Aksidenti fatal pranë Tunelit të Murrizit i merr jetën mjekes (Emri)
Është identifikuar njëra prej dy viktimave të aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur pranë tunelit të Murrizit, në zonën e Xibrit. Bëhet fjalë për Maltina Feratin, 42-vjeçaren nga Tetova, e cila humbi jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonte si pasagjere u përfshi në një përplasje të rëndë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 10:15 të paradites së djeshme, ku dy automjete u përplasën pranë tunelit. Përveç Feratit, jetën humbi edhe Bledian Osmani, rreth 42 vjeç, ndërsa pesë persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Lajmi për ndarjen nga jeta të mjekes ka shkaktuar dhimbje të madhe në Spitalin Klinik të Tetovës, ku ajo ushtronte detyrën e kryeshefes së Laboratorit.

Institucioni shëndetësor ka publikuar një mesazh ngushëllimi, duke vlerësuar kontributin e saj profesional, përkushtimin dhe përgjegjësinë në punë. Kolegët e përshkruajnë Feratin si një profesioniste të përkushtuar, por edhe si një njeri të dashur, të buzëqeshur dhe gjithmonë të gatshëm për t’u shërbyer të tjerëve.
“Ikja e saj e parakohshme lë një boshllëk të madh në mesin tonë. Kontributi i saj profesional dhe kujtimet e bukura që la pas do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së institucionit tonë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Në përfundim, Spitali Klinik i Tetovës u ka shprehur ngushëllimet familjarëve, të afërmve dhe miqve të doktoreshës Maltina Ferati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



