E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Oferta e bujshme e SHBA për Zelensky-n: Jepe Donbasin dhe merr mbrojtjen e NATO-s
Bota

Oferta e bujshme e SHBA për Zelensky-n: Jepe Donbasin dhe merr mbrojtjen e NATO-s

Shtetet e Bashkuara kanë hedhur në tryezën e negociatave një nga propozimet më të ndjeshme për përfundimin e luftës në Ukrainë: tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi, në këmbim të anëtarësimit në NATO. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka zbuluar se kjo mundësi është diskutuar nga pala amerikane, por ka theksuar se çdo vendim përfundimtar duhet të kalojë përmes qytetarëve ukrainas.

Sipas Zelenskyt, një marrëveshje e tillë nuk mund të pranohet pa garanci të forta dhe të detyrueshme për sigurinë e Ukrainës. Këto garanci duhet të jenë të nivelit të Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen kolektive në rast të një sulmi ndaj një vendi anëtar.

Përveç mbrojtjes ushtarake, presidenti ukrainas kërkon edhe mbështetje të vazhdueshme nga Uashingtoni dhe aleatët, përfshirë financimin e rindërtimit të vendit pas përfundimit të luftës.

Megjithatë, Zelensky ka bërë të qartë se ekziston një vijë e kuqe për Kievin: Ukraina nuk do t’i njohë ligjërisht territoret e pushtuara si pjesë të Federatës Ruse. Edhe nëse do të diskutohej një tërheqje nga Donbasi, kjo nuk do të nënkuptonte njohjen zyrtare të sovranitetit rus mbi këto territore.

Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje të tillë, Zelensky ka theksuar se vendimi nuk mund të merret vetëm nga ai si president, por duhet të përfshijë edhe vullnetin e popullit ukrainas.

“Do t’i kërkoj mendimin shoqërisë sonë: a e pranojmë apo jo?”, deklaroi kreu i shtetit ukrainas.

Në diskutimet diplomatike janë përfshirë edhe alternativa të tjera për garantimin e sigurisë së Ukrainës. Një prej tyre është një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, e ngjashme me angazhimet amerikane ndaj Izraelit. Kjo mund të përfshijë praninë e trupave amerikane, furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe vijimin e ndihmës ushtarake.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas ka shprehur mosbesim ndaj qëllimeve të Vladimir Putinit, duke paralajmëruar negociatorët amerikanë se Kremlini nuk duhet besuar. Sipas tij, Moska mund të jetë duke shfrytëzuar procesin diplomatik për të fituar kohë dhe për të zvarritur përfundimin e konfliktit.

Këto zhvillime vijnë pas raundit të dytë të bisedimeve trepalëshe të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, të zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.

Deri më tani nuk është bërë publike një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Megjithatë, diskutimi i mundësisë së tërheqjes nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO tregon se negociatat po përqendrohen te çështjet më të vështira të konfliktit: kontrolli territorial, garancitë e sigurisë dhe e ardhmja gjeopolitike e Ukrainës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.