Shpërthim me tritol në një banesë në Xhamllik, policia merr në pyetje pronaren
Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur zonën e Xhamllikut në Tiranë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:00, në rrugën “Sadik Petrela”, ku persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi eksplozivi në derën e një banese në katin e parë të një pallati.
Shpërthimi ka shkaktuar alarm dhe panik te banorët e zonës, të cilët janë zgjuar nga detonimi i fuqishëm. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për persona të plagosur, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse banesa apo ambientet përreth kanë pësuar dëme materiale.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur verifikimet për të dokumentuar rrethanat dhe për të siguruar provat që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Në kuadër të hetimeve, është marrë në pyetje edhe pronarja e banesës. Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të ketë vendosur lëndën plasëse dhe se nuk ka një emër konkret apo dyshim për personat që mund të fshihen pas këtij akti.
Nga të dhënat paraprake mësohet se gruaja është e divorcuar prej disa vitesh dhe jeton në banesë së bashku me dy fëmijët e saj, një djalë dhe një vajzë.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e vendosjes së eksplozivit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës. Deri më tani nuk ka një autor të dyshuar të identifikuar, ndërsa pritet që veprimet hetimore të hedhin dritë mbi objektivin dhe arsyet e sulmit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



