Ilir Shehu i “Medicamenta”/ Nga biznesi farmaceutik në Shqipëri, te dyshimet dhe kontrollet në Itali
Ilir Shehu, i njohur edhe me mbiemrin Pasholli, është në qendër të një hetimi pasuror që ka çuar në sekuestrimin e disa prej aseteve dhe kompanive të tij. Në Shqipëri, ai njihet si një emër i rëndësishëm në tregun farmaceutik, ndërsa kompania “Medicamenta”, ku është i përfshirë, ka përfituar rreth 40 milionë euro nga tenderat publikë të zhvilluar në sektorin e shëndetësisë.
Por të dhënat e autoriteteve italiane, të administruara nga strukturat shqiptare, hedhin dritë mbi një të kaluar krejt tjetër të biznesmenit. Sipas informacionit të përcjellë nga Interpol Roma, për afro 15 vite, nga 2010 deri në 2025, Shehu është ndaluar vazhdimisht për kontrolle të imtësishme në disa prej aeroporteve dhe porteve kryesore të Italisë.
Në një komunikim zyrtar të mbërritur në Policinë shqiptare në mars të vitit 2026, autoritetet italiane bëjnë me dije se kontrollet ndaj tij janë kryer në aeroportet e Bolonjës, Veronës, Milanos, Riminit, Torinos, Pizës dhe Romës, si dhe në portet e Ankonës e Barit.
Këto ndalime, sipas të dhënave të Interpol Romës, lidhen me faktin se Shehu ishte evidentuar prej vitesh në sistemet e policisë italiane. Që nga mesi i viteve ’90, emri i tij rezultonte i regjistruar në bazat e të dhënave të autoriteteve përtej Adriatikut për dyshime mbi përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale, mes tyre pengmarrje, shfrytëzim prostitucioni dhe përfitim nga mallra të vjedhura.
Megjithatë, këto kontrolle nuk e penguan të vijonte aktivitetin e tij në Shqipëri, ku ndërtoi një profil të konsoliduar në tregtinë e produkteve farmaceutike.
Si nisi hetimi pasuror ndaj biznesmenit
Interesi i strukturave shqiptare për aktivitetin e Ilir Shehut u intensifikua në fund të vitit 2025. Në atë periudhë, strukturat e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit morën informacion mbi dyshimet për veprimtari kriminale të kryera prej tij në Itali në vitet e mëparshme.
Pas administrimit të këtij informacioni, nisën verifikimet mbi pasurinë dhe burimet e të ardhurave të biznesmenit, në kuadër të legjislacionit antimafia.
Të dhënat paraprake evidentuan një aktivitet të gjerë tregtar, të ardhura të konsiderueshme dhe llogari bankare në emrin e tij. Krahas këtyre verifikimeve, autoritetet shqiptare morën në konsideratë edhe informacionin e përcjellë nga Interpol Roma mbi historikun e tij në Itali.
Në prill të vitit 2026, Policia e Shtetit referoi materialet pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pas kontrolleve fillestare, çështja u kalua për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, ku prokurorja Suela Salavaçi vijoi hetimet për rreth gjashtë muaj.
Më 17 nëntor 2026, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për vendosjen e sekuestros mbi pasuri të konsiderueshme, të regjistruara në emër të Shehut dhe personave të afërt me të.
Godinat në Tiranë dhe lidhja me aksionerin italian
Në arsyetimin e prokurorisë, pasuria e krijuar nga Ilir Shehu ngre dyshime për një lidhje të mundshme me aktivitetin kriminal dhe për mungesë të kontrollit institucional ndër vite.
Sipas hetimit, biznesmeni zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të cilat dyshohet se janë krijuar me kapital të siguruar pas dënimit të tij në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me strukturën e pronësisë së kompanisë “Medicamenta”. Sipas të dhënave të përmendura nga prokuroria, aksioneri italian i kësaj kompanie është një shtetas që përballet me akuza për korrupsion në Itali.
Prokuroria ngre pikëpyetje mbi faktin se si aktivitetet tregtare të lidhura me Shehun kanë vijuar të operojnë në tregun shqiptar, pavarësisht historikut të tij penal në Itali dhe informacionit të disponueshëm për autoritetet.
Në këtë kuadër, hetimi synon të verifikojë origjinën e pasurive dhe nëse ato janë krijuar përmes të ardhurave të ligjshme apo kanë lidhje me veprimtari kriminale të mëparshme.
Sekuestrimi i pasurive përbën një masë gjatë hetimit dhe jo një vendim përfundimtar mbi pronësinë apo përgjegjësinë penale të personave të përfshirë. Hetimet për këtë çështje vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



