata më të konsoliduara në tregun ndërkombëtar të kokainës. Sipas tij, Dubai ka ndihmuar në këtë proces, duke ofruar mundësi për koordinimin logjistik, shkëmbimin e informacionit mbi çmimet dhe mënyrat e transportit të narkotikëve, si dhe për lëvizjen dhe fshehjen e parave.
Ai thekson se prania në këtë qytet u ka krijuar disa grupeve kriminale mundësi për të sofistikuar mënyrat e mbulimit të aktivitetit të tyre dhe për t’iu shmangur goditjeve të agjencive ligjzbatuese.
Pamjet e luksit të ekspozuara nga Hajdar Çopja dhe pretendimet për investime dhjetëra milionë euroshe në pasuri të paluajtshme rikthejnë në vëmendje një prej problematikave më të mëdha të luftës kundër krimit të organizuar: gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



