Shteti nuk zbaton gjyqet e humbura, 70 mln euro borxhe dhe mijëra qytetarë në pritje
88% e vendimeve për rikthim në punë të pazbatuara
Në Shqipëri, të fitosh një gjyq nuk do të thotë domosdoshmërisht të marrësh drejtësi. Vendimet e formës së prerë që nuk zbatohen mbeten një nga plagët më të vjetra të sistemit të drejtësisë. në Raportin Vjetor 2025 të dorëzuar në Kuvend në prill 2026, Avokati i Popullit e sheh fenomenin përtej një mangësie procedurale si “një cenim të drejtpërdrejtë të shtetit të së drejtës, pasi e lë të drejtën e njohur juridikisht pa realizim praktik.” Gjatë vitit 2025, institucioni regjistroi 1 593 ankesa, dha 3 667 këshillime dhe nisi 214 raste me iniciativë. Prej tyre, 16 ankesa kishin në qendër tituj ekzekutivë të pazbatuar, ndërsa 2 të tjera vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që shteti nuk i ka respektuar. Numri duket modest, por pesha jo: çdo vendim i Strasburgut që mbetet në sirtar godet procesin e integrimit evropian dhe emrin e vendit jashtë kufijve.
Shqetësimi i vërtetë qëndron diku tjetër, te fati i rekomandimeve. Gjatë 2025 u zbatuan vetëm rreth 21% e tyre, që do të thotë se pothuajse katër nga pesë mbetën pa efekt. Raporti e lexon këtë shifër si simptomë të një sëmundjeje më të thellë, sepse ajo “nuk pasqyron thjesht një nivel të pamjaftueshëm të ndjekjes së rekomandimeve, por evidenton në praktikë disa problematika strukturore në mekanizmat e llogaridhënies dhe kontrollit administrativ.”
Rastet e shqyrtuara nxjerrin në pah një skemë që përsëritet. Institucionet thonë “po” në letër, por pranimi formal nuk pasohet nga asnjë veprim konkret, sidomos kur rekomandimi kërkon ndryshime strukturore apo fonde. Pa mekanizma efektivë ndjekjeje, edhe roli i Avokatit të Popullit ngushtohet sepse ndikimi i rolit kushtetues të Avokatit të Popullit mbetet kryesisht i kufizuar në korrigjimin e rasteve individuale. Nga ana tjetër institucionet nuk arrijnë të përkthejnë rekomandimet në ndryshime të qëndrueshme të praktikës administrative.
Kriza e zbatimit ushqehet nga kriza e vetë gjyqësorit. Gjatë vitit, Avokati i Popullit trajtoi 143 ankesa dhe raste për gjykatat dhe 83 për prokurorinë, rreth 14% e totalit. Me vetëm rreth 66% të gjyqtarëve që parashikon organika, gjykatat prodhojnë vonesa në zinxhir si seanca që shtyhen pa fund, muaj të tërë mes një seance dhe tjetrës, ekspertë që mungojnë. Kur pala fituese e merr më në fund vendimin përfundimtar pas vitesh, i duhet të nisë një betejë të dytë me institucionin që duhet ta zbatojë, i cili shpesh e injoron ose e zvarrit.
Për Avokatin e Popullit, problemi është sistemik dhe kronik. Trajtohen pasojat, jo shkaqet ose, me fjalët e raportit, “shkeljet e konstatuara trajtohen rast pas rasti, pa u adresuar në nivel sistemi, çka lejon riprodhimin e tyre në mënyrë të vazhdueshme.”
Zgjidhjen institucioni e kërkon te Kuvendi si mekanizma të qartë llogaridhënieje, raportim periodik nga institucionet dhe shqyrtim në komisionet parlamentare të asaj që është zbatuar realisht. Praktikisht kur një vendim gjykate mbetet letër e vdekur, nuk humbet vetëm pala fituese, por humbet besimi i qytetarit te shteti.
Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, problem sistemik me kosto miliarda lekësh
Plaga më e thellë e shtetit ligjor shqiptar nuk ndodhet te ligjet që shkruhen, por te ligjet që nuk zbatohen. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se vendime përfundimtare, të cilat Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Civile i bëjnë të detyrueshme, qëndrojnë të pazbatuara nga institucionet publike për muaj e vite, duke i lënë qytetarët që fituan në gjykatë pa asnjë kompensim real.
Si institucioni më i lartë i auditimit, KLSH-ja e ka hasur këtë fenomen pothuajse në çdo kontroll. Gjetjet shtrihen nga institucionet qendrore te bashkitë dhe njësitë vendore në gjithë vendin. Vetë grupet e auditimit shënojnë se “sa i takon vendimeve gjyqësore të formës së prerë të ekzekutuara dhe të paekzekutuara, kjo çështje u bë objekt vlerësimi nga ana e grupit të auditimit të KLSH.”
Shifra më e rëndë del nga raporti vjetor i KLSH para Kuvendit. Sipas raportit, deri në fund të vitit 2024 stoku i detyrimeve të prapambetura që lidhen me çështjet gjyqësore arrin në 7.32 miliardë lekë. Janë mbi 70 milionë euro, të grumbulluara nga vite mosveprimi. Ky borxh nuk lindi nga ndonjë deficit i zakonshëm buxhetor, por nga mosrespektimi sistematik i autoritetit të gjykatave.
Ndër më të goditurit janë punonjësit e larguar nga puna. Në periudhën 2018–2020 u likuiduan 47.3 milionë lekë për vendime gjyqësore të fituara nga punonjës të liruar nga detyra, por edhe pas këtyre pagesave me vonesë, KLSH shënon se “kanë mbetur ende gjyqfitues të pasistemuar”. Pas kësaj shprehjeje burokratike fshihen njerëz konkretë që ende presin.
Edhe bashkitë nuk bëjnë përjashtim.
“Në fund të periudhës ushtrimore 2024, Bashkia Tropojë rezulton se ka detyrime nga vendimet gjyqësore”, shkruan KLSH, një rast tipik i pushteteve vendore me arka të varfra dhe administratë të brishtë. Kur gjykata vendos dhe shteti nuk zbaton, drejtësia shndërrohet në formalitet dhe besimi i qytetarëve gërryhet. Këtë tablo e ka regjistruar edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila në raste të shumta ka konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës nga Shqipëria, pikërisht sepse vendimet e brendshme nuk u zbatuan brenda një afati të arsyeshëm. Auditimet e KLSH në vitet 2024–2025 konfirmojnë se zbatimi i vendimeve të formës së prerë mbetet problem i vazhdueshëm dhe i strukturuar në administratën publike. 7.32 miliardët e stokut kombëtar janë më shumë se një zë kontabël, ato masin hendekun mes shtetit ligjor të shpallur dhe atij që qytetari jeton çdo ditë.
88% e vendimeve për rikthim në punë mbeten të paekzekutuara
Raporti Vjetor 2023 i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC), publikuar në mars 2024, sjell të dhëna alarmante për mënyrën si administrata vendore trajton vendimet për rikthimin në punë të nëpunësve civilë. Nga 108 vendime gjyqësore të formës së prerë që institucionet kishin detyrimin ligjor t’i ekzekutonin gjatë periudhës objekt raportimi, vetëm 13 prej tyre u ekzekutuan ose 12% e rasteve. Pra, 95 vendime, ose 88%, mbetën në letër. Edhe më e rëndë është sjellja e institucioneve pasi nga 13 institucione që kishin detyrimin ligjor për të ekzekutuar vendimet, vetëm 4 e shtynë përpara procesin. Nëntë institucione të tjera shtetërore nuk ndërmorën asnjë hap për të respektuar urdhrat e gjykatës.
Ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka pranuar zyrtarisht se “që nga viti 2020 ka 101 vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) kundër Shqipërisë. Disa prej tyre kanë të bëjnë me dështimin e autoriteteve shqiptare për të ekzekutuar vendime të formës së prerë vendase”. Kështu, ajo që nis si moszbatim i brendshëm përfundon si shkelje ndërkombëtare. Për ta ndihmuar Shqipërinë të zbatojë këto vendime, Këshilli i Europës ka nisur projekte të posaçme, që synojnë si zgjatjen e tepruar të proceseve gjyqësore, ashtu edhe moszbatimin strukturor të urdhrave të gjykatave.
Problematika strukturore dhe kostoja financiare
Edhe raportet ndërkombëtare e rendisin zvarritjen e zbatimit të vendimeve përfundimtare ndër problemet kronike të sistemit shqiptar, krahas procedurave të stërgjatura dhe mungesës së transparencës. Transparenca mungon edhe në shifra. Sistemi gjyqësor nuk publikon statistika të plota e të konsoliduara për të gjitha gjykatat, përtej administratës së shërbimit civil. Qytetarët, bizneset dhe mediat nuk kanë asnjë bazë të dhënash kombëtare për shkallën e zbatimit të vendimeve. Kjo heshtje statistikore është zbulim më vete. Tre raportet e KMSHC-së vulosin të njëjtin përfundim, gjykatat vendosin, institucionet bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Nga 2023 në 2025 tabloja mbetet thuajse e pandryshuar, dhe qindra gjyqfitues vazhdojnë të presin.
Viti 2023: 88% e vendimeve, asnjë veprim nga 9 institucione
Raporti i vitit 2023, i përqendruar te pushteti vendor, ka edhe një detaj që flet vetë. Vetëm Bashkia e Tiranës kishte 61 nëpunës civilë gjyqfitues në listë pritje dhe asnjëri nuk u kthye në vendin e punës. Një vit më vonë, monitorimi u shtri te administrata qendrore. Për 2023–2024 u regjistruan 189 vendime përfundimtare për rikthim në detyrë, nga të cilat u zbatuan vetëm 55, ose 29.1%. Nga 134 nëpunës civilë, 70.9%, mbetën jashtë. Paradoksi është i qartë pasi në 2024 administrata publike raportoi 1 760 vende të lira pune që nuk plotësohen, sepse organika duhet të ruajë hapësirë për gjyqfituesit e bllokuar. Shteti paguan pagat e prapambetura të atyre që presin, ndërsa vendet e punës rrinë bosh.
Raporti i 2025, i publikuar në maj 2026, është më i ashpri i tre viteve. Komisioneri Edison Hoxha konstaton se mbi 90% e vendimeve gjyqësore nuk zbatohen brenda afateve ligjore, e disa presin prej më shumë se një dekade. Në bashki dhe njësi vendore, 79 nëpunës civilë janë ende në listë pritje, kundrejt vetëm 38 të kthyer fizikisht në punë. Raporti përmend gjyqfitues që kanë dalë në pension, madje edhe që kanë vdekur, pa e parë kurrë vendimin të zbatuar. Madje e përshkruan pa doreza mekanizmin e shmangies: “Institucioni bën formalisht ripranimin në punë dhe menjëherë e kalon personin në listë pritje. Vendimi i gjykatës ‘ekzekutohet’ në letër, por jo në realitet.”
Kostoja: Miliona euro dhe asnjë masë disiplinore
Moszbatimi ka çmim dhe e paguajnë taksapaguesit. Raportet e KLSH-së tregojnë se vetëm në 2022 buxheti i shtetit nxori 77.6 milionë lekë për vendime gjyqësore në favor të punonjësve të larguar padrejtësisht. Deri në shtator 2024, kjo faturë arriti në 216.5 milionë lekë, të cilave iu shtuan 5.9 milionë lekë tarifa përmbarimore. Në auditimin e shtatorit 2022, KLSH shkruan se “Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i është rekomanduar shqyrtimi dhe dhënia e masave disiplinore për punonjësit e konstatuar me shkelje, sipas gjetjeve të Raportit Përfundimtar të Auditimit.”
Masat e rekomanduara shkonin deri në largim nga puna, por Drejtoria e Tatimeve nuk zbatoi asnjërën dhe rekomandimi figuron i pazbatuar. Refuzimi për të zbatuar rekomandimet e auditimit publik bie ndesh me ligjin nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, i cili i detyron subjektet e audituara t’i zbatojnë rekomandimet e KLSH, ndaj ky mosveprim shkon përtej diskrecionit administrativ dhe kthehet në shkelje ligjore.
Në shkallë kombëtare, fatura është shumë më e lartë pasi fatura për largimet e padrejta të punonjësve të administratës nga puna ishte 14 milionë euro në vitin 2024. Kjo kosto që do të paguhet nga buxheti i shtetit mbulon të gjithë ata punonjës që kanë fituar në gjyq përballë institucioneve shtetërore.
Të lexuara bashkë, tre raportet e KMSHC për 2023–2025 dhe auditimet e KLSH-së përshkruajnë një administratë që ka mësuar të bashkëjetojë me vendimet e gjykatave pa i zbatuar. Bashkitë, në veçanti, kanë ngritur mekanizmat e tyre të evazionit si ripranim në letër, bllokadë në praktikë.
Edhe pse neni 320 i Kodit Penal e cilëson mosekzekutimin e vendimeve të gjykatës vepër penale, as Prokuroria e Tiranës, as SPAK nuk kanë reaguar publikisht për asnjë nga rastet e dokumentuara.
E njëjta pamje vjen edhe nga Strasburgu me vendimet e GJEDNJ kundër Shqipërisë, ku shumë prej tyre të lidhura pikërisht me vendime të brendshme të pazbatuara, e konfirmojnë problemin në nivel ndërkombëtar./EmisioniVetting
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



