Si u ndërtuan vilat e Bllokut në kohën e Zogut? Ben Blushi rrëfen historitë e panjohura të Tiranës
Si ishte Tirana përpara se të shndërrohej në kryeqytet? Kush ishin njerëzit që ndikuan në zhvillimin e saj dhe si u krijuan disa prej zonave më të njohura të qytetit? Këto janë disa nga historitë që shkrimtari Ben Blushi ka sjellë në librin e tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës: nga 1600 deri në vitin 2000”.
Gjatë një takimi me lexuesit në Bibliotekën Kombëtare, të zhvilluar më 17 nëntor, në përkujtim të Çlirimit të Tiranës, Blushi foli për prapaskenat e krijimit të veprës dhe për personazhet që kanë lënë gjurmë në historinë e kryeqytetit.
Shkrimtari shpjegoi se një prej arsyeve që e shtyu të shkruante këtë libër ishte mungesa e dokumentacionit për jetën e banorëve të Tiranës gjatë shekujve XVII, XVIII dhe XIX. Sipas tij, për periudha të tëra dihet shumë pak për mënyrën se si jetonin njerëzit, çfarë ndodhte në qytet dhe cilat ishin rrethanat që formësuan historinë e tij.
Pikërisht këtë boshllëk, Blushi është përpjekur ta plotësojë përmes një rrëfimi letrar, duke rindërtuar jetët dhe historitë e personazheve për të cilët kanë mbetur pak të dhëna.
Një prej pjesëve më interesante të diskutimit ishte ajo që lidhej me periudhën e mbretërimit të Ahmet Zogut dhe transformimin urban të Tiranës pas shpalljes së saj kryeqytet.
Për të shpjeguar se si u krijuan disa prej vilave në zonat që më vonë do të njiheshin si Blloku dhe Rruga e Durrësit, Blushi solli në vëmendje figurën e Jani Bashos, mjekut të familjes mbretërore.
Sipas rrëfimit të tij, Basho kishte fituar një pozicion të afërt me Zogun, pasi kujdesej për shëndetin e familjarëve të tij, përfshirë nënën dhe gjashtë motrat, si dhe për gratë që frekuentonin rrethin e mbretit.
Kjo afërsi, sipas Blushit, i kishte mundësuar mjekut të përfitonte edhe një pronë, në një kohë kur shpërblimi i njerëzve pranë pushtetit bëhej edhe përmes dhënies së parcelave të tokës.
“Jani Basho u bë mjeku kryesor i familjes së Zogut. Zogu kishte në familje gjashtë motra dhe nënën, përveç shumë shoqeve që kishte më vonë, të dashurave. Natyrisht, gjithë këto gra kishin nevojë për një mjek”, tregoi Blushi.
Ai shtoi se përmes kësaj marrëdhënieje Basho kishte përfituar një truall pranë zonës ku ndodhet sot “Shtëpia me Gjethe”, përballë Katedrales Ortodokse. Blushi e lidhi këtë rast me mënyrën se si, në atë periudhë, njerëzit që gëzonin besimin e Zogut shpërbleheshin me prona, mbi të cilat më pas u ndërtuan vila në zona të ndryshme të Tiranës.
Në takim u përmendën edhe figura të tjera të historisë së kryeqytetit, mes tyre librarë, bejlerë dhe personalitete të jetës publike. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Mit’hat Frashërit, për rolin e tij në jetën kulturore dhe lidhjen me librat, në një periudhë kur Tirana po përjetonte ndryshime të rëndësishme shoqërore dhe politike.
Përmes veprës së re, Blushi synon të ndërthurë personazhe historike me histori më pak të njohura, duke ofruar një interpretim letrar të zhvillimit të Tiranës nga viti 1600 deri në fund të shekullit XX.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



