“Hajdut, kriminel”, qytetarët përballen me Ramën pas Asamblesë së PS-së
Pas përfundimit të Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, kryeministri Edi Rama është përballur me protestën e një grupi qytetarësh që e prisnin jashtë ambienteve të Akademisë së Arteve.
Teksa kreu i qeverisë po largohej nga godina, protestuesit kanë nisur thirrjet kundër tij, duke kërkuar dorëheqjen dhe duke e akuzuar qeverinë për lidhje me korrupsionin dhe krimin.
“Rama, jepe dorëheqjen!”, “Qeveri e krimit, hajdutë, kriminelë!”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë përballjes. Nga pamjet e publikuara, Rama duket se u ka propozuar protestuesve të zhvillojnë një bisedë, por ata kanë vijuar me akuzat ndaj tij.
Përballja ndodhi në momentin kur kryeministri po largohej nga mbledhja e Asamblesë së PS-së, ku kishte folur për organizimin e strukturave socialiste në Tiranë dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat i përmendi për 9 majin 2027.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te përgjegjësitë brenda Partisë Socialiste, duke paralajmëruar se personat që cenojnë besimin e qytetarëve nuk do të tolerohen më në radhët e partisë.
“Askush që cenon besimin që qytetarët i dhanë për drejtimin e Shqipërisë nuk do të tolerohet dhe aq më pak të ketë më vend në familjen e Partisë Socialiste”, ishte mesazhi i tij.
Ai shtoi se askush nuk është i pazëvendësueshëm në strukturat politike të PS-së, duke deklaruar:
“Kushdo të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat ndaj familjes sonë politike dhe borxhet që i kemi atyre që na kanë besuar, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi politike. Të gjithë janë të nevojshëm, por askush i domosdoshëm”.
Protesta jashtë Akademisë së Arteve u zhvillua në një moment kur Rama sapo kishte përfunduar takimin me strukturat e partisë në Tiranë, duke e shoqëruar largimin e tij me thirrje të drejtpërdrejta për dorëheqje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



