E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Të shtënat me plumba gome në protestë, Avokati i Popullit kërkon pamjet e Policisë dhe komunikimet në radio
Flash

Të shtënat me plumba gome në protestë, Avokati i Popullit kërkon pamjet e Policisë dhe komunikimet në radio

🇬🇧 Read in English

Avokati i Popullit i ka kërkuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të ruajë menjëherë të gjitha pamjet filmike dhe komunikimet në radio të regjistruara gjatë operacionit policor të 28 Nëntorit, pas pretendimeve të katër protestuesve se janë goditur me plumba gome.

Kërkesa vjen pas monitorimit në terren të zhvilluar nga grupet e institucionit, të cilat kanë kontaktuar disa prej të lënduarve në Spitalin Universitar të Traumës.

Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, katër protestues kanë deklaruar se janë qëlluar me plumba gome. Njëri prej tyre ka pretenduar se është goditur në sy, ndërsa grupi i monitorimit ka konstatuar se syrin e majtë e kishte të mavijosur dhe të mbyllur.

Një tjetër protestues ka deklaruar se është goditur edhe me shkop gome. Ndërsa një i tretë ka pretenduar se është qëlluar në ballë, nga afër, me një fishek gazi. Gjatë verifikimit, monitoruesit kanë konstatuar shenja në këmbë dhe një plagë në kokë, e cila ishte qepur dhe mbuluar me fashë.

Në shkresën drejtuar Policisë, Avokati i Popullit kërkon informacion të detajuar për personat që urdhëruan përdorimin e forcës, planin operacional dhe zinxhirin e komandimit.

Institucioni kërkon gjithashtu sqarime mbi përdorimin e plumbave të gomës, fishekëve të gazit, gazit lotsjellës të hedhur nga dronët dhe ujëhedhësve. Për secilin rast kërkohen të dhëna për orën, vendin, urdhrin për ndërhyrje, paralajmërimet dhe respektimin e distancave të përcaktuara për përdorimin e mjeteve të forcës.

Një tjetër çështje e ngritur lidhet me trajtimin e gazetarëve dhe personave të lënduar. Avokati i Popullit kërkon sqarime për rrethanat e dëmtimit të punonjësve të medias, përfshirë pretendimet për përdorimin e ujit me presion në drejtim të zonës ku ndodheshin ata, si dhe për ndihmën e parë dhe aksesin e ambulancave.

Policisë i është kërkuar gjithashtu të shpjegojë mënyrën se si identifikohen efektivët gjatë operacioneve në terren.

Gjatë protestës së 28 Nëntorit, grupet e monitorimit të Avokatit të Popullit kanë qenë të pranishme në komisariatet nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin Universitar të Traumës.

Institucioni thekson se po ndjek me të njëjtën vëmendje rastet e lëndimit të protestuesve, punonjësve të Policisë dhe gazetarëve, duke nënvizuar se përdorimi i forcës lejohet vetëm kur është i nevojshëm dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Ngjarjet e 28 Nëntorit janë përfshirë në hetimin që Avokati i Popullit po zhvillon prej disa muajsh për mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhon protestat. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Kuvendit në dhjetor 2026.

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se do të publikojë edhe përgjigjen e Policisë, ose mungesën e saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.