Meloni ultimatum aleatëve, i kërcënon me zgjedhje të parakohshme
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ashpërsuar qëndrimin ndaj partnerëve të koalicionit qeverisës, duke paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nëse përplasjet mes partive nuk marrin fund. Mosmarrëveshjet për buxhetin, pensionet dhe reformat kanë vënë në provë marrëdhëniet brenda shumicës, ndërsa drejtuesja e qeverisë kërkon që aleatët të respektojnë marrëveshjet politike.
Meloni u ka bërë të qartë drejtuesve të koalicionit se nuk është e gatshme të vazhdojë me të njëjtat tensione deri në fund të legjislaturës. Sipas raportimeve të medias italiane, ajo u ka kujtuar aleatëve se kanë qenë vetë ata që kanë kërkuar përfundimin normal të mandatit, por kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e përplasjeve të vazhdueshme.
“Jeni ju ata që më kërkoni ta çoj legjislaturën deri në fund. Dhe mendoni se unë do ta pranoj këtë në këto kushte?”, mësohet t’u jetë drejtuar ajo partnerëve të saj.
Një nga burimet kryesore të tensionit është përplasja mes Legës së Matteo Salvinit dhe Forza Italia. Pakënaqësitë janë shfaqur edhe gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, ku Lega ka paraqitur qindra amendamente, pavarësisht se është pjesë e shumicës qeverisëse.
Meloni është detyruar gjithashtu të ndërhyjë për të frenuar debatet brenda koalicionit lidhur me firmën e ministrit të Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, në dekretin për ndihmën ndaj Ukrainës.
Një tjetër përplasje ka ardhur nga Forza Italia, e cila votoi kundër një dispozite që synonte uljen e kostove të teksteve shkollore në format digjital. Kryeministrja e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke kërkuar që marrëveshjet e arritura brenda shumicës të mos zhbëhen gjatë procesit parlamentar.
Zgjedhjet në maj apo në nëntor?
Sipas raportimeve të gazetës “Corriere della Sera”, në diskutimet politike janë shfaqur dy skenarë për zgjedhjet e ardhshme: zhvillimi i tyre në pranverë ose në vjeshtë.
Presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, ka paralajmëruar se vendi nuk mund të mbetet për muaj të tërë i përqendruar te fushatat zgjedhore, nëse qeveria nuk arrin të funksionojë normalisht.
Meloni, sipas të njëjtave raportime, duket se parapëlqen muajin maj, por mundësia e përfundimit të rregullt të legjislaturës mbetet e hapur nëse partitë e koalicionit arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet.
Kryeministrja u ka përcjellë aleatëve edhe një paralajmërim në formë batute: “Nëse vazhdojmë kështu, në vend që të shkojmë në zgjedhje në nëntorin e vitit të ardhshëm, do të shkojmë në nëntorin e këtij viti”.
Për të shmangur një skenar të tillë, kërkohet ulja e rivalitetit mes Legës dhe Forza Italia, si dhe një marrëveshje e brendshme që të mos pengohet puna parlamentare. Megjithatë, rivaliteti për ndikimin politik dhe pozicionet në listat e ardhshme zgjedhore e vështirëson kompromisin.
Përplasjet për meritat dhe reformat
Tensionet nuk lidhen vetëm me buxhetin. Përfaqësues të Legës dhe Forza Italia kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si zyra e kryeministres trajton disa prej nismave të tyre, duke pretenduar se propozimet e partive aleate paraqiten më pas si iniciativa të drejtimit të qeverisë.
Stefania Craxi e Forza Italia ka kërkuar më shumë hapësirë politike për partinë e saj, ndërsa drejtues të Legës në veri të vendit kanë akuzuar Melonin se po merr meritat për propozimin e krijimit të një Zone të Posaçme Ekonomike në nivel kombëtar.
Një tjetër pikë përplasjeje është reforma e pensioneve. Matteo Salvini ka kërkuar rritjen e fondeve për skemën e njohur si “Kuota 64”, duke propozuar 500 milionë euro shtesë mbi 800 milionë eurot e parashikuara. Meloni e ka kundërshtuar kërkesën, duke iu përgjigjur me ironi se mund t’u jepnin nga 50 mijë euro secilit për ta mbyllur më shpejt çështjen.
Përplasjet janë shfaqur edhe brenda partisë së vetë kryeministres, Fratelli d’Italia, ndërsa diskutimet për reformën zgjedhore kanë shtuar pasigurinë mes deputetëve që rrezikojnë të mos përfshihen në listat e ardhshme.
Për Melonin, çështja tashmë nuk është vetëm koha kur do të zhvillohen zgjedhjet, por edhe aftësia e koalicionit për të ruajtur një shumicë funksionale. Paralajmërimi për zgjedhje të parakohshme shihet si presion ndaj aleatëve për të kapërcyer përçarjet dhe për të garantuar vazhdimësinë e qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



