Brukseli ‘shuplakë’ Ramës: Korrupsioni, kapja e institucioneve dhe politika rrezikojnë integrimin në BE
Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit europian, por rruga drejt anëtarësimit mbetet e kushtëzuar nga zgjidhja e problematikave të thella që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Këto janë disa nga shqetësimet e evidentuara në një studim analitik të Parlamentit Europian, i cili shqyrton ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në dokument vlerësohet ritmi i negociatave dhe angazhimi politik për integrimin, por theksohet se përparimi në hapjen e kapitujve nuk duhet ngatërruar me përmbushjen reale të standardeve europiane.
Shqipëria hapi negociatat në korrik 2022 dhe gjatë viteve 2024-2025 arriti të hapë të gjashtë grupkapitujt negociues. Në maj 2026 përmbushi kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin e parë, “Themeloret”, ndërsa në korrik të këtij viti shënoi mbylljen provizore të tre kapitujve.
Objektivi i qeverisë është përfundimi i negociatave teknike deri në fund të vitit 2027, por realizimi i tij kërkon rezultate të qëndrueshme në reforma.
SPAK vlerësohet, por kërkohen dënime përfundimtare
Një ndër zhvillimet pozitive të evidentuara në analizë është reforma në drejtësi e vitit 2016, veçanërisht procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.
Vëmendje e veçantë i kushtohet SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat vlerësohen për rolin e tyre në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe të personave të ekspozuar politikisht.
Megjithatë, institucionet europiane kërkojnë që hetimet të përkthehen në rezultate konkrete dhe dënime përfundimtare në çështjet e profilit të lartë.
Shqetësime mbeten edhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe mundësia e ndikimit politik mbi institucione të tjera të zbatimit të ligjit.
Polarizimi politik dhe përqendrimi i pushtetit
Një tjetër problematikë e evidentuar në dokument lidhet me funksionimin e demokracisë dhe marrëdhëniet mes forcave politike në Shqipëri.
Polarizimi i fortë politik, përplasjet e vazhdueshme mes palëve dhe përqendrimi i pushtetit kanë ngritur pikëpyetje për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias.
Edhe administrata publike mbetet një prej fushave ku kërkohen ndryshime të mëtejshme. Sipas analizës, pavarësisht reformave ligjore, vijojnë problemet me politizimin e administratës, mungesën e kapaciteteve, largimet dhe lëvizjet e shpeshta të punonjësve, si dhe zbatimin jo të qëndrueshëm të parimit të meritokracisë.
Brukseli kërkon rekrutim mbi bazën e meritës, kufizim të ndërhyrjeve politike në emërimet e niveleve të larta dhe koordinim më të mirë mes institucioneve.
Protestat dhe pakënaqësitë për qeverisjen
Pavarësisht mbështetjes së lartë të qytetarëve për integrimin europian, dokumenti nënvizon se kjo nuk përjashton pakënaqësitë për mënyrën e qeverisjes, transparencën dhe cilësinë e demokracisë.
Në këtë kontekst përmenden edhe protestat e qershorit 2026 në Tiranë kundër një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Protestat nisën për shkak të shqetësimeve mbi transparencën, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës publike, por më pas u shndërruan në një reagim më të gjerë për qeverisjen e mirë dhe respektimin e parimeve demokratike.
Nga ana tjetër, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë të politikës së saj të jashtme me qëndrimet e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë, si dhe për orientimin e saj euroatlantik.
Mbi 200 milionë euro nga Plani i Rritjes
Në aspektin ekonomik, Shqipëria ka përparuar në afrimin me tregun europian dhe në pjesëmarrjen në mekanizmat e bashkëpunimit të BE-së.
Një prej zhvillimeve të rëndësishme është përfshirja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila synon të ulë kostot e transfertave ndërkufitare dhe të lehtësojë pagesat për qytetarët dhe bizneset.
Gjithashtu, vendi përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku mbështetja financiare lidhet drejtpërdrejt me realizimin e reformave.
Sipas të dhënave të paraqitura në studim, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara dhe ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga një fond potencial prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.
Në përfundim, mesazhi i analizës së Parlamentit Europian është se ritmi i shpejtë i negociatave nuk garanton automatikisht anëtarësimin. Shqipëria duhet të dëshmojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe të forcojë standardet demokratike.
Përmbushja e këtyre kushteve do të jetë vendimtare për ambicien e vendit për të përfunduar negociatat teknike deri në fund të vitit 2027.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



