Shpërndante drogë pranë shkollave, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë
Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se ushtronte aktivitetin e shitjes së kokainës në afërsi të shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në zonat e Kamzës dhe Fushë-Krujës.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas hetimeve për aktivitetin e dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu ndaluan 34-vjeçarin teksa drejtonte një automjet tip “Toyota Yaris” në bulevardin “Nënë Tereza” në Tiranë. Nga kontrolli i ushtruar në makinë u gjetën dhe u sekuestruan 505.6 gramë kokainë.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të arrestuarit, ku policia zbuloi dhe sekuestroi 397 gramë të tjera të së njëjtës lëndë narkotike.
Në total, sasia e kokainës së sekuestruar arrin në 902.6 gramë. Përveç drogës, autoritetet kanë sekuestruar edhe automjetin që dyshohet se përdorej për aktivitetin e paligjshëm, si dhe një telefon celular.
Sipas dyshimeve të grupit hetimor, 34-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike me qëllim shpërndarjen dhe shitjen e saj pranë institucioneve arsimore dhe ambienteve të tjera ku mblidhen të rinjtë, kryesisht në Kamëz dhe Fushë-Krujë.
Materialet procedurale lidhur me rastin i janë referuar Prokurorisë, për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



