E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Veliaj mesazh socialistëve para Asamblesë së PS: Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh
Lajme

Veliaj mesazh socialistëve para Asamblesë së PS: Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh

Një mesazh me tone kritike ndaj drejtimit aktual të Partisë Socialiste ka përcjellë Erion Veliaj në prag të mbledhjes së Asamblesë së PS në Tiranë. Përmes një postimi në Facebook, Veliaj u është drejtuar socialistëve të kryeqytetit, duke rikthyer në vëmendje organizimin politik të ndërtuar që prej vitit 2015 dhe duke kritikuar atë që e konsideron si zëvendësim të aktivistëve dhe kontribuuesve të vjetër me njerëz që përfitojnë nga privilegjet e pushtetit.

Në mesazhin e tij, Veliaj kujton fitoret elektorale të Partisë Socialiste në Tiranë, duke pretenduar se ato u arritën falë punës dhe kontributit të socialistëve dhe qytetarëve, e jo përmes grupeve kriminale apo personave të fortë.

Ai ngre gjithashtu pyetjen nëse PS është ende e njëjta parti që, sipas tij, u ndërtua mbi punën, progresin dhe qytetarinë, ndërsa kritikon drejtuesit që, në vlerësimin e tij, po largohen nga njerëzit që kontribuuan në sukseset e organizatës.

Një pjesë e veçantë e reagimit i kushtohet marrëdhënies mes drejtuesve dhe bazës socialiste. Veliaj shprehet se besnikëria ndaj parimeve dhe sakrificave të përbashkëta nuk duhet të zëvendësohet nga bindja e verbër ndaj individëve në krye të partisë.

“Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!”, shkruan ai në një nga pasazhet më të forta të mesazhit.

Në fund, Veliaj u bën thirrje socialistëve të Tiranës të ruajnë qytetarinë dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar organizata, duke paralajmëruar që historia e tyre të mos zëvendësohet nga ajo që ai e cilëson si pushtet të pamerituar.

Mesazhi vjen në ditën kur pritet të zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste në Tiranë, duke shtuar vëmendjen mbi qëndrimet dhe zhvillimet brenda strukturave të partisë.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt:

MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS

Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!

Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.

Po a jemi ende ajo parti?

Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?

Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.

Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!

Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.

Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.

Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.

Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,

Miku dhe shoku juaj,

Socialisti me duar të lidhura

Erion Veliaj

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.